Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ikarosi

ii

Në fillim të veprës, por në fund të jetës, heroi heq rrobat dhe nga një shkrepë mali hidhet i lirë nga ky nuk do të ngritet më kurrë. Kështu humnera bëhet bujtina e tij e përjetshme. Mbase, kur njeriu jeton pranë humnerës, rriten gjasat që të bie në të. Ky është fillimi i novelës Zazen* mbi fatin e njeriut që vendos t’i japë fund dilemave, me të cilat është i mbushur rrëfimi. Në këtë novelë, nëpërmes katër shkaqeve të para: Ajrit, Ujit, Tokës dhe Zjarrit, paraqitet edhe vetë jeta e Zen Zabelit. Zeni është kritik, është dashnor, është kundër besimit, është pro kënaqësisë, është argumentues, nuk është dogmatik, është i guximshëm, është artist, antimoralist, shumë vetmitar, prandaj antinacionalist, shumë ironik edhe më shumë cinik… pak është edhe i çmendur, është madje edhe student i filozofisë.

Nëpërmes defilimit të personazheve të ndryshëm në këtë novelë, na paraqitet aktualiteti i shoqërisë kosovare, por njëkohësisht edhe çarjet e thella përbrenda kësaj shoqërie. Përgjatë gjithë rrugëtimit të tij, Zeni është përherë konsistent. Grindavec i përbetuar (me argumente), i pakompromis në debate. Ai nuk i përshtatet konvencionit, turma e irriton. Bota e tij nuk është botë edhe për të tjerët, sikurse bota e të tjerëve nuk e tërheq aspak. Është ‘vrasës serik’ i demagogëve. Proklamatat moraliste ia ngjallin mornicat, sepse ai mendon se alfa dhe omega e një ‘shoqërie incestuale’ është ngrehinë e madhe imorale.

Si student filozofie që është, Zeni është antiskolastik, antiakademik. Ai mendon se shkolla te ne është e ngritur mbi gënjeshtra dhe se shumica e mësuesve janë injorantë. Familja për të është kurthi i parë që neve na ndodh dhe që pastaj na ndjek përherë. Fenë e identifikon si rrugën më të shkurtër për t’i ikur realitetit, por si më të gjatën për t’u kthyer tek njohja. Pra, ai mendon se në një shoqëri ku lulëzon feja, injoranca është në suficit. Po ashtu nacionalizmi për të është vetëm një nga levat për të kapur pak pushtet.

Të gjitha ato dilema që hasen brenda shoqërisë sonë, Zeni i trajton nën dioptrinë e mendimtarëve dhe shkrimtarëve, si: Platoni, Aristoteli, Kanti, Shakespeare, Schopenhauer, Goethe, Nietzsche, Borges, Barthes e shumë të tjerë. Pra, Zeni është vetmitar në jetën e përditshme, por bashkëmendimtar në reflektimet e tij. Ai të vërtetën nuk e kërkon vetëm në një libër, sepse nuk beson në asnjë të vërtetë dhe as në një libër të tillë. Dashuria e tij për dije është etja e tij më e madhe, por që paradoksalisht kjo dashuri Zenin do ta zhvendosë në margjina të një shoqërie që përpara çdo gjëje në këtë jetë e vendos zotin. Irritimi i skajshëm që i shkakton një budallallëk i tillë Zenin e hedh në pozicione ekzistenciale. Humbja e shpresës se një ditë do të mund të ketë një punë pasi t’i përfundojë studimet, e shpërfaq lakuriq dilemën që ka pothuajse secili që merr mundin për të studiuar.

Pra, siç u tha në fillim, novela Zazen është e shkruar në atë mënyrë që fillon atëherë kur përfundon, sepse dilemat që trajtohen aty vërtet janë problematike për shoqërinë tonë. Kjo novelë provon që te lexuesi të shkaktojë një lloj katarze. Më shumë sesa të na i hapë sytë karshi problemeve reale, novela Zazen me rreptësinë e saj insiston të na i zhbirojë veshët dhe të na e rritë vigjilencën. Zeni i Zazen-it nuk është ‘ne’, por është njëri nga ne, ndërsa novela nuk është një manifest për zgjidhjen e problemeve që kemi. Më shumë sesa një novelë, Zazen është një kritikë dhe një debatim rreth këtyre problemeve që na mundojnë edhe sot e kësaj dite.

 

____________________
* Ikaros (Iκαρος), në mitologjinë greke njihet si fluturuesi i parë. Ai u hodh në një germinë me bindjen se mund të fluturonte.

* Zazen është novelë e shkrimtarit kosovar Ag Apolloni, e botuar më 2014, në Prishtinë, nga Shtëpia Botuese OM.

Foto: Joshua Earle

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.