Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova në dekadën e tretë të shekullit 21

Si munden shtetet e vogla si Kosova të përshtaten me trendet e politikave ndërkombëtare?

Ani pse shpesh ngjan se janë të injoruara dhe të parëndësishme, shtetet e vogla përbëjnë shumicën e shteteve të botës. Diku rreth 2/3 të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara bien në këtë kategori. Nuk ka një definicion të vetëm, por me shtete të vogla nënkuptohen entietetet me shifra numerikisht të ulëta në aspektin e territorit dhe popullsisë, rrjedhimisht fuqisë ekonomike, politike dhe ushtarake.

Për shkak të resurseve të pakëta për të projektuar dhe zbatuar pushtet, shtetet e vogla tradicionalisht shquhen për impakt të zbehtë në dinamikat e politikës ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ato më shumë janë ndjekëse, se sa udhëheqëse. Veprimi i tyre më shumë është reaktiv, se sa pro-aktiv. Për dallim nga politika e jashtme e shteteve të mëdha të cilat kanë fokus më të gjerë, diplomacia e tyre është e ngushtuar domethënë është shumë e fokusuar në një grusht qëllimesh (niche diplomacy).

Zbehja e sistemit unipolar të bazuar në norma nën udhëheqjen e SHBA, duket se do të sjellë ndryshime të panjohura në rendin ndërkombëtar, natyrshëm duke ndikuar edhe shtetet e vogla. Shtetet tjera po fuqizohen dhe me një ritëm të ngadaltë po hyjmë në një rend botëror të ri multipolar nga i cili ngrisin kokën shumë të panjohura, ani pse SHBA vazhdon ta ruajë rolin e saj udhëheqës.

Një aspekt me rëndësi i këtij ndryshimi rrjedh nga riforcimi i sovranitetit shtetëror, rrjedhimisht dobësimi i sistemit të normave dhe strukturave shumëpalëshe si OKB, BE, qe besa edhe NATO. Ky nuk është lajm i mirë për fuqitë e vogla. Në thelb, normat e vendosura ndërkombëtare shërbejnë si pararojë për shtetet e vogla, duke iu mundësuar atyre njëfarë barazie me shtete më të mëdha, pra duke adresuar deficitin e fuqisë ekonomike, ushtarake, gjeografike etj. Prandaj, lindja e strukturave shumëpalëshe i mundësoi atyre qasje në një fuqi ekonomike dhe ushtarake të paarritshme me resurset e tyre vetanake.

Krizat e legjitimitetit të organizmave shumëpalësh në vitet e fundit kanë ngritur pikëpyetje nëse ka ardhur nevoja për të konsultuar forma të reja organizimi. Ta kujtojmë rastin e Britanisë së Madhe, e cila në një moment thjesht pushoi së besuari në idenë e projektit të Bashkimit Evropian dhe u bë shteti i parë i cili del nga ky union.

Në këtë kuadër, dobësimi i institucioneve shumëpalëshe kërkon nga fuqitë e vogla, sikurse Kosova, të rrisin vëmendjen e tyre për marrëdhëniet dypalëshe. Ato do të kenë perherë e më shumë incentiva të angazhohen për thellim të marrëdhënieve me shtetet e tjera, me qëllim të cementimit të sigurisë së tyre nacionale dhe prosperitetit.

Përpos tjerash, multipolariteti i sistemit ndërkombëtar është duke u manifestuar me një grumbull hegjemonësh rajonalë të forcuar dekadave të fundit. Disa prej këtyre si Brazili, Kina apo India janë në proces të zhvillimit të hovshëm ekonomik dhe ekspansioni diplomatik. Këto shtete kanë filluar të rrisin dukshëm ndikimin në rajonet e tyre, por edhe në pjesë të tjera të globit.

