Zgjedhjet e 14 shkurtit u organizuan dhe u mbajtën në mënyrën më të mirë të mundshme, për këtë meritojnë duartrokitje komisionarët e zgjedhjeve dhe mbi të gjitha stafi i KQZ dhe zonja Valdete Daka si kryesuese. Shpresojmë se edhe procesi i numërimit dhe certifikimi i rezultateve do të kryhen shpejt dhe pa probleme të theksuara.
Ndonëse rezultati i zgjedhjeve ka qenë i pritshëm, megjithatë befasi kanë ndodhur. Të gjithë e kanë pritë që Lëvizja Vetëvendosje do jetë fituese e këtyre zgjedhjeve, por pak kanë pritur një rënie kaq të madhe të LDK-së. Krejt kjo meriton një analizë, mbi të gjitha nga partitë që i humbën këto zgjedhje të cilat duhet të reflektojnë dhe t’i bëjnë reformat e domosdoshme nëse duan të mbeten në skenën politike dhe eventualisht të vijnë në pushtet përsëri. Por në këto momente reformimi i partive opozitare është më pak i rëndësishëm, ndonëse jo krejtësisht i parëndësishëm, por ajo çka meriton vëmendjen tonë tani është qeveria e re dhe veprimet e saj.
Lëvizja Vetëvendosje po vjen në pushtet bazuar në një politikë kryesisht kundërshtuese. Lideri i saj z.Kurti, të cilit i atribuohet rritja dhe fitorja e LVV, ishte kundër Marrëveshjes se Rambujesë në 1999, kundër Pakos së Ahtisarit në bazë të së cilës u shpall Pavarësia e Kosovës, kundër të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë, kundër Zajednicës, kundër shkëmbimit të territorit me Serbinë. Ishte edhe kundër kapjes së shtetit, kundër korrupsionit e keqqeverisjes. Edhe kundër flamurit të Kosovës e kombëtares në futboll, e edhe kundër Gjykatës Speciale. Të gjitha këto i ka thënë vetë Kurti dhe partia e tij, pjesë e së cilës kam qenë edhe unë dikur.
Por të gjitha këto kundërshtime janë pak të rëndësishme tani, kjo tashmë i takon të kaluarës. E shumë e rëndësishme është se çfarë do bëjë nesër Kurti dhe qeveria e udhëhequr nga ai.
Është shumë e rëndësishme çfarë do bëjë Kurti për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin me Serbinë. E dimë se për çfarë qëndron kundër Kurti: kundër Zajednicës dhe shkëmbimit të territoreve. Por nuk e dimë PËR çka është, nuk e dimë si e sheh ai zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Gjatë fushatës nuk e ka përmendur pothuajse fare çështjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka qenë prioritet i tij. Por fushata ka përfunduar, dhe s’ka rëndësi çfarë ka thënë dje, me rëndësi çka do bëjë nesër kur në derë do i trokasin ndërmjetësit nga SHBA dhe BE. E pyetjeve të tyre nuk mund t’u shmanget siç bënte me gazetarët në ato pak debate në media ku ka marrë pjesë. Ndoshta ai pyetjeve edhe i shmanget por konfliktit nuk i shmanget. Serbia është aty dhe do e bllokojë Kosovën si ka bërë deri më tani në çdo përpjekje të saj për integrim në bashkësinë ndërkombëtare.
Kurti dhe partia e tij e kanë kritikuar qeverinë e mëhershme edhe për menaxhimin e pandemisë. Ndonësë nuk është për t’u lavdëruar menaxhimi nga qeveria në ikje, megjithatë nuk ka qenë as më së keqi krahasuar me vendet e rajonit. Por pasojat në ekonomi e cila edhe ashtu është tejet e lodhur, do i ndiejmë edhe më tutje, e shpresoj që të mos thellohen. Kurti gjatë fushatës nuk ka shpalosë ndonjë plan konkret sesi do sanojë pasojat ekonomike të pandemisë, por në qeveri ai nuk do mund t’i shmanget ballafaqimit me këto pasoja. Premtimet që ai i ka thënë për rritje të asistencës sociale, apo shtesave për fëmijë, bashkëpunimi apo dënimi i oligarkëve janë pak të zbatueshme, e akuzat se ai ka thënë këto sërish janë pak me rëndësi; se çfarë do bëjë ai për këto çështje është shumë më me rëndësi.
Kapja e shtetit është togfjalëshi që më së shumti e kemi dëgjuar para dhe gjatë fushatës. Sa herë që është folur për kapjen e shtetit, qoftë shprehimisht apo e nënkuptuar, akuzat janë drejtuar drejt PDK-së së Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Sot këta të dy, bashkë me disa bashkëluftëtarë tjerë, ndodhën prapa grilave në Hagë. Pra, edhe po të duan ata nuk munden më ta mbajnë shtetin e kapur. Çështja tani është nga kush do çkapet shteti dhe në duar të kujt do bjerë? Institucionet e pavarura që është supozuar se kanë qenë të kapuara, ndaj kujt do të pavarësohen, kujt do i japin llogari tani?
Por ashtu, siç është e domosdoshme ndryshimi i mënyrës së qeverisjes, jo vetëm i qeverisë, po aq i rëndësishëm është edhe ndryshimi i mënyrës së bërjes opozitë. Opozita e deritashme e këtyre viteve të fundit, pa marrë parasysh se cilat parti kanë qenë në opozitë, kryesisht ka kundërshtuar dhe kurdo që e ka pasë të mundur ka bllokuar nismat e qeverisë përmes mospjesëmarrjes në votim. Kjo formë e bërjes opozitë mund të vlerësohet se ka sjellë rezultate për Lëvizjen Vetëvendosje në veçanti, por bërja e një opozite të tillë nuk do i ndihmonte opozitës së re. Sepse, siç besoj e kanë të qartë tashmë edhe opozita e re, në politikë rolet mund të ndërrohen shpejt. Prandaj, edhe opozita e tashme duhet të mendojë se çfarë opozite do donte të kishte nesër kur të vijë eventualisht në pushtet. Sepse Kosova vërtet ka nevojë për ndryshim në mënyrën e bërjes politikë, e jo vetëm të ndërrohen rolet.
Të gjitha këto mbeten për t’u parë, edhe mënyra e qeverisjes edhe e bërjes opozitë. Qytetarët e këtij vendi e dëshmuan se nuk janë indiferentë dhe dinë të ndëshkojnë kur t’u vijë radha. Dhe qytetarët nuk vlerësojnë aq shumë ato çfarë thuhen, por ato çfarë bëhen. Ata duan që jeta e tyre në këtë vend të bëhet më e mirë dhe më e sigurt; duan punë e mirëqenie më të mirë; duan shëndetësi e arsim cilësor; duan një të ardhme. Prandaj edhe një herë ka pak rëndësi çfarë keni thënë dje, e ka shumë rëndësi çfarë do bëni nesër!