Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin e saj me Gjermaninë për të arritur tranzicionin energjetik

Artikulli i përkthyer.

Tranzicioni i energjisë është një nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet bota në dekadat e ardhshme. Për shkak të ndotjes së konsiderueshme të shkaktuar nga mbështetja në thëngjill dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE, vendi nuk mund të përbëjë përjashtim nga kjo sfidë.

Kosova duhet të kalojë më shpejt në burimet më të pastra të energjisë dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga lëndët djegëse fosile për të përmbushur qëllimet globale mjedisore dhe për t’u bërë një vend i qëndrueshëm. Duke punuar me Gjermaninë, Kosova mund të fitojë njohuri dhe burime të vlefshme për ta përshpejtuar këtë proces dhe për t’i arritur qëllimet e veta mjedisore.

Zhvendosja e fokusit të Gjermanisë drejt tranzicionit të energjisë

Pas vitesh të tëra duke prioritizuar çështje të ndryshme, qeveria gjermane e kuptoi se Kosovës i duhet të fokusohet në sektorë të tjerë të rëndësishëm për t’u bërë shtet anëtar i BE-së në të ardhmen.

Nëse paraardhësja e saj, Angela Merkel, investoi kohë dhe energji në përmirësimin e lidhjeve rajonale midis vendeve (p.sh., rrugë, hekurudha, energji, det) në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet të ashtuquajturit Proces i Berlinit, qeveria e re e udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz po drejton vëmendjen e vet kah burimet e ripërtëritshme në përputhje me Marrëveshjen e gjelbër të BE-së.

Kjo ishte vërtet thirrja e duhur nga Berlini pasi Kosova urgjentisht duhet të diversifikojë furnizimin e vet me energji ashtu që ta arrijë tranzicionin klimatik dhe atë energjetik në përputhje me standardet e BE-së. Aktualisht, 97% e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga dy termocentrale të vjetruara me linjit që lirojnë sasi të mëdha të gazeve serrë dhe shkaktojnë nivele të larta të ndotjes së ajrit. Kosova është shumë e varur nga qymyri, me rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë.

Bashkëpunimi Kosovë-Gjermani në sektorin e energjisë

Gjermania fokusohet në promovimin e energjisë së ripërtëritshme dhe në rritjen e efikasitetit të energjisë në Kosovë, duke vendosur instalime diellore për të furnizuar me energji elektrike ndërtesat individuale dhe duke modernizuar sistemet e ajrit të kondicionuar, ngrohjes dhe ventilimit.

Berlini ka luajtur rol kyç në përmirësimin e dy termocentraleve me linjit dhe ka investuar në zgjerimin dhe konsolidimin e industrisë së minierave të linjitit. Veç kësaj, KfW Development, për shembull, është duke mbështetur një projekt me partnerin e tij lokal Termokos, që synon lidhjen e sistemit të ngrohjes qendrore të Prishtinës me termocentralin Kosova B, të shndërruar në CHP.

Për më tepër, Ministria Federale e Gjermanisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim (BMZ) mbështet qeverinë e Kosovës për të inkurajuar investimet private në sistemet fotovoltaike – instalime të veçanta elektrike që prodhojnë energji nga burime të ripërtëritshme. Ka plane për të ndërtuar një objekt inovativ të ruajtjes së energjisë në temperaturë të lartë që siguron ngrohje për 60 mijë banorë të Prishtinës ndërkohë që përmirëson ndjeshëm cilësinë e ajrit për një gjysmë milioni.

Projekti aktual i Gjermanisë është investimi i vetëm më i madh në sektorin e ngrohjes qendrore në Kosovë, me një financim total prej 37.3 milionë eurosh. Donatorë të ndryshëm (për shembull, bashkëpunimi federal gjerman, Bashkimi Europian, Suedia, Luksemburgu dhe kontributi i Kosovës) mblodhën fondet e tyre në këtë projekt.

Sfidat përballë

Kosova ka dhënë zotimin e vet për dekarbonizim deri në vitin 2050, duke rritur kapacitetet institucionale dhe teknike për t’iu përshtatur klimës në ndryshim. Megjithatë, është kruciale që vendi të kalojë drejt një sistemi të gjelbër të transportit, veçanërisht në sektorin hekurudhor, të trashëguar nga ish-Jugosllavia, që tani është i vjetër dhe vetëm pjesërisht funksional.

Duke investuar në modernizimin e hekurudhave të saj dhe duke shkuar kah mënyrat më të pastra të transportit, Kosova mund të zvogëlojë ndjeshëm gjurmët e karbonit dhe të shkojë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme.

Përveç përpjekjeve aktuale, Kosova duhet gjithashtu që sa më parë që të jetë e mundur të krijojë legjislacionin për klimën. Ndërkohë që vendi ka përparuar me krijimin e një këshilli ndërministror për ndryshimet klimatike dhe me koordinimin për modelimin e një plani afatgjatë të dekarbonizmit, është esenciale të adresohen sfidat aktuale me legjislacionin e ri.

Duke miratuar legjislacionin për klimën, Kosova mund të hartojë një kornizë ligjore për të mbështetur tranzicionin e saj drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe për të ofruar udhëzime dhe llogaridhënie për qëllimet e saj klimatike.

Hapa premtues shihen përpara. Në një masë të konsiderueshme, presioni më i madh erdhi nga Brukseli e Berlini. Gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Ka shpresë që ky ndryshim do të jetë i shpejtë në dhënien e rezultateve konkrete.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.