Ditë më parë u nda nga jeta Esat Stavileci – anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK). Në përgjithësi, u thanë fjalë të mëdha për jetën dhe veprën e Stavilecit. Por, nuk ishin të pakta as kritikat se akademik Stavileci në fakt është ndarë nga jeta publike dhe intelektuale tani e një kohë të gjatë. Se, që nga pas lufta ai ka zgjedhur një jetë të qetë, larg sferës publike. Diçka që konsiderohet si e pafalshme në rrethin ku jetojmë.
Mirëpo, a do të duhej të prisnim nga akademikët që të jenë më prezent në jetën publike, në debatin politik, të thonë fjalën e tyre për zhvillimet në vend? Dhe, nëse po, cili do të duhej të ishte niveli i këtij angazhimi? Të marr pjesë drejtpërdrejtë në zgjedhje? Apo të shërbej si gjykues i ngjarjeve politike? Nëse merr rolin e gjykuesit aktiv, a do të thotë se do të duhej të respektonim gjithsesi atë gjykim, i cili vjen nga një akademik?
Nga 23 anëtarët aktual të AShAK, së paku katër nga ta kanë qenë apo janë aktivisht pjesë e politikës: Isa Mustafa, Sabri Hamiti, Nexhat Daci e Mark Krasniqi. Por, çfarë i dallon këta akademikë-politikanë nga politikanët-joakademik? Asgjë! Akademiku-politikan Nexhat Daci është politikani-akademik i nivelit më të lartë i dënuar për korrupsion. E dy akademikët tjerë, Isa Mustafa e Sabri Hamiti, pos tjerash, me vendimet e tyre kanë vendosur në krye të legjislativit një person i cili ka udhëhequr një organizatë ilegale!
Së paku dy anëtarë të tjerë të ASHAK, Rexhep Qosja e Mehmet Kraja, janë mjaft aktiv me opinionet e tyre për qeverisjen në vend. Mirëpo, pak kush i dëgjon opinionet e gjykimet e tyre! Madje, gjykimet e Rexhep Qosjes janë thellësisht destruktive.
Mendimi dhe shkrimi politik e akademik nuk të kualifikon domosdo për të qenë edhe politikan i mirë. Akademikët edhe mund të kenë aspirata politike. Madje mund edhe ta provojnë jetën politike dhe të munden keq. Një shembull të tillë e jep profesori i Harvardit, akademiku Michael Ignatieff.
Në tetor të 2004, “disa persona me kostume e vetura të zeza” siç shprehet Ignatieff, i kishin ofruar mundësinë për të udhëhequr Partinë Liberale Kanadeze dhe pas kësaj të garonte për Kryeministër të Kanadasë. Profesor Ignatieff, i joshur nga ambicia politike, kishte pranuar që t’i hyjë kësaj gare. Pas një kohe ishte zgjedhur edhe kryetar i Partisë Liberale dhe iu hap rruga për të kandiduar për Kryeministër. Por, në zgjedhje u mund keq nga një “jo-intelektual”, por i zoti si politikan, Stephen Harper. Partia Liberale e udhëhequr nga Ignatieff shënoi rezultatin më të keq në histori të kësaj partie, kurse Ignatieff nuk u rizgjodh as për deputet të Parlamentit.
Përvojën e tij në politikë Ignatieff e paraqiti në librin “Fire and Ashes – Success and Failure in Politics”, libër i cili do të duhej të lexohej nga secili pretendent për post publik, kudo në vendet demokratike.
Ignatieff admironte intelektualët të cilët kishin pasur sukses në politikë. Por, si profesor i historisë dhe shkencës politike në Harvard, ai e dinte se numri i intelektualëve të cilët kishin dështuar në politikë ishte shumë më i madh se sa i atyre të cilët kishin korrur sukses. Literatura më e mirë politike e cila u ligjërohet studentëve në universitete, nuk është shkruar nga ata të cilët kanë pasur sukses në politikë, por nga ata të cilët kanë dështuar keq.
Në një opinion për librin dhe jetën politike të Ignatieff, kolumnisti David Brooks bën dallimin në mes të akademisë dhe politikës:
“Në akademi, fjalët shërbejnë për të zbuluar, në politikë fjalët shërbejnë për t’u lidhur me të tjerët. Akademia është ndërmarrje mendore; politika është ndërmarrje edhe fizike. Në akademi, qëllimi është të arrish tek e vërteta e përjetshme; në politikë, idetë duhet të jepen në kohë mirë të kalkuluara. Në akademi, ju merrni qëndrim në bazë të asaj që ju e besoni; në politikë, ju duhet të merrni qëndrim të djathtë ose të majtë. Në akademi, modestia inkurajohet; në politikë duhet të tregoheni me shumë vetëbesim.”
Por, Ignatieff nuk ishte pishman që kandidoi dhe dështoi. Sipas tij, është shumë më mirë të provosh e të dështosh, se sa të jetosh një jetë në defensivë. Një jetë në defensivë, nuk është jetë e jetuar mirë. Politika nuk është “sfilatë për njerëzit e shëmtuar”.
Ajo që na transmeton Ignatieff përmes shembullit të tij është se jo gjithmonë akademikët mund të sjellin vlerë në politikë. Këtë na e dëshmojnë edhe rastet e akademikëve të cilët janë kyçur në qeverisjen e Kosovës pas ’99.
Në një shoqëri të politizuar si Kosova, ose merreni me politikë ose politika merret me ju. Në përgjithësi, Akademia nuk u mor me politikë. Por politika u mor me akademinë. Në vend se në hyrje të qeverisë të vendosje ndonjë thënie e mençur e akademikëve kosovarë, në hyrje të akademisë u vendos një thënie e pa mençur e një politikani injorant.
E keqja mbizotëron jo për shkak të veprimeve të njerëzve të lig, por për shkak të heshtjes së njerëzve të mirë. E një njeri i mirë zgjodhi heshtjen. Zgjodhi të ecën mesit. E në këtë shoqëri nuk ka asgjë të artë gjatë ecjes nëpër mes.
Intelektualët nuk do të duhej të zgjedhin të ecin me tufën, ngase gjasat janë që rruga që ndjek tufa është e gabuar. Më mirë të zgjedhësh rrugën e drejtë edhe nëse je i vetëm, se sa rrugën e gabuar me turmën. Nëse gjatë veprimtarisë tuaj nuk keni bërë një armik të vetëm, do të thotë se nuk keni marrë qëndrim për asgjë. Në politikën kosovare është mirë të mos pajtohesh me askënd, por nuk është aspak e drejtë ta kesh mirë me të gjithë.