Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gratë si ndërmarrëse

Pjesëmarrja e lartë e grave në tregun e punës, qoftë si punëtore apo si ndërmarrëse, është parakusht për zhvillimin ekonomik të një vendi. Më shumë gra të punësuara nënkupton, mes të tjerash, përmirësim të mirëqenies familjare, ulje të varfërisë si dhe ngritje më të lartë të nivelit të edukimit. Ndonëse gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë së Kosovës, angazhimi i tyre në veprimtari ekonomike mbetet i ulët në krahasim me burrat. Me vetëm 11.42%, Kosova përballet me një nga normat më të ulëta të grave ndërmarrëse; ndonëse ka një përmirësim evident përgjatë viteve të fundit, kur krahasohet me nivelin global (37%), kjo normë mbetet ende e ulët. Si motivues kryesorë që nxisin gratë drejt hapjes së biznesit mbeten sigurimi i një mirëqenieje më të mirë si dhe potenciali për fitime financiare.

Ndërmarrjet në pronësi të grave në Kosovë janë kryesisht të fokusuara në sektorin e shërbimeve, tregtisë me pakicë dhe shumicë, përpunimit të ushqimit, etj. Në përgjithësi, ndërmarrjet e grave janë mikro dhe të vogla, dhe shumë pak nga to janë biznese me vlerë të shtuar apo potencial të rritjes. Për nga forma e regjistrimit, ndërmarrjet e grave janë kryesisht biznese individuale (78.6%), shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (20.4%), ortakëri (0.51%) dhe të tjera (0.49%). Një strukturë e tillë e bizneseve në pronësi të grave mund edhe të ketë ndikuar që gratë ndërmarrëse të ballafaqohen me barriera të ndryshme, qoftë të jashtme apo të brendshme, si obligimet familjare, kombinuar me mungesën e qasjes në burime të financimit. Ndonëse gratë ndërmarrëse normën e kthimit të kredisë e kanë më të lartë sesa burrat, ato përsëri refuzohen nga bankat.

Kjo kryesisht për shkak të mungesës së kolateralit, një barrierë shtesë kjo me të cilën ballafaqohen gratë – mungesa e pronës dhe pasurisë private. Të dhënat tregojnë se vetëm 21% e grave ndërmarrëse kanë në pronësi lokalet afariste ku ato operojnë, ndërkaq vetëm 12% e tyre kanë marrë kredi në institucionet financiare për qëllime të investimeve (Riinvest, 2017). Bazuar në hulumtimin e Institutit Riinvest (2017), disa nga barrierat më të shpeshta me të cilat ballafaqohen gratë janë: (i) barrierat fiskale, të cilat përfshijnë normat e taksave, efikasitetin e administratës tatimore; (ii) barriera e tregut, p.sh. tregu i vogël për plasimin e produkteve; si dhe (iii) barrierat financiare e pronësore, mosposedimi i pronës së paluajtshme.

Gjithashtu, mungesa e aftësive menaxheriale theksohet si një tjetër barrierë e listuar nga gratë ndërmarrëse; kjo si pasojë e mungesës së njohurive dhe trajnimeve të duhura. Në shoqëritë e vendeve në zhvillim si Kosova, ekzistojnë paragjykime për gratë lidhur me aftësitë e tyre menaxhuese, duke mos marrë parasysh faktin që ato një pjesë të kohës e shpenzojnë për kujdesin ndaj familjes.

Ligji i punës po ashtu mbetet një pengesë shumë e madhe, sidomos rregullimi i dispozitave të pushimit të  lehonisë. Balancimi i punës dhe jetës është i pamundur pa ndërlidhje të politikave publike. Duke e pasur parasysh se për nga natyra gratë ndërmarrëse punësojnë më shumë gra, ato po ballafaqohen me vështirësi sa i përket pagesës së pushimit të lehonisë. Një situatë e tillë mund të ndryshohet nëse kjo barrë ndahet në një mënyrë më të ekuilibruar midis sektorit publik, sektorit privat dhe familjeve.

Zhvillimi i ngadalshëm ekonomik me një mjedis jo të favorshëm dhe mungesa e një angazhimi sistematik nga qeveritë ka bërë që shumë nga barrierat të cilat prekin kryesisht gratë ndërmarrëse të mbesin të paadresuara. Derisa gratë ndërmarrëse konsiderohen kontribuuese të rëndësishme në ekonomi, shumë prej tyre punojnë ose janë të përfshira në sektorin joformal, prandaj edhe kontributi i tyre i vërtetë mbetet i paevidentuar. Sidoqoftë, kjo situatë ka ndryshuar shumë përgjatë vitit të fundit, pasi gratë ndërmarrëse kanë filluar t’i regjistrojnë kompanitë e tyre për shkak të ndihmave të dhëna nga pakoja emergjente dhe pakoja e rimëkëmbjes për lehtësimin e gjendjes se shkaktuar nga situata pandemike në vitin 2020. Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2020, nga 6000 biznese të reja të regjistruara në ARBK, 21% e tyre kanë qenë të regjistruara nga gratë ku pothuajse të gjitha janë mikro-ndërmarrje.

Për ta përmirësuar pozitën e grave në ekonomi fillimisht duhet të rritet vetëdijesimi i grave për pjesëmarrjen e tyre në tregun formal. Andaj, nevojitet avokim i vazhdueshëm për përmirësimin e politikave që kanë të bëjnë me pozitën e grave në ekonomi. Një gjë e tillë rekomandohet të bëhet përmes platformave të ndryshme që kanë për synim fuqizimin ekonomik të gruas, siç është Forumi Ekonomik i Grave.

Më tutje rekomandohet që Qeveria  ta vazhdojë përkrahjen e grave ndërmarrëse përmes granteve qeveritare si dhe të bëhet përmirësimi i kornizës ligjore dhe rregullative, me fokus në dispozitat e Ligjit të punës. Po ashtu, është tejet i nevojshëm një avokim më i madh rreth së drejtës pronësore për gratë, në mënyrë që ato të mund të kenë mundësi më të lehta për qasje në financa. Përmes qasjes më të lehtë për të marrë kredi, bizneset e udhëhequra nga gratë do të mund të kenë rritje të prodhimit/shërbimeve, përmirësim të cilësisë, si dhe rritje të vendeve të punës. Gjithashtu, duhet të punohet në standardizimin e produkteve, të cilat janë kusht për tregun vendor dhe atë rajonal. Është esenciale të punohet edhe në rrjetëzimin e ndërmarrjeve dhe bashkëpunimin mes tyre, gjë që do të ndikonte në rritjen e mirëbesimit në mes ndërmarrëseve.

Për më tepër, është me interes të lartë që të organizohen trajnime për riaktivizimin e shkathtësive të grave të moshës së mesme, të cilat konsiderohen me potencial të lartë pune. Ngritja e shkathtësive, qofshin ato udhëheqëse, menaxheriale, organizative,  të marketingut, të shitjeve online etj., ndihmon gratë të depërtojnë në botën e biznesit dhe rrjedhimisht të rrisin pjesëmarrjen e tyre në ekonomi.

Ky editorial është pjesë e projektit “Mbështetje në zbatimin e Agjendës Kombëtare për Fuqizimin e Grave përmes përpjekjeve të avokimit”, i implementuar nga Instituti Riinvest dhe i mbështetur nga Projekti Human Rightivism, i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim e Zhvillim (SIDA) dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF).

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.