Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gjenerata në pritje

Ilustrimi nga Big Eye.

“Ti je avokate a? Shumë e re bre!” – Kjo është pyetja dhe komenti i parë që unë e has gati çdo ditë, sa herë që prezantohem në çdo institucion gjyqësor.

Përderisa shumica hutohen që një vajzë si unë, në moshë aq të re ushtron profesionin e avokates, 79 % e avokatëve, 61% e prokurorëve dhe 54% e gjyqtarëve janë mbi moshën 50 vjeçare.

Ky fakt u paraqit si problem serioz në studimin e Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetëtore (NCSC), në të cilën u shpalosën edhe gjetje të tjera. Studimi me titullin “Të dëgjohet zëri yt – Gjetja e mundësive për të Rinjtë dhe Femrat në Gjyqësor dhe në Profesionin Ligjor në Kosovë”, përveç problemit të plakjes së fuqisë punëtore ligjore, gjithashtu, shpalosi edhe problemin e pjesëmarrjes së femrave dhe të rinjve në profesionet ligjore.  Kështu, sipas këtij studimi, pavarësisht përmirësimeve në vitet e fundit si rezultat i përpjekeve për tërheqjen e femrave drejt fuqisë punëtore ligjore, femrat mbeten të nën-përfaqësuara në të gjitha profesionet e sektorit të drejtësisë. Më pak se 13% e anëtarëve të sotëm të Odës së Avokatëve të Kosovës janë femra, me shumicën që veprojnë në zonat urbane, kryesisht në Prishtinë. Ndërkaq në gjyqësor femrat përbëjnë 29% të gjyqtarëve, ndërsa në prokurori 36% të prokurorëve.

Rinia është ngjashëm e nën përfaqësuar në profesionin gjyqësor dhe prokurorial me vetëm 9% të gjyqtarëve dhe 4% prokurorëve nën moshën 35 vjeçare, ndërkaq vetëm 2% e anëtarëve të Odës së Avokatëve janë nën moshën 30 vjeçare – e në këtë 2% bëj pjesë edhe unë.

Në pyetjen time të shpeshtë drejtuar njerëzve që hutohen nga mosha ime e re si avokate –  se si duket një avokat, gjyqtar ose prokuror – ata ose ato gjithmonë më përgjigjen: “burrë, i vjetër dhe shumë serioz.” Pastaj në ndërkohë thonë, “ndoshta kështu nuk asht, por na jemi mësu me i pa të tillë, sepse shumica janë burra, të vjetër dhe shumë serioz.”

Një grua, e re dhe që buzëqesh shpeshherë, a mund të konsiderohet e denjë për avokate, gjyqtare ose prokurore? Ose një i ri, nën moshën 30 vjeçare, i cilësdo gjini, a mund të konsiderohet i denjë për avokat, gjyqtar ose prokuror?

Që nga paslufta e deri më sot, sistemi gjyqësor i Kosovës është përballur me probleme të shumta — duke filluar me mungesën e kushteve elementare për punë, mungesës së sigurisë, numrit të madh të lëndëve e deri tek numri i vogël i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Tani, del në sipërfaqe edhe problemi i plakjes së kuadrove ekzistuese, kuadro këto që shpejt duhet  të zëvendësohen me të rinj.

Momentalisht, rinia përbën 56% të fuqisë punëtore në Kosovë. Çdo vit në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës regjistrohen mesatarisht rreth 1000 studentë të rinj, prej të cilëve gjysma janë femra. Por këto kuadro shpeshherë konsiderohen se nuk janë të përgatitura mjaftueshëm për të hyrë në tregun e punës — edhe pse tashmë kanë një diplomë.

Sot kur Kosovës më shumë se kurrë i duhen gjyqtarë, prokurorë e avokatë të rinj, ne ende vazhdojmë të lëngojmë për një sistem arsimor më cilësor. Kjo ngase, në fakultetet juridike -qofshin ato shtetërore ose private – studentët kryesisht hasin në studime tërësisht teorike; ata rrallë herë përballen me raste praktike, me të cilat do të ballafaqohen në të ardhmen në rast se ushtrojnë ndonjërin nga profesionet ligjore. Kështu, një sistem i tillë krijon njerëz aspak fleksibil dhe jo të gatshëm të zgjidhin probleme të caktuara ligjore, të cilat shpeshherë dinë të jenë mjaft komplekse.

Nëse sot në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës regjistrohen përafërisht 1000 student të rinj, mesatarisht 20 prej tyre do të jenë student të shkëlqyer. Ata duhet të dallohen nga student të tjerë, të mbështeten më shumë nga mentorët e tyre si dhe të motivohen që dijen e tyre ta vënë në funksion të institucioneve gjyqësore, siç janë gjykata e prokuroria. Kjo për shkak se sistemi ynë gjyqësor përveç kuantitetit, më së shumti ka nevojë për kualitet.

Në universitetet shtetërore e poashtu edhe në institucionet e arsimit privat, studiojnë gjyqtarët, prokurorët e avokatët e ardhshëm. Cilësia në studim dhe nxjerrja e kuadrove cilësore, momentalisht duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të shoqërisë sonë. Sot më shumë se kurrë shoqërisë e sistemit gjyqësor të Kosovës i duhen njerëz të rinj të cilat janë të përgatitur, të paanshëm dhe të gatshëm për të ndërtuar një sistem tjetër nga ai i sotmi; një sistem të vlerave të mirëfillta, ku nderi dhe drejtësia janë tipare të çdo personi i cili ushtron profesionin ligjor.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.