Lajmi për blerjen e gjashtë aeroplanëve luftarakë rus të tipit Mikoyan MiG-26 si dhe i një numri të caktuar tankesh (për të cilat nuk u dhanë detaje megjithëse besohet të jenë rreth 100 sosh) nga ana e Serbisë, assesi nuk mund të ikte pa jehonë së paku tek spektri intelektual dhe shoqëria e gjerë. Kjo jo vetëm për faktin që kjo rritje e aftësisë luftarake të Serbisë ndodhi përkundër faktit që ajo përbën kërcënim të drejtpërdrejtë të sigurisë, por edhe për shkak të intensifikimit të afërsisë së saj me Rusinë duke paralajmëruar kështu tendencat e ndërsjella për të përdorur ndikimin e tyre de-stabilizues në dëm të shteteve të tjera të rajonit.
E dëshmi për tendencën e shtimit të influencës de-stabilizuese ruse në rajon përmes elementeve të hapura shtetërore apo ato në formë të kamufluar nuk janë të pakta. Për të rikujtuar, rasti më eklatant ishte ai kur Policia e Malit të Zi arrestoi disa individ të dyshuar si pjesëtarë të shërbimit inteligjent rus dhe atij serb për planifikim të atentatit ndaj kryeministrit të këtij vendi. Sipas Policisë malazeze me ketë atentat synohej sabotimi i anëtarësimit të këtij shteti të vogël fqinj në NATO. Arrestime dhe dëbime të individëve të dyshuar si pjesëtarë të shërbimeve inteligjente ruse pati edhe në Kosovë ndërkohë që ka kohë që pjesëtarë të shërbimeve inteligjente, për të cilët ka indicje të bazuar se veprojnë të papenguara sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Ndërkohë që brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Serbe vazhdon të veprojë hapur si vasale e Rusisë dhe Serbisë sidomos në periudhën e fundit.
Me fjalë të tjera, intensifikimi i bashkëpunimit ushtarak në mes Rusisë dhe Serbisë paraqet një hap mbrapa sa i përket bashkëpunimit konstruktiv rajonal dhe të ardhmes së rajonit. Për më tepër, karakteri de-stabilizues i këtij bashkëpunimi pritet të manifestohet ndër të tjera në: nxitje të rivalitetit në mes shteteve të cilat synojnë lidership në rajon (këtu në radhë të parë vlen të përmendet intensifikimi i rivalitetit mes Serbisë dhe Kroacisë); në intensifikim të tendencave për të përdorur elementet de-stabilizuese serbe me qëllim të mbajtjes peng të vendeve të rajonit karshi përpjekjeve të tyre për integrime veri-atlantike; në përdorim nga ana e Serbisë e kapaciteteve de-stabilizuese si shkop dhe karrotë për të arritur objektivat e saja integruese në BE; si dhe në instancën më të fundit ngritja e kapaciteteve luftarake të Serbisë përbën po ashtu edhe kërcënim të drejtpërdrejtë për integritetin territorial të vendeve fqinje të Serbisë si Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi.
Ndërkohë, nëse e vështrojmë nga perspektiva jonë vendore, marrëveshja në fjalë karakterin më të madh kërcënues e ka sidomos karshi Kosovës. Një përfundim i tillë mund të nxirret duke filluar nga deklarata e kryeministrit serb i cili pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje u shpreh se “ne nuk do ta sulmojmë askënd apo të marrim ndonjë gjë që i takon ndokujt tjetër, por synimi është të përgatitemi ta mbrojmë lirinë dhe sovranitetin tonë”. E kur dihet që me Kushtetutë të Serbisë, Kosova edhe më tutje llogaritet si pjesë e territorit të saj, çfarëdo reference e tillë nga ana e lidershipit serb për mbrojtje të integritetit territorial përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin territorial të Kosovës.
Krahas kësaj, edhe tendencat e Serbisë për marrjen e kontrollit të hapësirës ajrore, sado jo reale që mund të shihen, janë në frymën e armatosjes së fundit sidomos me mjete të aviacionit ushtarak. Mirëpo ajo çka bëri përshtypje në rastin e Kosovës është se ndryshe nga vende e tjera të Ballkanit Perëndimor si Kroacia e cila me automatizëm ju kundërpërgjigj kësaj gare armatimi duke nënshkruar marrëveshje të ngjashme për blerje të armatimit, për çudi, autoritetet kosovare deri më sot fare pak u prononcuan karshi këtyre zhvillimeve.
Mbase, me këtë heshtje Qeveria e Kosovës synon t’i shmanget ekspozimit të dështimeve të saj në raport me transformimin të Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë mbrojtëse, si dhe për të filluar ndërtimin e saj në proporcion me nevojat e brendshme dhe kapacitetet ekzistuese. Pra, mbase Qeveria si duket synon të mbajë në heshtje jo-gatishmërinë për të ndërruar praktikat e deritanishme serviluese karshi faktorit ndërkombëtar i cilët insiston se çfarëdo transformimi duhet të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, skenar ky vështirë i realizueshëm për shkak se për kalimin e tij kërkohet shumica e dyfishtë e deputetëve, respektivisht 2/3 e votave të minoriteteve.
