Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kriza si mjet qeverisës

Kosova është vend i krizës. Këtë përshtypje e kanë shumica e njerëzve që i takoj jashtë vendit, qoftë nëpër konferenca akademike, punëtori, rrugë apo kafiteri. Pavarësisht se prej nga janë apo me çka merren, shumica prej tyre kanë dëgjuar për vendin tonë të vogël. Dhe pavarësisht se kanë kaluar 16 vjet nga përfundimi i luftës, kriza është fjala kyçe me të cilën identifikohemi. Kjo për shkak se nëpër eksperimentet politike të bashkësisë ndërkombëtare, kemi qenë dhe mbetemi vend i krizave.

Përceptimet edhe kur ndryshojnë, ndryshojnë shumë ngadalë. Kësisoj, kriza do të jetë gjëja e parë me të cilën do të identifikohemi nëpër botë edhe për një kohë të gjatë. Ani pse në shumicën e rasteve krizat, të paktën ato për të cilat na njeh bota, nuk kanë qenë në dorën tonë, disi na e kanë krijuar një mentalitet krizash, mentalitet ky që së bashku me tranzicionet e njëpasnjëshme kanë depërtuar në palcë të shoqërisë. Kësisoj, kriza është bërë jo veç fjalë me të cilën na identifikojnë nga jashtë, por edhe strategji përmes së cilës po qeverisemi nga brenda.

Në shkencën politike, koncepti i krizës zakonisht përkufizohet si situatë me karakter urgjent, me shumë paqartësi, në të cilën kërcënohen vlerat themelore të një shoqërie. Nëpër vendet me demokraci të brishtë, elitat politike qëllimshëm krijojnë kriza, duke i përdorur ato për të zgjeruar pushtetin. Kjo për shkak se në kohë krizash, e gjithë vëmendja e shoqërisë zhvendoset në krizë, duke harruar gjithçka tjetër që ka të bëjë me jetën politike. Shembulli më eklatant në rajon mund të jetë kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i cili përmes krijimit të konflikteve me gjithë vendet fqinje, shtriu pushtetin e tij autoritar në të gjitha sferat e shoqërisë. Politikanët e Kosovës nuk janë hiç më mirë në këtë drejtim. Në fakt, po që se e analizojmë qeverisjen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, kriza është emëruesi i përbashkët i të gjitha qeverive, i të gjitha kohërave.

Duke mos pasur haber për të qeverisur vendin – për të hartuar politika publike që sjellin zhvilim e emancipim, që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe i bëjnë ata të lumtur – tipare këto të një qeverisjeje të sukseshme në botën demokratike, kasta jonë politike vazhdimisht ka përdorur krizën si mjet për të arsyetuar mbajtjen e tyre në pushtet. Besoj që iu kujtohet mirë si gjatë administrimit ndërkombëtar e gjithë sfera publike ka qenë e dominuar nga statusi politik i vendit dhe gjithçka tjetër që nuk ishte në kompetencë të vendorëve. Kjo praktikë ka vazhduar edhe pas pavarësisë me të njëjtin hov; ndryshuan çështjet por jo edhe mënyra e qeverisjes: obsesionimi me njohjet nga vendet tjera u përdor si mbulesë për katandisjen e shërbimit diplomatik; veriu dhe serbët si zëvendësim për zhvillim ekonomik; dialogu me Serbinë si arsyetim për dështim në formim të shtetit; gjykata speciale si zhvendosje e vëmendjes nga politizimi i sistemit gjyqësor. Kriza e formimit të qeverisë gjatë vitit të kaluar as që do koment.

Duke e plasuar në publik çështje madhore, urgjente e të paqartë, dhe duke aloduar rëndësinë hyjnore këtyrë çështjeve se kinse i kërcënojnë vlerat themelore si shtetësia, identiteti apo vet ekzistenca e shoqërisë – pra të gjitha elementet përbërëse të krizave – politikanët tanë na kanë qeverisur përmes krizës. Këto kriza kanë marrë gjithë vëmendjen e publikut, duke e zhvendosur atë nga varfëria, papunësia, mungesa e zhvillimit dhe e perspektivës, dhe, mbi të gjitha, duke i mbajtur të njëjtit politikanë në pushtet.

Këtë valle qeverisjesh përmes krizës, të udhëhequr nga pushteti, e kanë përcjellur për merak edhe opozita. Secila nismë politike që ka ardhur nga opozita ka qenë e ndërlidhur me krizën e plasuar nga qeveria. Në rastin më të keq, opozita ka krijuar konkurrencë ndaj qeverisë, duke prodhuar kriza tjera, më të mëdha, më të pazgjidhshme, më të pakapshme për shoqërinë. Pjesa tjetër e shoqërisë, përfshirë këtu organizatat e shoqërisë civile dhe median, po ashtu kanë vallëzuar në të njëjtën valle. Në formë metaforike, në rastin më të mirë e kanë ngadalësuar vallen, apo, në më të keqin, e kanë përshpejtuar atë.

Qeveritë në Kosovë e vendosin axhendën politike e publike, përmes krizës. Të tjerët e përcjellin.  E gjithë shoqëria preokupohet me gjënë e vetme të cilën qeveria ua servon – krizën. Për shkak të natyrës së krizës si gjendje emergjente, mendimi alternativ, i hapur dhe i pavarur shtypet, mbyllet, bunkerizohet dhe eventualisht zhduket. Sot jemi në një fazë të thellë të bunkerizimit të mendjes, fazë që thërret për veprim, hapje, sbunkerizim. Politikanët i zgjedhim për të na qeverisur. Për qeverisje, duhet t’i mbajmë në përgjegjësi gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm çdo katër vite, në zgjedhje. Sfera publike është vendi ku formësohet politika publike. Kjo sferë i takon publikut, jo një grusht njerëzve që po e bombardojnë atë me kriza të njëpasnjëshme për më shumë se një dekadë. Prandaj, këtu, në sbunker, nuk do merremi me krizat. Të paktën jo në mënyrën si qeveria dhe kasta politike do preferonin që të merremi me to.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.