Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kozmpolitanizmi nuk është antipatriotizëm

Ilustrimi nga Big Eye.

Në diskursin tonë publik, kohëve të fundit kozmopolitanizmi po identifikohet me paragjykime negative si një anti-ideologji ndaj vlerave kulturore kombëtare. Kjo ishte evidente veçmas pas kualifikimit historik të kombëtarës sonë në futboll, ku kozmpolitanizmi si koncept ka qenë target i vazhdueshëm i sulmeve. Përmes këtij shkrimi synoj të sqaroj një koncept më ndryshe të kozmpolitanzimit, që nuk është sinonim i antipatriotizmit. Me patriotizëm, nënkuptoj përkushtimin e individit ndaj vlerave të tij kulturore dhe kombëtare.

Të jesh një kozmopolitan në ditët e sotme, nuk do të thotë që apriori t’i  përçmosh apo të heqësh dorë nga simbolet dhe vlerat e tua kulturore. Koncepti kozmopolitan i filozofit të njohur bashkëkohor, Anthony Appiah, njehërit profesor në Universitetin e Princeton-it në SHBA, nuk është një nocion që është goditje ndaj vlerave kulturore, qofshin ato nacionale ose lokale. Përkundrazi, ky tip i kozmopolitanizmit përpiqet t’i mbrojë ato. Kozmopolitanizmi i Appiah-s, sqarohet përmes definicionit të tij të kozmopolitanizmit si “universalizmi plus diferencimi”. Sipas tij, e para ka prioritet mbi të dyten, mirëpo kjo qasje, nuk është assesi një tendencë unifikuese e të gjitha kulturave në një ta themi “kulturë globale”. Për më tepër Appiah, e bën një ndarje të prerë mes kozmpolitanizmit dhe humanizmit, sepse ideali i kozmopolitanizmit nuk është dëshira për homogjenitet global sikurse është tek humanizmi. Me fjalë të tjera, ky kozmpolitanizëm nuk e synon asimilimin e të gjitha kulturave dhe vlerave kombëtare nën ombrellën e një univerzalizmi gjithëpërfshirës, pra nuk kërkon nxitje për uniformitet. Kulturat e ndryshme, me vlerat e tyre kombëtare apo lokale, duhet të respektohet dhe të promovohen, jo sepse kultura ka ndonje rëndësi të veçantë në vetvete, por sepse rëndësi kanë njerëzit, e kultura është e rëndësishme për ta në kërkimin e eudemonistikës aristoteliane.

Pra, kulturat e ndryshme duhet të respektohen për aq sa këto kultura nuk bie ndesh me shqetësimet tona universale për respektin ndaj jetës dhe mirëqenies së secilës qenie njerëzore. Për ta rikthyer në diskursin tonë të debatit, kultura shqiptare nuk është kundër vlerave universale që i ndajmë si qenie njerëzore; nuk është prej kulturave raciste a ksenofobike, as prej ndonjë prej kulturave që dhunon autonominë individuale të njeriut. Krejt e kundërta, kultura shqiptare shquhet më vlerat e saj të tolerancës dhe solidaritetit njerëzor, që njëherit janë edhe vlera universale. Prandaj ky lloj i kozmopolitanizmit, përkthyer në kontekstin tonë, nuk ka asgjë kundër vlerave kulturore shqiptare. Në të vërtetë, sipas kësaj ideje ato duhet të promovohen dhe të mbrohen sepse këto vlera kulturore janë tejet të rendësishme në formësimin e identitetit tonë dallues nga të tjerët. Përderisa këto tipare kulturore janë veçori dalluese e jona, atëherë ato kanë rëndësi për ne, e meqë kanë rëndësi për ne, ato janë të rëndësishme.

Në anën tjetër, nuk ka asgjë të gabuar si një kozmopolitan të besosh në drejtësi dhe vlera universale, të besosh në të drejtat dhe liritë e barabarta të secilës qenie njerëzore. Në botën bashëkohore, vetë ideja e të drejtave të njeriut është një projekt kozmopolitan. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, një dokument legal i nënshkruar nga gjitha shtetet e OKB-së, bazën e saj filozofike e ka në imperativin kategorik të Immanuel Kanti-t, sepse beson që qeniet njerëzore janë qenie racionale, dhe racionaliteti mund të merret si shtyllë e ndërtimit të disa normave universale. Në anën tjetër, është tërësisht legjitime që kulturat e ndryshme të debatojnë mbi mënyrën sesi mund të artikulohen këto të drejta, por nuk ma do mendja se njeriu racional i botës bashëkohore do të dëshironte të mos kishte të drejta të njeriut.

Për fund, nuk kemi arsye pse të zgjedhim mes kozmopolitanizmit dhe patriotizmit, sepse kozmopolitanizmi nuk është antipatriotizëm. Kozmpolitanizmi dhe devotshmëria ndaj vlerave kulturore, që unë u refrohem me patriotizëm, nuk është se janë përjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Njeriu mund të jetë njëkohësisht edhe kozmpolitan që beson në vlera universale, edhe patriot që i çmon dhe i glorifikon vlerat e tij kulturore kombëtare. Doktrinës përjashtuese, “kush nuk është me ne, është kundër nesh” i ka dalë tashmë boja, sepse është vërtetuar që bota është shumëngjyrëshe për të shpjeguar terësinë e njohjes vetëm brenda horizontit të së bardhës dhe të zezës.

Autori është kandidat i Masterit në fushën e të Drejtave të Njeriut dhe Mulitkulturalizmit në Universitetin Buserkund & Vestfold në Norvegji.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.