Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kjo lëvizje e vazhdueshme …

Kjo lëvizje e vazhdueshme …

Kishte kohëra kur qytetarët e Kosovës e kishin shumë të vështirë të shkonin në Serbi. Sot, kjo lëvizje është bërë më e lehtë dhe është ndjenjë gëzimi të jesh në gjendje të udhëtosh në Serbi me veturë private.

Marrëveshja për targa, e arritur në vitin 2011 mes Kosovës dhe Serbisë si rezultat i dialogut teknik të Brukselit për përmirësimin e jetës së qytetarëve midis dy vendeve, është e rëndësishme për krijimin e një normalizimi të qëndrueshëm e afatgjatë të marrëdhënieve midis dy palëve.

Mungesa e komunikimit, stereotipet dhe paragjykimet midis serbëve e shqiptarëve mund të njihen si trashëgimi e historisë së gjatë të konflikteve dhe polarizimit midis dy etnive, që arriti kulmin në tragjeditë e viteve 90-ta. Për të mësuar nga e kaluara, për ta përmirësuar të tashmen dhe për ta ndërtuar të ardhmen e përbashkët, komunikimi mes njerëzve është shumë i rëndësishëm. Kjo tashmë po mundësohet nga një sërë marrëveshjesh që e lehtësojnë lirinë e lëvizjes duke mundësuar qarkullimin e veturave private mes Kosovës e Serbisë.

Lëvizja e lirë ofron mundësi të reja për ndërveprim, tregti, shkëmbim kulturor, vizita dhe mësim dhe kësisoj shumëfishon efektet dhe ndikon pozitivisht në zhvillimin e përgjithshëm të të dyja palëve. Kjo ndikon shumë edhe në zhbërjen e besimeve të vjetruara, të përqendruara në idetë e nacionalizmit dhe politikës.

E tërë kjo ndikon edhe në jetën tonë shoqërore. Që nga viti 2015 fillova të merrja pjesë çdo vit në Festivalin e Muzikës Exit në Novi Sad, i cili i bashkon të rinjtë nga rajoni dhe bota. Vetë festivali paraqet një mënyrë të mrekullueshme për lidhje, ndarje të përvojave dhe krijim të miqësive të reja. Vitin e kaluar vendosëm të shkonim me veturë në Festivalin Exit, që rezultoi të jetë shumë më lehtë dhe më shpejtë. Dobia e kësaj marrëveshjeje na mundësoi të vizitonim rajonin e Sremit dhe të Frushka Gorës, me të drejtë të quajtur “xhevahir i Serbisë” për shkak të peisazhit të saj pitoresk.

E kujtoj me shumë nostalgji kalanë e bukur të Petrovaradinit, pamjen e bukur të Novi Sadit dhe të Danubit që rrjedh pranë saj, e gjitha me muzikë elektrizuese dhe miqësi e bukura përreth që të japin shpresë dhe optimizëm për të ardhmen. Festivali Exit, një ngjarje vjetore me përmasa të mëdha, është themeluar mbi bazën e idealeve fisnike të lirisë dhe demokracisë të cilat janë vlerat e festivalit që nga viti 2000.

Marrëdhëniet ndërpersonale, takimet, bisedat me njerëz të rëndomtë janë ato nga të cilat mund të shihet sa të ngjashëm jemi, se në parim jemi një, dhe se ndarjet mes nesh nuk janë asgjë tjetër përveç koncepte të parëndësishme të së kaluarës. Por ato duhet të ballafaqohen. Udhëtimi është një mënyrë për ta arritur këtë; ndonëse proces gradual, ndikimi i tij është sigurisht afatgjatë, jo vetëm në sferën personale, por edhe në atë shoqërore e politike. Kjo mund të shpjej në marrëdhënie afatgjate dhe të qëndrueshme brenda vendit.

Procesi i normalizimit ende është duke u politizuar, po përdoret nga elitat në të dyja anët, dhe kjo po ndikon në marrëveshjen për liri të lëvizjes. Shqetësim dhe bezdi mund të pëjetojnë ata të cilët nuk kanë targa KS, pasiqë me targa RKS ata duhet të marrin targat “Proba” [Provë], si dhe të paguajne shërbimi e të ndihen të shqetësuar nga vozitja nëpër Serbi me targa prej letre, që tërheqin vëmendje.

Ndërtimi i paqes së qëndrueshme është proces i ngadalshëm; kërkon kohë dhe mjedis të shëndetshëm institucional, politik dhe ekonomik. Ekonomia është lidhje efektive për komunitetet e poliarizuara dhe gjatë të ndara.  Heqja e të gjitha pengesave për tregti dhe nxitja e ndërveprimit ekonomik mes dy vendeve dhe më gjerë do ta ndihmojë normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike. Marrëdhëniet e forta dhe me përfitime të shumëfishta nëpërmjet tregtisë, aktivitetit ekonomik dhe shkëmbimit mund të sjellin qasje simbiotike të bazuar në liri të lëvizjes dhe ekonomi të tregut të lirë, si bazë për zhvillim më afatgjatë ekonomik, kulturor e demokratik. Ky është integrimi evropian.

—–

Ky artikull është prodhuar me ndihmën financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë dhe të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë – Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pasqyrojë pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë apo të Bashkimit Evropian.

//http://www.k-s-pag.org//

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.