Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kinemaja si narracion

Unë mendoj se kinemaja, filmat dhe magjia
kanë qenë gjithmonë të lidhura ngushtësisht.
Njerëzit që kanë bërë filma shumë më herët
kanë qenë magjistarë.

Francis Ford Coppola

 

Zakonisht ne jemi mësuar që historinë ta shohim si narratore të ngjarjeve të ndryshme. Çdo fakt, çdo moment apo ngjarje ia kemi besuar për interpretim historisë. Edhe përkundër asaj se shpesh jeni ndierë të indinjuar nga ajo se çfarë na ka ofruar historia, në njëfarë forme prapëseprapë kemi heshtur para autoritetit të saj. Mbase duke pasur këtë primat të interpretimit të ngjarjeve, historia filloi të krijojë metarrëfime. Këto metanarracione u bënë, siç thotë Lyotard-i, burim i një bote të futur në kaos. Jo më kot Joyce-i thotë se: “Historia është një makth nga i cili dua të zgjohem”. Ky mosbesim në këto metanarrativa filloi të krijojë rrëfime të veçanta (partikulare). Mirëpo, duhet ta kemi të qartë se ‘narracioni’, siç jemi mësuar ta marrim si të mirëqenë, nuk i përket vetëm historisë. Narracion kemi edhe në fushat e tjera. Në një intervistë ekskluzive për revistën SYMBOL (revistë kulturore, të cilën e nxjerr shtëpia botuese OM, në Prishtinë), teoricenia dhe narratologia Mieke Bal thotë: “Narrativa në vetvete, si një modë kulturore, është medium i pavarur. Në çdo medium ajo merr forma të ndryshme, sepse e ngulit vetën në medium”. Pra, nga kjo vërehet se narratologjia si formë është pjesë edhe e fushave të tjera, jo vetëm pjesë e historisë. Pra, siç vërejmë, narracioni është edhe pjesë inherente e kinemasë.

Prandaj, ndryshe nga historia që insiston në deskriptimin milimetrik të fakteve dhe të ngjarjeve në përgjithësi, kinemaja insiston jo vetëm në paraqitje, por edhe në kriijimin e ngjarjeve. Pra, në këtë kontekst, kinemaja narrative e bart kuptimin që regjisori ka lirinë për të krijuar linjat e tregimit dhe të ndryshojë faktet historike ashtu si ai i projekton. Kjo liri e të bërit film, ku ngjarjet dhe faktet historike mund edhe të ndryshohen, sepse më nuk paraqesin domosdoshmërinë e interpretimit historiografik, në njëfarë mënyre kinemasë i dha fuqinë interpretative. Ky moment, ku tanimë kinemaja është ajo që flet, u bë efialtes (greqisht – demoni i cili prish gjumin) i historisë.

Se si kinemaja u bë narratorja për interpretimin e ngjarjeve dhe fenomeneve të ndryshme do të mundohemi ta elaborojmë nëpërmes filmit Apocalypse Now të regjisorit Francis Ford Coppola.

Është interesant të theksohet se lufta e Vietnamit nga optika historike është paraqitur si një luftë ku Amerika atje në një formë, mbron interesin strategjik kombëtar të saj. Madje në këtë luftë Amerika mëton ta paraqesë edhe fuqinë e saj ushtarake dhe teknologjike karshi një bote të pazhvilluar e arkaike. Narracioni që prodhohet nëpërmes dimensionit historiografik, pavarësisht defekteve reale, është ekuivalent me dëshirën e saj, kurse dëshira në këtë rast është skizofrenia e kësaj lufte. Epo, pikërisht kjo dëshirë skizofrenike kuptimësohet në filmin Apocalypse Now. Coppola nëpërmes këtij filmi e shpërfaq të vërtetën e kësaj lufte. Siç shprehet edhe Jean Baudrillard: “Coppola nuk bën asgjë tjetër: por teston fuqinë e kinemasë në intervenim, teston impaktin e kinemasë që bëhet një makineri e pamatshme e efekteve sociale”.

Pra, Coppola dimensionet e filmit i paraqet në shpërputhje me dimensionet e luftës reale. Aq i gjerë dhe i thellë është filmi Apocalypse Now, sa që lufta e vërtetë të duket qesharake. Fundi i luftës në fillim të filmit, i paralajmëruar nga grupi The Doors me këngën e tyre The end, në fakt është fillimi i Apocalypse Now. Kjo formë e narracionit që Coppola e vendos që në fillim të filmit tregon edhe fuqinë e kinemasë për të prodhuar një narracion të ri. Natyrshmëria e kësaj lufte në këtë film e shpërfaq panatyrshmërinë e luftës në realitet. Me paraqitjen apokaliptike si intro, Coppola nuk pretendon të na paraqesë vetëm tmerret në Vietnam, por edhe ta kuptimësojë imazhin me shenja që fillimi i filmit ta përmbledhë fundin e luftës. Me këtë film, Coppola kinemanë e shnëdrron në narratore reale. Jo si një kinema që deskripton ngjarjet, por si një ngjarje tanimë e prodhuar nga vetë kinemaja. Me Apocalypse Now, pushon lufta, sepse fillon kinemaja.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.