Ta zëmë Kina tash gëzon ndikim serioz në disa shtete të Afrikës, por gjithashtu ka forcuar pozicionet në kontinentin e Amerikës Latine, apo edhe në Ballkan Perëndimor, sidomos në Serbi. Iniciativa kineze Belt and Road është një projekt ambicioz i zbatuar në mbi 70 shtete, duke përfshirë një sërë shtetesh të vogla. Në këtë rrafsh, në dekadën e re të shekullit 21, bashkëpunimi me Kinën do të jetë mundësi përherë e më joshëse për shumë shtete të vogla. Ani pse Kosova nuk është imune, deri tash ka qenë e pandikuar nga zgjerimi kinez.

Përpos kësaj, hedhja e syve kah strukturat rajonale ka të ngjarë të duket ide e udhës. Strukturat regjionale do të paraqesin një mundësi e mirë për të bashkërenduar veprimet në grupe më të vogla shtetesh. Brenda strukturave më të vogla, koncensusi mund të jetë më lehtë i arritshëm. Kjo nuk nënkupton domosdo se multilateralizmi do të zëvëndësohet nga regjionalizmi, por se kjo e fundit mund të bëhet një faktor komplementar me rëndësi i të parës.

Krejt këto zhvillime ndërkombëtare refkeltojnë edhe mbi Kosovën. Në mungesë të njohjes univerale, deri tash Kosova ka zhvilluar një politikë të jashtme unike në krahasim me shtetet e tjera të vogla, të fokusuar në rritjen e njohjes diplomatike. Sidoqoftë, fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve e filluar në vitin 2017 disi e paralizoi aktivitetin diplomatik të Kosovës. Ajo kontriboi në reduktimin e politikës së jashtme kosovare, në mbrojtje të njohjeve.

Derisa hyjmë në dekadën e tretë të shekullit 21 pyetja qendrore për Kosovën është: cila është rruga për kompletimin e njohjes ndërkombëtare? Konfiguracioni aktual nënkupton se Kosova duhet të zgjedhë mes dy alternativave.

Mundësia e parë rrjedh nga një marrëveshje potenciale e paqes me Serbinë. Kjo marrëveshje do të fasilitonte anëtarësimin në NATO, si struktura supreme e sigurisë. Kosova më në fund do të integrohej në strukturën kryesore të sigurisë kolektive, si anëtare e barabartë. Idealisht, kjo marrëveshje do të mundësonte edhe shkrirjen e pozicioneve të pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, duke e qartësuar përfundimisht orientimin strategjik të Kosovës në plan afatgjatë.

Në rastin tjetër, rruga drejt njohjes së plotë ndërkombëtare do të synohej me mjetet aktuale, domethënë përmes lobimit. Sidoqoftë, ndryshimet e parapërmendura ndërkombëtare, përpos që kanë dobësuar pozicionin e Kosovës, gjithashtu kanë ulur angazhimin e shteteve partnere për përkrahje në lobim.

Prandaj, nëse kompletimi i njohjes nuk rrjedh nga një marrëveshje e paqes, Kosova futet në dekadën e tretë të shekullit 21 me gjasa reale të mbetet në status-quo, duke vazhuar të ketë vështirësi serioze t’i qaset shteteve mosnjohëse dhe organizatave ku nuk është anëtare. Me këtë opsion, Kosova do të mund të bënte hapa eventual përpara, por gjithashtu do të vazhonte të ishte shumë e ekspozuar karshi goditjeve të Serbisë dhe Rusisë në rrafshin diplomatik.

Në përgjithësi, fuqitë e vogla duke përfshirë Kosovën do të duhet të adaptojnë një sërë ndryshimesh, për t’u përshtatur me zhvillimet e reja të rendit global në dekadën e tretë të shekulli 21. Marrë për bazë shpërndarjen e pushtetit në një shumësi polesh, ato do të përballen me erëra që fryejnë nga drejtime të ndryshme.

Si zakonisht, për shkak të resurseve të pakëta, duhet të mësojnë të përshtaten në vend se t’i luftojnë ato.  Në rastin e Kosovës këto dilemma janë edhe më me peshë, pasi në thelb kanë të bëjnë me qenësinë e shtetësisë dhe mbijetesën në rendin ndërkombëtar.

—–

Ky editorial mbështetet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), si pjesë e projektit “Rruga dytësore drejt Europianizimit: Një qasje partneriteti”, financuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.