Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gratë punëtore në Kosovë përballen me informalitetin

Illustration: Big Eye

Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun e punës, karakterizuar me një shkallë të lartë të papunësisë dhe pabarazi në politikat dhe praktikat e punës. Një nga pengesat kryesore në përparimin ekonomik të Kosovës konsiderohet të jetë mbizotërimi i ekonomisë joformale.

Gratë dominojnë në punësimin informal në nivel global. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), në nivel global, rreth 61.2% e atyre qe janë të angazhuar në punësim informal janë gra.

Në Kosovë, ndonëse nuk ka shifra zyrtare, raportet e organizatave qeveritare kanë theksuar ndër vite shkallën e lartë të punësimit informal tek gratë. Një raport nga BE-ja  vlerësoi tregun joformal dhe të paligjshëm në 32 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në vendet ku ekziston një shkallë kaq e lartë e ekonomisë joformale, shifrat e punësimit informal janë poashtu shumë të larta. Informaliteti është një fenomen global mjaft i përhapur, i cili është bërë tipar sidomos i shteteve në zhvillim. Punësimi informal i referohet punës që nuk njihet zyrtarisht dhe nuk rregullohet apo mbrohet ligjërisht nga shteti.

Politikat e dobëta në vendet në zhvillim kanë çuar në sfida të shumta, duke përfshirë hendekun gjinor, rritjen e sektorit informal dhe punësimin e pambrojtur. Gratë, të rinjtë dhe emigrantët janë veçanërisht të cënueshëm ndaj këtyre shkeljeve.

Numri i grave të cilat janë të punësuara në sektorin privat por nuk kanë kontrata pune është shqetësues. Sipas një raporti të publikuar nga Riinvest në vitin 2017, një në tri gra të cilat punojnë në sektorin privat nuk kanë kontratë pune.

“Problemi i të punuarit pa kontratë në sektorin privat përkeqësohet më shumë për gratë të cilat janë duke punuar punën e tyre të parë. Nga këto gra, 32 përqind janë duke punuar pa kontratë, krahasuar me 25 përqind të grave të cilat kanë një përvojë pune”, thuhet në raport.

Mungesa e kontratës së punës paraqet një prej shkeljeve kryesore të të drejtave të punëtorëve. Përveç që këto punonjëse nuk janë të mbrojtura nga ligji, ato janë të ekspozuara ndaj rreziqeve që lidhen me kushtet e punës, përfshirë pagat e ulëta, oraret e gjata të punës, përjashtimin nga puna pa paralajmërim, ngacmimet dhe sulmet seksuale, mos respektimin e pushimit vjetor dhe atij lehonisë, e kështu me radhë.

Informaliteti në kompensim është forma më e shpeshtë e informalitetit që besohet të jetë e pranishme në treg. Sipas një raporti të publikuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet “një përqindje lartë e të anketuarve (57.5%) raportojnë se e paguajnë stafin e tyre plotësisht me para të gatshme. 15% gjithashtu raportojnë se e paguajnë stafin e tyre të paktën pjesërisht me para të gatshme, ndërsa vetëm 27.5% e kompanive në mostër raportojnë se paguajnë pagat e plota të stafit të tyre përmes transfereve bankare.”

Këtë e thekson edhe raporti i fundit i Departamentit të Shtetit ku thuhet se “Punëdhënësit e sektorit privat shpesh bëjnë një praktikë të mos sigurojnë kontrata për punonjësit e tyre dhe t’i paguajnë ata me para në dorë”.

Në Kosovë, një numër i konsiderueshëm i vajzave dhe grave janë të punësuara në sektorin e shitjes në dyqane dhe markete. Të shpeshta kanë qenë raportimet e mediave lidhur me shkeljet e të drejtave të këtyre punëtoreve në vendet e punës. Ndonëse nga frika e përjashtimit nga puna, ato hezitojnë të raportojnë shkeljet në Inspektoratin e Punës, në deklarata anonime për media ato kanë treguar sfidat dhe diskriminimin me të cilat përballen.

Një formë tjetër e punës jo formale që bëjnë gratë në Kosovë lidhet me punët e kujdesit dhe mirëmbajtjes. Gratë të cilat janë të papuna, shpesh të shtyera nga varfëria ekstreme, ofrojnë shërbime të përkujdesjes për fëmijët, të moshuarit dhe mirëmbajtjes së shtëpive. Ato zakonisht nuk kanë kontrata pune dhe të shpeshta janë rastet e keqpërdorimit dhe shkeljeve me të cilat ballafaqohen.

Në një hulumtim të Preportr-it për këtë kategori të punësimit, gratë e intervistuara e kanë pranuar se asnjëherë nuk janë ankuar në asnjë institucion, qoftë për kushtet e punës, mungesën e kontratës, apo largimin nga puna, sepse nuk kanë mundur ta dëshmojnë që kanë pasur një vend punë në aspektin zyrtar. “Disa nga arsyet pse nuk janë ankuar kanë qenë: zgjatja e procedurave nga institucionet shtetërore, kanosja ose kërcënimi me largim nga vendi i punës, si dhe mungesa e dëshmive lidhur me rastet e problemeve në vendin e punës”, thuhet në këtë hulumtim.

Shkalla e lartë e papunësisë tek gratë në Kosovë, niveli i ulët i shkollimit, mungesa e përvojës, diskriminimi në tregun e punës, angazhimi me punët e papaguara në shtëpi si rrjedhojë nevoja për orar fleksibil të punës, janë vetëm disa nga arsyet që i bëjnë gratë të jenë më të ekspozuara ndaj punësimit joformal.

Për të adresuar këto sfida, është thelbësore që shteti të krijojë politika dhe masa të mëtejshme që promovojnë sigurinë në punë dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në vendet e punës. Në këtë drejtim është jetik roli i Inspektoratit të Punës, i cili ka obligim mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve për të siguruar respektimin e tyre në praktikë. Shteti duhet të ofrojë mbështetje dhe trajnime për gratë në mënyrë që ato të kenë mundësi për t’u përmirësuar profesionalisht dhe të jenë më të përgatitura për tregun e punës. Nëpërmjet këtyre hapa të koordinuar, mund të sigurohet një mjedis i punës më i drejtë dhe më i sigurt për gratë punëtore në Kosovë.

*Autorja është angazhuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore për shkrimin e këtij artikulli në mbështetje të Ambasadës së Holandës në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është vetëm përgjegjësi e autores dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin zyrtar të Mbretërisë së Holandës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.