Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kujdesi për mendjen

Illustration: Big Eye

Kujdesi për mendjen

Kur të pyesin si je, jo gjithmonë je mirë edhe pse përgjigjesh ashtu. Rrena të bardha që na largojnë nga sikleti i temave tabu sikurse shëndeti mendor. Pak njerëz flasin për sfidat me shëndetin mendor. E kur fillojnë të flasin, tema mbyllet shpejt nga ata që dëgjojnë. Stigma vazhdon të na pengojë që të flasim e të marrim informatat e duhura që na nevojiten për kujdesin ndaj mendjes.

Në Kosovë supozohet të këtë nivel të madh të depresionit dhe stresit post-traumatik. Edhe pse mungojnë të dhëna rreth shëndetit mendor, 35% e sëmundjeve të përgjithshme llogaritet të jenë të ndërlidhura me shëndetin mendor. Pasojat nga lufta, kushtet ekonomike-sociale, papunësia e madhe, ndryshimet e shpejta kulturore dhe dobësimi i rrjeteve të mbështetjes sikurse familjet e shoqëria, janë disa faktorë që kanë lënë individin me pak resurse për t’i ndihmuar vetes.  Dinamika të tilla kanë ndikuar në rritjen e sfidave psikologjike, megjithëse shoqëria jonë nuk duket të jetë e gatshme të diskutojë për to, e le më të ofrojë mbështetjen e duhur për trajtimin e tyre.

Biseda rreth shëndetit mendor duhet të normalizohet sa më shpejt. Të kesh vështirësi me shëndetin mendor nuk do të thotë se duhet të kesh me doemos një diagnozë. Të gjithë mund të kemi vështirësi në kohë të ndryshme dhe njëkohësishtë nevojë që t’i ndajmë ato me të tjerët. Deshe apo nuk deshe të flasësh për të, të jetosh në një vend që stimulon distres psikologjik të lartë e vështirëson jetën dhe çdo aspekt të saj. Jo rastësisht kemi vështirësi t’i emërojmë emocionet dhe sfidat tona rreth shëndetit mendor sepse thjesht rallëherë apo asnjëherë nuk kemi diskutuar si duhet për to. Duke mos i emëruar dhe pa i procesuar këto vështirësi, nuk dijmë sesi të kërkojmë ndihmë për veten.

Hiç më larg se verën e kaluar kalova në një periudhë depresive. Nuk doja të punoja, nuk kisha vullnet të bëj asgjë pos të rri vetëm në shtëpi. Kur unë kam simptoma që më alarmojnë se nuk jam në balancë dhe mundohem t’i ndaj me një të afërt, në vend që të më ndryshojë temën e të më tregojë se nuk kam asgjë, e se më kalon, kam nevojë për një person që më dëgjon e ndjen empati për vështirësitë në të cilat po kaloj. Kur të tjerët më thonë ‘hajt se të kalon’, ‘nuk ke asgjë’,  mesazhi që e marrë është se përjetimet e mia nuk janë valide dhe se nuk ia vlen ta ndaj atë që e ndjej me askënd, sepse askush nuk më kupton. Në realitet, ajo që do të më ndihmonte, do të ishte një pohim se periudha në të cilën po kaloj është e vështirë, një vesh që dëgjon, e që nuk mundohet të më mbyllë sa herë që mundohem t’i procesoj këto ndjenja.

Tutje, kur unë ndaj vështirësitë e mia, do të doja që t’i të dëgjosh për simptome që mund të alarmojnë. Për shembull, nëse jam duke i vazhduar angazhimet e rregullta, nëse jam në gjendje të sigurtë, sepse po qe se e shoh se mund të mos jem e sigurtë, është e domosdoshme të lajmërosh familjen time apo mjekun.

Të kesh vështirësi psikologjike nuk do të thotë se me doemos ke një diagnozë. Sipas Mayo Clinc, një person me vështirësi psikologjike mund të ndihet poshtë apo i mërzitur, konfuz, me mungesë  aftësie për t’u koncentruar, mund të ketë frika të tepërta, ndjenja të forta, ndryshime ekstreme të disponimit – shumë poshtë apo lart. Simptoma të tjera janë  tërheqja nga shoqëria apo aktivitetet e përditshme, lodhja e tepërt, energjia e pakët, gjendje të cilat duhet t’i kemi parasysh, por assesi të përfundojmë në konkludime pa u konsultuar me një profesionit.

Poashtu, një person që ka vështirësi me shëndetin mendor mund të ketë probleme me gjumin, shkëputje nga realiteti (deluzione), paranoja apo halucinacione, paaftësia për t’u rikoperuar nga problemet ditore, stres i lartë, vështirësi për të kuptuar apo për t’u lidhur me situata apo njerëz. Eshtë e rëndësishme t’i kemi të njohura këto simptoma, por jo të përfundojmë me konkludime të cilat nuk na takojnë. Këto mund të shërbejnë si njohuri për të sugjeruar personave në vështirësi të kërkojnë ndihmë adekuate nëse ajo është e nevojshme.

Gjithmonë,  intensiteti dhe kohëzgjatja e simptomave na tregojnë se sa me urgjencë t’i trajtojmë dhe se kur duhet të kërkojmë ndihmë. Andaj, të kesh shëndet mendor stabil nuk do të thotë të ndihesh mirë shumicën e kohës por as të mos i injorosh vështirësitë të cilat komplikohen nëse nuk merret ndihmë adekuate.

Në vend se të stimulojmë tabutë të cilat na mbajnë në kaos psikologjik, është mirë t’i procesojmë mendimet e ndjenjat tona, të kërkojmë ndihmë profesionale kur vetja apo rrethi ynë nuk janë ndihmë e mjaftueshme. Një zë mbështetës nga të afërmit, një vullnet për të dëgjuar e diskutuar sfidat e shëndetit mendor do t’u ndihmonte shumë njerëzve të cilët kanë nevojë për ndihmë. Me mbështetje të duhur, çdokush mund të përmirësojë apo lehtësojë sfidat që ka me shëndetin mendor.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.