Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Koha për të krijuar kujtime të reja

Illustration: Big Eye

Këto dite u vura në pozitë të vështirë kur fillova të shkruaj për normalizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Qëndrova me orë të tëra para kompjuterit me gishtat që sapo shtypnin fjalët i shlyeja prapë. Nuk doja të shkruaja për Murin, Urën, Trenin apo Asociacionin, jo për mungesë informatash por sepse janë tema që më shumë na ndajnë se na bashkojnë.

Duke u menduar gjërë e gjatë, qindra kujtime dhe mendime më vërshuan, por asnjë nga to nuk ishte “normale”.

Sa më shumë mendoja, aq më shumë bindesha se unë nuk i njoh serbët e Kosovës. Nuk e di ku i pijnë kafet e mëngjesit dhe birrat e mbrëmjes. Nuk e di nëse ata kanë problemet e përditshme të sigurimit të mirëqenies, nëse kanë punë dhe paguajnë kredi, nëse arrijnë të paguajnë faturat në fund të muajit, nëse rrijnë natën zgjuar në shtrat duke menduar si të sigurojnë financat për të shkolluar fëmijët.

Serbët e Kosovës ende vazhdojnë të jenë të largët për mua. Ata më shumë i shoh si problem që nuk zgjidhet, si Veri i Kosovës që nuk e marrim dot, si Urë që nuk kalohet, si Mur që s’kapërcehet, si Tren që nuk lëviz, si Asociacion që të ndan, si Listë Serbe që s’bashkëpunon.

Ky është narrativi që i shoqëron serbët lokal. Në sytë tanë ata janë shteti serb, dhe jo kojshitë tanë që jetojnë mëtanë urës dhe në mesin tonë.

Në mungesë të këtyre kujtimeve, unë mbaj kujtime tjera për serbët. Qëndrimi në bodrum derisa granatat varrosnin shtëpinë tonë, ecja nëpër plumba për të shpëtuar kokën, lotët në sytë e prindërve që nuk na mbronin dot dhe përjetimin e vrasjes 10 metra larg të civilëve janë ngulitur thellë në kujtimet e mia. Frika dhe tmerri që kam përjetuar shpesh më djersitin natën dhe më prejnë gjumin në mes.

Këto kujtime janë të vërteta dhe janë të shumta dhe ato i kanë përjetuar shumë qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe serbët.

Në këtë pikë u mendova të shlyej gjithë shkrimin dhe ta shtyj për një kohë tjetër, por në një mendim të dytë, vendosa se kjo nuk mund të ishte përgjigja që kam unë. E mendova se si ky do të ishte refuzim për t’u marrë me një problem shoqëror me të cilin të gjithë refuzojnë të merren dhe të gjithë e shtyjnë për një ditë tjetër.

Pas 17 viteve të mohimit të ekzistencës së njërit tjetrit, mendoj se është koha që të ndërtojmë kujtime të reja.

Koha për pranim dhe ndryshim

Të bëhemi të drejtpërdrejtë. Trekëndëzimi i problemeve dhe marrja e pozicioneve që na bëjnë të dalim mirë në sondazhe nuk na ndihmon të zgjidhim problemet tona.

Treni, Muri, Ura, Asociacioni, Ushtria, Gjykata etj, jane tema reale. Ato jane ekzistente dhe të rëndësishme dhe duhet të perballemi me to. Ato nuk janë tema artificiale, siq është argumentuar këtu dhe sa më shumë që i injorojmë aq më të mëdha bëhen.

Secila nga këto tema janë shkaktuar jo sepe qytetarët janë të padijshëm, por sepse elitat dhe qytetarët nuk kanë pranuar ndryshimin. Mendimi kritik eshte qenësor per ndryshim, argumentuar shkëlqyeshëm këtu nga Jovana, por mendimi kritik është vështirë të zhvillohet në një atmosferë të lartë të nacionalizmit dhe ekstremizmit ku vetëm zërat ekstrem bëjnë jehonë.

Pjesë e problemit janë edhe kujtimet që unë i ndava në këtë shkrim e që janë një fraksion i vogël i kujtimeve të mia, e mund të imagjinoni se ato janë një fraksion tejet i vogël në krahasim me vuajtjet që i kanë përjetuar qytetarët e Kosovës.

Për të ndryshuar së pari duhet të distancohemi nga veprimet që qartazi na ndajnë me njëri tjetrin. Shqiptarët dhe serbët në Ballkan mund të bëhen gjermanët dhe francezët e rinj që vendosin të ndërtojnë kujtime të reja të cilat i lidhin me njëri tjetrin.

Në mungesë të elitave të guximshme që marrin përsipër ndryshimin, i takon popullit që ta bëjë këtë. Përkrahja e madhe e establishmentit në Serbi nga serbët e Kosovës, që propagon se Kosova është Serbi, se krimet dhe masakrat nuk kanë ndodhur, se pastrimi etnik dhe djegia e shtëpive, dhunimi i grave e burrave, dhe varrezat masive nuk kanë ndodhur, nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve. Njëjtë nuk kontribuon as kërkesa e disa shqiptarëve të Kosovës për ta zhbërë Kosovën dhe për ta bashkuar atë me Shqipërinë. Këto ide janë të kaluara dhe në vend të nxitjes së bashkëpunimit ndëretnik, ato thellojnë edhe më tej ndarjen. Normalizimi nuk mund të ndodhë nëse jetojmë në vetëmohim.

Ne mund të mos pajtohemi me shumë gjëra, por ne sigurisht mund të pajtohemi që të rinjtë në Kosovë nga çdo etni duhet të kenë mundësi të barabarta; se problemet e Markos në Veri të Mitrovicës nuk janë aq të ndryshme sa problemet e Bashkimt në Han të Elezit. Të dytë duhet të paguajnë faturat në fund të muajit, të rrisin dhe shkollojnë fëmijët në paqe dhe siguri dhe të sigurohen se do të pensionohen me dinjitet.

Idetë se si të gjejmë zgjidhje mund të jenë të shumta dhe të ndryshme, por e ardhmja është e përbashkët. Insistimi se temat që prekin një komunitet janë më të rëndësishme se ato që i takojnë një komuniteti tjetër nuk qëndrojne. Në fakt ky është thelbi i problemit. Insistimi se temat që na interesojnë ne jane reale; se dikush tjetër i ka fajet për problemet tona; dështimi për të parë problemet e tjetrit si probleme të përbashkëta.

Është përgjegjësi e kësaj gjenerate të shqiptarëve dhe serbëve që të krijojnë kujtime të reja, të tilla që janë të bazuara në mirëkuptim dhe mirëbesim, në sinqeritet dhe përkushtim, në dhembshuri dhe dashuri.

Koha është tash. Ne nuk mund të presim që dikush tjetër në një kohë tjetër ta bëj këtë.

Ne jemi ata që kemi pritur.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.