Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova duhet t’i bashkohet nismës ‘Ballkani i Hapur’

Perceptimet dhe narrativat janë të rëndësishme dhe në kushte të caktuara ato kthehen në realitete de facto. I tillë është edhe rasti i nismës ‘Ballkani i Hapur’ – nisma trepalëshe midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të krijuar një hapësirë të përbashkët për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Nisma ia ka dhënë mundësinë Serbisë për t’u paraqitur si një vend që është i interesuar për paqe në rajon nëpërmjet tregtisë së lirë dhe në të njëjtën kohë ka dëmtuar pozicionin e Kosovës përkundrejt saj. Qeveria e Kosovës duhet t’i bashkohet nismës për interesat e saj strategjikë: njohjen ndërkombëtare dhe delegjitimimin e narrativës serbe.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës ndaj kësaj nisme ka qenë kundërshtues dhe, në vend të saj, kryeministri Kurti ka propozuar një skemë tjetër bashkëpunimi – SEFTA (Southeastern Europe Free Trade Area), të modeluar mbi EFTA (European Free Trade Association).

Me të vërtetë që për Kurtin do të ishte e vështirë të mbështeste një nismë që, sipas tij, favorizon politikën diskriminuese të Serbisë ndaj Kosovës – duke mos e njohur këtë të fundit si shtet të pavarur – ndërkohë që e hap Ballkanin ndaj influencës së Rusisë dhe Kinës. E, megjithatë, mospjesëmarrja në këtë nismë nuk duket se e ka vendosur Kosovën në një pozicion më të favorshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që po duken gjithnjë e më tepër të favorizojnë Serbinë – e as me Bashkimin Evropian, zyrtarët e lartë të të cilit kritikojnë operacione të zbatimit të ligjit të Qeverisë së Kosovës me pretendimin se ato dëmtojnë stabilitetin.

Qartazi, Ballkani Perëndimor është i ekspozuar ndaj konkurrencës strategjike mes SHBA-së, BE-së, Kinës dhe Rusisë, dhe Serbia mbetet shteti kyç në rajon pavarësisht krimeve, autoritarizmit dhe revizionizmit historik të qeverisë serbe. Aq i rëndësishëm është pozicioni strategjik i Serbisë sa edhe Gabriel Ekobar, zëvendësndihmës-sekretari i Shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cilësoi tendencat separatiste të Milorad Dodikut në Bosnje-Hercegovinë të lidhura me interesat e tij personalë dhe me influencën e Rusisë, duke mos përmendur kështu marrëdhëniet midis Republika Srpska dhe Serbisë.

Ndërkohë që rëndësia strategjike e Serbisë në rajon rritet, Kosova do të vijojë të izolohet gradualisht nëse nuk përcakton një qasje më të matur e të efektshme ndaj Serbisë dhe fuqive të mëdha – veçanërisht ndaj SHBA-së.

Varianti i SEFTA-s i propozuar nga kryeministri Kurti nuk ka mbështetje dhe duket se edhe nismat e tjera rajonale, si Tregu i Përbashkët Rajonal (Common Regional Market), nuk kanë perspektivë. Nëse do të kishin, atëherë nuk kishte pse të krijohej një nismë tjetër e pjesshme si ‘Ballkani i Hapur’ për të synuar të njëjtat katër liri: të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Ndonëse ‘Ballkani i Hapur’ nuk duket si një nismë mjaft premtuese për t’i realizuar qëllimet e pretenduara, efektet negative të saj mbi Kosovën kanë filluar.

Kosova është duke i parë zhvillimet e nismës si një spektator që nuk ka mundësi të ndikojë në ecurinë e tyre. Për më tepër, dhe me më shumë pasoja negative, është terreni i hapur që Kosova i ka lënë Serbisë për të krijuar e përçuar në publik perceptimet dhe narrativat e saj. Kjo e dëmton Kosovën në mënyrë strategjike, pasi ngrihet imazhi i Serbisë si një fuqi e pjekur rajonale që synon idealet e paqes në rajon nëpërmjet integrimit të tij, përmes rritjes së kontakteve njerëzore dhe tregtisë së lirë. Në të njëjtën kohë ulet dhe dëmtohet imazhi i Kosovës si një vend që nxit destabilitetin në rajon dhe nuk mbështet nisma të mbështetura nga SHBA-ja që synojnë paqen dhe rritjen e mirëqenies së vendeve të rajonit.

Përkundrazi, nëse Kosova do të bëhej pjesë e nismës ‘Ballkani i Hapur’, ajo do të tregonte pjekuri strategjike në marrëdhëniet rajonale dhe me faktorët ndërkombëtarë perëndimorë me interesa strategjikë në rajon; do të kishte mundësi të influenconte krijimin e hapësirës së përbashkët rajonale duke vendosur kushte; dhe do ta vendoste Serbinë në pozitë për të njohur Kosovën.

Kosova do të kërkonte të hynte në këtë nismë rajonale me kushtet e saj – sidomos për sa i përket njohjes. ‘Ballkani i Hapur’ nuk është një marrëveshje rajonale që realizohet nën petkun e BE-së dhe konsiderohet e hapur për anëtarë të tjerë. Kësisoj, ajo i krijon hapësirat e nevojshme Kosovës për të pretenduar hyrjen e saj në këtë nismë si e barabartë e jo duke e lënë çështjen e statusit me fusnotë në bazë të marrëveshjes për bashkëpunim rajonal të nënshkruar si pjesë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja nuk përmend në mënyrë specifike nisma rajonale të cilat nuk zhvillohen nën mbështetjen e BE-së, por i cakton BE-së rolin e garantuesit të statusit të pacaktuar të Kosovës.

Ndërkohë që nismat rajonale të ndikuara nga BE-ja do të kenë me vete fusnotën për Kosovën, kjo nuk është detyrimisht e nevojshme për nisma të tjera që mbështeten nga vende të tjera – aq më tepër vende që e njohin pavarësinë e Kosovës, siç është SHBA-ja. Nëse Kosova do të donte të merrte pjesë në nismën ‘Ballkani i Hapur’, do të ishte e pakonceptueshme për SHBA-në që t’i kërkonte Kosovës t’i përmbushte pretendimet e Beogradit e të hynte në këtë nismë me një status të pacaktuar, pasi e ka njohur atë si shtet të pavarur.

Sigurisht që Serbia nuk do të pranonte që Kosova të ishte pjesë e nismës ‘Ballkani i Hapur’. Rrjedhimisht, marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara do të cenoheshin, e nga kjo do të përfitonte Kosova. Për më tepër, nëpërmjet një lëvizjeje të tillë, Kosova do të kishte mundësi të tregonte qartazi që Serbia nuk është e interesuar për paqe në rajon pasi nuk është e interesuar për bashkëpunim mes të barabartëve.

Në vend të bojkotit të nismës dhe argumenteve politike të hapjes së Ballkanit ndaj ndikimit të Rusisë dhe Kinës, Qeveria e Kosovës duhet të përdorë çdo taktikë të mundshme që e bën atë të fitojë epërsi morale dhe politike ndaj Serbisë në përpjekjet e saj për të fituar legjitimitet ndërkombëtar.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.