Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Iluzionet e qeverisë për ndalimin e lajmeve të rreme

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka iluzione se ka gjetur zgjidhjen për të ndaluar shpërndarjen e lajmeve të rreme online, për çka demokracitë perëndimore debatojnë me vite.

Ministria e Punëve të Brendshme (MBP) më 22 dhjetor 2017 nxori për konsultim publik draftin e Koncept-Dokumentit për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik, me të cilin propozon zgjidhje për lajmet e rreme. Konsultimi është mbyllur më 18 janar 2018.

Lajmet e rreme janë temë aktuale e rregullimit edhe në demokracitë e zhvilluara, ku ende nuk janë gjetur modele të cilat nuk do të cenonin lirinë e shprehjes.

Sipas dokumentit të ndarë me shoqërinë civile, qeveria propozon që lajmet e rreme të konsiderohen si krime kibernetike dhe të rregullohen me nenin e Kodit Penal që rregullon gjuhën e urrejtjes. Ajo propozon të ndryshohet edhe neni ekzistues për t’ia shtuar fjalën “internet”.

Guximi për të dhënë kaq lehtësisht propozime për çështje për të cilat deliberohet me vite, dëshmon ose mungesën e informacioneve të zyrtarëve të qeverisë, ose nisma është tentativë për të censuruar lirinë e shprehjes online.

MBP-ja nuk ka propozuar fare definicion për lajmet e rreme, nuk e arsyeton nevojën për të rregulluar këtë çështje, nuk ofron hulumtim ligjor të bazuar në normat ndërkombëtare.

Analiza ligjore e MBP-së do të duhej të trajtonte më së paku: metodat raportuese të përmbajtjes së ndaluar, përgjegjësinë e mediave dhe ndërmjetësve (mediave sociale dhe ofruesve të shërbimeve të internetit), rolin e trupave rregullues dhe vetë-rregullues të mediave, të policisë, prokurorisë dhe të gjykatave, si dhe sanksionet e paraprara në rast të shpërndarjes së përmbajtjes së ndaluar. Të gjitha këto aspekte duhet të trajtohen nga përspektiva e së drejtës së lirisë së shprehjes si një ndër kushtet themelore të demokracisë.

Nëse kalon ky propozim, do të ri-kriminalizohet shpifja dhe intepretimi i gabuar i tij mund të çojë gazetarët dhe njerëzit tjerë të pafajshëm në burg.

Gjithashtu, qeveria nuk ka nevojë ta ndryshojë nenin që rregullon gjuhën e urrejtjes vetëm për shkak se në definicion mungon fjala “internet”. Neni 147 i Kodit Penal parasheh që “kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje…”, dhe fjala kushdo përfshin përhapjen e gjuhës së urrejtjes në televizion, radio, gazeta, internet dhe në forma të tjera. Neni mund të ndryshohet vetëm nëse ministria ofron arsyetim bindës rreth përmbajtjes së nenit në tërësi.

Lajmet e rreme, sipas një definicioni tejet të thjeshtëzuar janë informata të fabrikuara qëllimisht dhe të publikuara për përfitim politik ose financiar. Ato kanë ekzituar gjithmonë, por tani platformat online mundësojnë shpërndarjen e shpejtë të tyre. Dyshohet që lajmet e rreme i kanë ndihmuar zgjedhjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian (Brexit-it).

Gjatë viteve të fundit janë organizuar qindra diskutime për lajmet e rreme në nivel shtetëror, europian dhe global. Por, ato nuk kanë rezultuar në hapa konkretë legjislativë për shkak të frikës se mund të cenojnë lirinë e shprehjes. Përjashtimisht, Gjermania ka nxjerrë ligj me të cilin tenton të rregullojë shpërndarjen e përmbajtjes së paligjshme në mediat sociale për të cilin është kritikuar ashpër nga shoqëria civile.

MPB-ja, pasi ta tërheqë propozimin, duhet të bëhet pjesë e diskutimeve aktuale në këtë fushë, të përfshijë sidomos pronarët e mediave online në çfarëdo ideje për të rregulluar shpërndarjen e informacioneve online dhe duhet të mos prodhojë vetë lajme të rreme – si kjo “zgjidhje”.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.