Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kthimi i historisë, identiteti dhe protestat në “Capitol Hill”

Illustration: Big Eye

Në vitin 1989, euforia e rënies së “Murit të Berlinit” kishte kapluar çdo cep të botës, dhe lajmi për kollapsin e Bashkimit Sovjetik ishte nje shok i vërtetë për shumëkë.

Po atë vit, politologu dhe ish-këshilltari i Departamentit të Shtetit Amerikan, Francis Fukuyama, publikoi një artikull të titulluar “Fundi i Historisë” (The End of History), në të cilin argumentoi se njerëzimi kishte arritur kulmin e evolucionit ideologjik politik dhe se demokracia liberale Perëndimore kishte triumfuar mbi çdo ideologji tjetër.

Në thelb, teoria e Fukuyama argumenton se kur të gjitha vendet e botës transformohen në shtete liberale demokratike, konfliktet dhe luftërat do të përfundojnë, dhe se të gjitha shtetet dhe popujt do të jetojnë në paqe dhe harmoni mes vete.

Dekadat që pasuan pas përfundimit të “Luftës së Ftohtë” përjetuan transformim ideologjik në botë. Shumica e shteteve filluan të përqafonin vlerat liberale demokratike dhe numri i luftërave u ul drastikisht.

Në librin e Steven Pinker, “Engjëjt më të Mirë të Natyrës Sonë” (The Better Angels of Our Nature) autori dokumenton në mënyrë të detajuar uljen drastike të dhunës, vdekjeve dhe luftërave gjatë dekadave të fundit.

Mirëpo, megjithë faktin se vlerat demokratike liberale janë omniprezente, ato në thelb janë të centralizuara në mendimin intelektual Perëndimor.

Artikulli i Fukuyama mori shumë merita por edhe kritika. Ndër kritikët më të shquar ishte Samuel P. Huntington i cili u kundërpërgjigj me një ese të titulluar “Përplasja e Civilizimeve” (Clash of Civilizations) në të cilin ai kontradikton ish-studentin e tij duke argumentuar se konfliktet do të vazhdojnë të jenë prezente në botë, mirëpo ato do të jenë kryesisht kulturore dhe religjioze.

Konkretisht, teoria e Huntington argumenton se për të mbajtur specifikat e veçanta të identiteteve, popujt do të kundërshtojnë vlerat Perëndimore. Me gjithë përqafimin e tregut të lirë dhe hapjes me vendet e tjera, shumë shtete në Lindjen e Mesme dhe Azinë Lindore nuk e shohin botën nga prizmi Perëndimor dhe kundërshtojnë ndryshimin.

Identiteti është konceptim i vet-individit dhe shprehje e individualitetit dhe rrjedhimisht është tejet i veshtirë për t’u ndryshuar. Siç argumenton gazetari Ezra Klein në librin e tij “Pse Jemi të Polarizuar (Why We’re Polarized), “kur një identitet adoptohet, është më i vështirë të ndryshohet sesa një opinion”.

Prandaj, në shekullin 21, identiteti kulturor e religjioz vazhdon të mbetet një ndër karakteristikat kyçe me të cilat njerëzit dhe popujt e ndryshëm identifikohen.

Duke e parë të pamundur mundësinë për reformim dhe ndryshim socio-politik në shoqëritë e tyre, shumë qytetarë të vendeve jo-Perëndimore e panë emigracionin në vendet Perëndimore sikurse ShBA-të si mundësinë e vetme për të jetuar në një ambient më të hapur dhe liberal si dhe mundësi më të mëdha për karrierë profesionale.

ShBA-të, për dekada me radhë, kanë qenë cak i emigracionit global. Si rezultat, kjo ka ndikuar në ndryshimin demografik të popullsisë.

Në vitin 1920, sipas të dhënave statistikore demografike të ShBA-ve, përqindja e të Bardhëve ishte rreth 90%. Një shekull më vonë, të Bardhët përbëjnë rreth 70% të popullsisë në vend. Në anën tjetër, hispanikët të cilët 100 vite më parë përbënin më pak se 1% të popullsisë, sot përbëjnë rreth 17% të popullsisë amerikane.

Sipas projeksioneve të Tim Marshall në librin e tij “Të Burgosurit e Gjeografisë” (Prisoners of Geography) popullsia hispanike pritet të rritet dukshëm dhe nëse ky trend vazhdon me ritëm të njëjtë, të Bardhët do të jenë minoritet në ShBA në fund të këtij shekulli.

Ndryshimet demografike, kanë ndikuar në vetëdijen politike të qytetarëve në ShBA, të cilët e kundërshtojnë drejtimin që po merr vendi. Veçanërisht qytetarët e Bardhë amerikan të shtresës së mesme, të cilët jetojnë kryesisht në pjesën e mesme-perëndimore të vendit dhe konsiderohen më konservativ në pikëpamjet e tyre politike.

Zgjedhja e Trump si president në 2016, ishte një pikë kthese për vendin. Fukuyama mund të ketë të drejtë kur thotë se demokracia liberale është më e shëndetshme dhe efektive për qytetarët, mirëpo kur njerëzit ndihen se kultura dhe identiteti i tyre është vënë në rrezik, atëherë ata bëhen reaksionar dhe kanë tendeca për të kundërshtuar trendin e ndryshimeve.

Protestat në “Capitol Hill” më 6 janar pasqyruan një Amerikë të ndarë, shoqëri të polarizuar, por mbi të gjitha, një Amerikë të pasigurtë për të ardhmen e saj. Më 6 janar nuk u dëmtua vetëm një ndërtesë, por edhe imazhi dhe prestigji global i ShBA-ve.

Pas më shumë se 200 vite, që nga okupimi i Washington DC dhe djegia e “Capitol Hill” nga trupat britaneze në vitin 1814, “Capitol Hill” u dhunua përsëri. Kësaj radhe nga protestuesit e influencuar nga presidenti në largim Donald J. Trump, i cili kundërshton rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe drejtimin qe do të marrë vendi.

Mirëpo, ky sulm ndaj institucionit më të lartë amerikan nuk ishte thjeshtë një reaksion i protestuesve.

Përgjatë katër viteve sa ishte në pushtet, Trump arriti të hapte kutinë e pandorës dhe të shpërfaqte nostalgji tek baza e tij elektorale për një Amerikë të Bardhë dhe të Krishterë, dhe drejtonte gishtin kah imigrantët hispanikë, afrikanë, muslimanë dhe të tjerë, për problemet që kishin kapluar ShBA-në.

Trump gjithashtu shfrytëzoi rastin t’i sulmonte mediat e lira dhe elitën politike në Washington DC. Mungesa e respektit, ofendimet dhe dezinformimi kontribuan edhe më shumë në polarizimin e shoqërisë amerikane.

Sot, Trump ka humbur zgjedhjet presidenciale dhe ka hyrë në histori si presidenti i parë amerikan i cili është “impeach” dy herë nga Kongresi gjatë një mandati. Megjithatë, Trump do të vazhdojë të mbetet i pranishëm në diskursin publik amerikan dhe Joe Biden do të trashëgojë një Amerikë thellësisht të ndarë.

ShBA-të do të vazhdojnë të përballen me të ashtuquajturën krizë të identitetit (multikulturalizmi vs nativizmi) deri në shfaqjen e një gjenerate të re të liderve të cilët do të mund të ofrojnë një vizion të ri për vendin.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.