E përpjekje të tilla të dështuara nga ana e Qeverisë së Kosovës për ndryshime kushtetuese bëhen që tri vite radhazi. Mirëpo siç edhe është pritur, përfaqësuesit e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës të dirigjuar nga Beogradi zyrtar vazhdimisht kundërshtuan këto ndryshime duke e bërë krejtësisht të pakuptimtë përpjekjet për ndryshime kushtetuese.
Ndërkohë brengosëse mbetet fakti se megjithëse ligjërisht Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës i kanë duart plotësisht të hapura për të i modifikuar ligjet që ndërlidhen me FSK duke i larguar kështu të gjitha restrikcionet e tanishme që pengojnë shndërrimin e kësaj Force në ushtri, një gjë e tillë edhe më tutje nuk është duke ndodhur. Madje sikurse të mos mjaftonte kjo, përpjekje për fuqizimin të aftësive luftarake për te garantuar rendin dhe ligjin viteve të fundit nuk pati as në Polici. Kjo përkundër faktit që dihet se sa e pafuqishme Policia e Kosovës u tregua në vitin 2011 për të shtrirë autoritetin e saj në veri të vendit. Ndërsa, gjendja në veri te vendit edhe më tutje mbetet pothuajse e njëjtë ndërkohë që nevoja për vendosje të autoriteti qendror shtetëror në pjesën veriore mbetet po aq e madhe. Një nevojë e tillë për reagim u paraqit sidomos pas vendosjes së murit në pjesën veriore të lumit Ibër. Megjithatë përkundër rezolutës së fundit të Kuvendit të Kosovës ku kërkohet heqja e këtij muri nëse është nevoja edhe me forcë, strukturat paralele atje janë të vetëdijshme për kapacitetet luftarake që PK ka. Andaj, rreziku që PK të detyrohet të tërhiqet pa arritur synimet e saj është e madhe që njëkohësisht nënkupton që edhe mundësia e turpërimit të shtetit të Kosovës për herë të dytë është po aq e madhe.
Kështu, ndonëse hezitimi i Qeverisë së Kosovës për të investuar në infrastrukturën e tanishme të sektorit të sigurisë apo edhe për ta kompletuar infrastrukturën e nevojshme ligjore për themelimin e sektorit mbrojtës të saj në planin afat-shkurtër, paraqet veprim me kosto më të ulët buxhetore dhe implikime më të vogla politike, në planin afatmesëm dhe afatgjatë një veprim i tillë gjithsesi se përbën një lojë tejet të rrezikshme për të ardhmen e vendit. Andaj veprimet e tilla të Qeverisë së Kosovës, në radhë të parë po u pamundësojnë institucioneve vendore që më në fund të arrijnë të shtrijnë rendin dhe ligjin në gjithë territorin e Kosovës. Ato po ashtu po i pamundësojnë Kosovës që sadopak të jetë pjesëmarrëse në zhvillimet e tanishme rajonale sa i përket sektorit të mbrojtjes përfshirë këtu edhe në partneritete dhe orientime të ndryshme strategjike, dhe pse jo, edhe në garën e tanishme me armatim e cila është duke ndodhur në rajon.
Për fund, vlen të theksohet se kohëve të fundit jemi dëshmitar të zhvillimeve dhe ri-formatimeve të shumta të ndodhura në arenën globale. Shumë nga këto ndryshime rrezikojnë të kenë impakt edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën. Këtu vlen të përmenden: ekspozimi tashmë i mungesës së unitetit në vendimmarrje tek shtetet anëtare të NATO-s sa i përket çështjeve të ndryshme (përfshirë Kosovën, Ukrainën, Rusinë, etj.); referendumi për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian; fitorja e zgjedhjeve presidenciale në SHBA nga kandidati Donald Trump; apo edhe rikthimi në skenë politike të shumë shteteve perëndimore (të cilat deri më tani kanë qenë mbështetëse të shtetit të Kosovës) i partive të ekstremit të djathtë të cilat jo-domosdo në të kaluarën kanë shprehur qëndrim mbështetës karshi kauzave të popullit të Kosovës.
Kështu, si përfundim i gjithë kësaj, mund të thuhet se lërja në plan të dytë e fuqizimit të sektorit të sigurisë si dhe ngecja e Kosovës në mos-formësimin e strukturave të saj mbrojtëse duke lënë mbrapa atë në garat rajonale, paraqet rrezik real për të ardhmen e shtetit të Kosovës. E kjo duhet të shërbejë si thirrje e fundit për fillimin e investimeve serioze në sektorin e sigurisë duke përfshirë këtu edhe kompletimin sa më parë të infrastrukturës ligjore në sektorin mbrojtës si dhe duke përgatitur kështu Kosovën për sfidat e së ardhmes.