Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Investimet e reja, problemet e vjetra

“Investimet e huaja direkte, investimet e huaja direkte, investimet e huaja direkte (IHD)”.

IHD-të janë mbase ‘ilaçi’ që rekomandohet më së shpeshti për ekonominë e Kosovës, sidomos kur bëhet fjalë për rritjen e punësimit. Përveç faktit se nuk do të mund të luajnë rol parësor, por vetëm suplementar në zhvillimin e një vendi, megjithatë dy vrojtime rreth tyre mbesin tejet të rëndësishme.

1. Nëse e shohim totalin vjetor të tyre në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit, periudhë për të cilën ka të dhëna të publikuara nga Banka Qendore e Kosovës (BQK), ato nuk kanë shënuar ndonjë rritje vjetore të madhe. Me përjashtim të vitit 2022, më të larta kanë qenë IHD-të në vitin 2007, pra para Pavarësisë, se në cilindo vit tjetër më pas.

2. Sektorët në të cilët investohet nuk janë sektorë me potencial për të krijuar vende të reja pune dhe për të ndikuar ndjeshëm pozitivisht në ekonominë reale. Në periudhën 2007-2022, IHD-të kanë qenë rreth 5.36 miliardë euro. Sektori që ka përfituar më së shumti është ai i patundshmërive, me rreth 40% të këtyre investimeve. Ndërkohë që, sipas të dhënave nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), për vitin 2021 dhe 2022, ky sektor ka punësuar vetëm rreth 0.2% të të gjithë të punësuarve në Kosovë.

Më pas vjen ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me rreth 14% dhe ndërtimtaria me rreth 8% të IHD-ve gjatë kësaj periudhe Sektori i prodhimit, ku mbase nevoja për këto investime është më e madhja, renditet i katërti me rreth 7%.

Mirëpo, viti 2022 përbën një ndryshim tek ajo që u theksua në vrojtimin e parë. Sipas BQK-së, IHD-të në Kosovë janë rritur nga rreth 421 milionë euro në 2021 në rreth 772 milionë euro në vitin 2022. Kjo është një rritje nominale prej rreth 351 milionë euro, apo rreth 84%. Si rritje agregate, kjo tingëllon spektakolare. Por jo edhe aq nëse i vëmë në pah tre fakte.

Së pari, rreth 84% ishte rritja nominale por e dimë se në vitin 2022 Kosova pati normën më të lartë të inflacionit që nga paslufta. Nëse e largojmë efektin e inflacionit, atëherë rritja reale del të jetë rreth 219 milionë euro apo rreth 57% – që sërish është mjaft mirë por vetëm sa rreth 2/3-at e rritjes nominale.

Së dyti, përbërja e sektorëve ku janë bërë investimet nuk ka ndryshuar. Sektori që ka përfituar më së shumti është ai i patundshmërive, në të cilën kanë shkuar rreth 68% e këtyre investimeve. Më pas vjen ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, dhe ai i xehetarisë dhe gurorëve me nga 7% secili. Ndërsa në sektorin e prodhimit dhe atë të informaconit dhe komunikimit, të cilët mbase janë sektorë që do t’duhej të kishim më së shumti IHD, kanë shkuar nga vetëm 2% e IHD-ve gjatë 2022. Pra, edhe në vitin 2022, përbërja e IHD-ve e ka patur strukturën e ngjashme me periudhën paraprake.

Së treti, rritja në total e investimeve është më pak e rëndësishme sesa rritja në sektorë të caktuar. Kjo sepse, siç e pamë edhe nga e kaluara edhe nga viti 2022, IHD-të nuk kanë shkuar në sektorë me potencial të madh për të krijuar vende të reja pune dhe për të ndikuar njëmend në ekonominë reale.

Qasja sektoriale e shpjegon më së miri (mos)ndryshimin e 2022-ës

Për ta kuptuar se cilët sektorë e shpjegojnë këtë rritje, mund ta bëjmë një dekompozim të rritjes agregate. Kjo na ndihmon të kuptojmë se a ka ardhur rritja nga ndonjë sektor me potencial për të krijuar vende të reja të punës, apo thjesht ka vazhduar rritja në sektorë të njëjtë si më parë.

Rreth 40% e kësaj rritjeje ka ardhur për shkak të rritjes së investimeve në patundshmëri. Pra, trendi ka vazhduar meqë, siç u shpjegua më lart, ky ka qenë në vazhdimësi sektori me më së shumti IHD. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të diasporës, e cila në vend se t’i mbajë kursimet në bankat evropiane, – ku normat e interesit deri vonë ishin shumë të ulëta (diku edhe negative), – vjen në Kosovë dhe blen banesa, shtëpi, lokale, e troje. Megjithatë, sipas të dhënavë të ATK-së, në vitin 2022, në këtë sektor janë punësuar vetëm 0.2% e totalit të të punësuarve në Kosovë. Pra, ky nuk është sektor me potencial për ta rritur punësimin.

Rreth 21% e kësaj rritjeje është në sektorin e furnizimit me energji elektrike. Mbase kjo rritje ka të bëjë me ndonjë projekt të energjisë së ripërtëritshme e që mund të ketë ndikim pozitiv në të ardhmen. Por gjatë vitit 2022 pati krizë energjetike dhe shtrenjtimi i madh u shmang vetëm përmes subvencionimit të çmimit. Gjithnjë sipas ATK-së, gjatë vitit 2022, vetëm 2% e të punësuarve në Kosovë janë në këtë sektor.

Rreth 15% e kësaj rritjeje ka ardhur për shkak të rritjes së investimeve në sektorin e xehetarisë dhe gurorëve. Këto mund të jenë investime për projekte ekploruese, të cilat mbase pas shumë vitesh mund të rezultojnë në diçka konkrete, por që nuk kanë rezultuar në ndonjë produkt final në vitin që lamë pas.

Ndërsa në sektorët më të rëndësishëm për investime, shifrat nuk janë aspak mbresëlënëse. Investimet në prodhim e shpjegojnë rritjen vetëm rreth 5%. Në informacion dhe komunikim kishte rreth 3.3 milionë euro më pak të investuara. Në bujqësi, pylltari, e peshkatari kishte rreth 400 mijë euro më pak të investuara. Në arsim kishte vetëm rreth 400 mijë euro investime më shumë e në shëndetësi rreth 1.5 milionë euro më pak të investuara.

Pra, IHD-të prej rreth 772 milionë euro në 2022 tingëllojnë bukur kur krahasohen me vitin 2021, por jo edhe kur merret parasysh inflacioni, struktura e investimeve dhe sektorët që kanë kontribuar më së shumti në këtë rritje. Fatkeqësisht, edhe këtë vit vazhduan problemet e vjetra.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.