Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kapërcimi nga politika e konfliktit në politikën e zgjidhjeve

Qytetari nuk është në qendër të vëmendjes së politikës dhe politikëbërjes në Kosovë. Një konstatim i tillë rrjedh nga vëzhgimi disavjeçar i diskursit politik dhe I veprimeve të liderëve të institucioneve dhe partive politike, qoftë në pozitë apo opozitë. Politika e konfliktit është paradigma kryesore e veprimit të tyre brenda institucioneve dhe jashtë tyre. Shpesh, kjo mënyrë e politikëbërjes, merr formën e politikës së personalizimit, ku suksesi individualizohet ndërsa dështimi i faturohet kundërshtarëve politikë të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo duket e pritshme, duke marrë parasysh nivelin jo të duhur të maturisë së demokracisë, si dhe mënyrën jotransparente të funksionimit të partive politike dhe institucioneve publike. Për rrjedhojë, për politikën e konfliktit transparenca dhe llogaridhënia konsiderohen si privilegje dhe jo normë e veprimit.

Politika e konfliktit përveç synimit për delegjitimim të eksponentëve politikë dhe partive të caktuara, po ndikon në uljen e besimit ndaj institucioneve dhe organizimeve shoqërore (shoqërisë civile, shoqatave të profesionistëve, lëvizjeve qytetare etj.) si mjete për arritjen e aspiratave personale apo kolektive. Paradoksalisht, liderët kyçë në pozitë dhe opozitë duket se janë produkte të politikës së tillë dhe mbijetojnë nga politika e konfliktit. Për ta duket se kompromisi politik për çështje programore është fjalë e pistë dhe bëhet vetëm në momentin kur i shërben avancimit të interesave të tyre personale politike apo ekonomike. Këta liderë politikë, shpesh kompromisin politik e kërkojnë mbi rrënojat e kundërshtarëve politikë si konfirmim i nënshtrimit ndaj vullnetit të tyre.

Rezultatet e politikës së konfliktit janë të qarta: mosbesimi ndaj secilit, qoftë brenda partisë apo mes partive. Në vend të komunikimit transparent mes subjekteve politike, instalohet praktika e komunikimeve të fshehta larg syrit të publikut. Këto diskutime janë shpesh të reduktueshme në realizimin e interesave individuale ekonomike dhe politike të pjesëmarrësve dhe, rrallë apo asnjëherë, për të mirën e qytetarëve. Logjika e veprimit të tillë mbizotëron tek koalicionet qeverisëse ku shuhet individualizmi dhe shquhet oportunizmi i personave të emëruar në pozita drejtuese. Andaj, në shërbim të liderëve partiakë gjendet një armatë e tërë njërezish me mungesë ambicie politike dhe guximi qytetar që detyrë parësore kanë vetëm zbatimin e politikës së konfliktit.

Korrupsioni, klientelizmi, krimi i organizuar dhe kapja e shtetit duket se janë veçse përfundime logjike të një sistemi politik pa llogaridhënie dhe të bazuar në konflikt. Në situatë të tillë, dyshimi dhe mosbesimi i qytetarëve vetëm se shtohet, siç shtohet edhe mbështetja e tyre për subjektet politike që kanë qëndrime më radikale. Mbështetja e partive me qëndrime kundër sistemit bëhet përkundër faktit se ato parti nuk ofrojnë alternativa të qartë se mbi cilin model të ri politik dhe institucional do të duhej të funksionojë shoqëria. A do të jetë ai model i bazuar në centralizim të fuqisë politike? Në çfarë forme do të organizohen institucionet, si do të funksionojë transparenca dhe llogaridhënia e tyre e ndërsjellë? Në mungesë të diskutimeve të tilla, politika e konfliktit vetëm se fuqizohet tutje nga polarizimi i diskursit mes akterëve politikë.

Përderisa karvani i politikës së konfliktit vazhdon rrugëtimin e vet, problemet reale të qytetarëve mbeten të paadresuara. Sistemi shëndetësor funksionon pa sigurime shëndetësore, sistem arsimor pa lidhje me veprimtarinë shkencore, aktivitete kulturore pa guxim qytetar, ndërsa pabarazia sociale dhe ekonomike veç rritet. Për rrjedhojë, politika e konfliktit përveç rënimit të besimit dhe urave të bashkëpunimit mes akterëve politikë po ndikon edhe në humbjen e shpresës. Reflektim i kësaj gjendje janë edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, të cilat janë minimale dhe zakonisht lidhen me mbijetesën e tyre ekonomike dhe sociale.

Do të duhen vite, e ndoshta edhe dekada, për ta zëvendësuar sistemin vleror të ndërtuar nga politika e konfliktit. Megjithatë, hapi i parë do të duhej të ishte inicimi i nismave politike që i tejkalojnë  kornizat e politikës aktuale të konfliktit dhe që ofrojnë zgjidhje konkrete që nga çështjet e politikës kombëtare e deri tek mbështetja e nismave për shtim të solidaritetit ndër qytetar. Secili mospajtim mes partive politike do të duhet të shihej si mundësi dhe jo akt për betonizim të qëndrimeve. Politika e konfliktit duhet zëvendësuar me politikën e zgjidhjeve. Partitë politike do të duhej të jenë platforma për ballafaqim të ideve me synimin përfundimtar që alternativa më e arsyeshme dhe e pranueshme politike, sociale dhe ekonomike të arrijë të zbatohet. Vetëm kur politika të bëhet burimi i zgjidhjeve të brengave të qytetarëve do të mund të margjinalizohen eksponentët e politikës së konfliktit. Politika e zgjidhjeve duhet ndërtuar bazuar mbi sfidim dhe ofrim të alternativave, transparencës dhe llogaridhënies, të cilave politika e konfliktit nuk i ofron dot.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.