Mendojeni pak si duket një ditë në izolim e grave që po punojnë nga shtëpia, të cilat fatkeqësisht në Kosovë janë pak e si duket do të mbesin edhe më pak për shkak të krizës ekonomike që do të sjellë pandemia COVID 19.Të punosh online kur ke shtëpinë plot, është për secilin e vështirë, por shumë më shumë për ata që kanë tashmë edhe barrën e gatimit, pastrimit, furnizimit, kujdesit për të tjerët. Edhe më të rënda janë pasojat e izolimit për gratë e papuna, ato që nuk kanë as paga, shqetësimi i përhershëm i të cilave mbetet sigurimi i ushqimit e gjërave të tjera të nevojshme për jetë.
Izolimi na ktheu vëmendjen tek kujdesi, pastërtia, shëndeti, duke na kthyer kështu në familje, në punët e shtëpisë, në rolet tradicionale të grave dhe burrave. Tash kur të gjithë jemi brenda mureve të izoluar po shohim ngarkesën, që shkaktojnë e kohën, që marrin punët si blerjet, gatimi, pastrimi dhe përkushtimi në kujdes fizik e atë emocional ndaj fëmijëve e të moshuarve. Punë këto të papaguara të cilat kryhen si në heshtje përgjithësisht nga gratë dhe padrejtësisht vazhdojnë të njihen si “punë të grave”.
Kujtojmë që në Kosovë vetëm një për qind e burrave kanë said se kujdesën vetë për pastrimin e shtëpisë për dallim nga gratë që ishin 68%, bazuar në një raport të Institutit Riinvest. Vetëm 16% e të intervistuarve thanë se e ndajnë bashkë këtë punë. Shifra të ngjashme u paraqitën edhe kur u pyetën për gatimin. Që ka pabarazi të mëdha në ndarjen e punëve të shtëpisë ishte e njohur dhe më parë, por rëndësia e tyre dhe mundimi që shkaktojnë ato, janë nënvlerësuar historikisht. Izolimi bëri që këto punë të jenë më të dukshme. Bashkë me punëtoret që i kryejnë.
Meqë shkollat u mbyllën, fëmijët kanë filluar të dëgjojnë mësimet nga shtëpia në televizion publik si dhe të komunikojnë me mësueset/it e tyre në ndonjë platformë online. Tash nënat u ngarkuan shtesë. Nuk është që para pandemisë kur shkollat funksiononin, nuk e luanin një lloj të ndihmëses së mësueses. Por në izolim nënat po kryejnë rolin kryesor në monitorimin e detyrave të fëmijëve, shpjegimin e paqartësive si dhe në përgjithësi në mbajtjen e raportit të fëmijëve me shkollën.
Ndërkohë që po shkruaj për ngarkesat e rënda të grave, nëpër rrjete sociale po qarkullojnë shumë shaka lidhur me “vështirësitë” e burrave në karantinë. Shakatë e tipit “Tash po e njoh gruan time” apo “Më parë rri në veturë se në shtëpi me gruan” janë irrituese sepse janë përqeshëse e shtypëse. Mikrobiologu Lul Raka shkoi edhe më larg ku në një deklaratë publike u tha si me humor burrave “…rrini në shpi me gra mos shkoni te dashnorja”.
Pra të gjithë kanë hallin e burrave që si rrallëherë më parë në jetë po qëndrojnë kaq gjatë me familjet e tyre. Asnjë shqetësim për gratë që në fakt janë ato mbi të cilat po rëndon më së shumti masa e izolimit. Talljet e tilla në një vend ku shumica e grave janë të papuna e plot prej tyre edhe dhunohen e vriten nga burrat e familjes, janë të neveritshme.
Gazetarja britanike Helen Lewis në një artikull që ka shpjeguar dëmet si mbingarkesa, papunësia apo dhuna fizike e psikike që mund të sjellë kjo pandemi në jetët e grave duke u bazuar në krizat e mëhershme shëndetësore, thotë se është urgjente nevoja për ndërhyrje konkrete që kanë si pikënisje barazinë gjinore. Sipas saj argumentet se gjinia është një çështje anësore apo shpërqendrim nga kriza e vërtetë, duhet të kundërshtohen.
“Kriza e virusit korona do të jetë globale dhe afatgjate, ekonomike dhe mjekësore. Sidoqoftë, ajo ofron gjithashtu një mundësi. Ky do të mund të jetë shpërthimi i parë ku dallimet gjinore regjistrohen dhe merren parasysh nga hulumtuesit dhe përpiluesit e politikave. Për një kohë të gjatë, politikanët kanë vlerësuar që kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit mund të “mbulohet” nga qytetarët – kryesisht gratë – duke siguruar praktikisht një subvencion të madh për ekonominë e paguar. Kjo pandemi do të duhej të na kujtonte shkallën e vërtetë të këtij vlerësimi te gabuar”, shkruan Lewis.
U izoluam dhe (ri)zbuluam shumëçka brenda mureve të shtëpisë: dashurinë, solidaritetin, sigurinë por edhe dhunën, shtypjen e pabarazinë. Kriza që po sjellë kjo pandemi po e bënë më të qartë pabarazinë në mes grave e burrave, të pasurve dhe të varfëve, shumicës e pakicës. Pas dëmeve që do të sjellë pandemia shumë prej këtyre dallimeve kam frikën se veç do të theksohen, nënvizohen. Megjithatë ka edhe një mundësi që këtë krizë të mund ta shënojmë si kohën kur filluan të përmbysën gjërat, të ndërrojnë rolet. Tenxheret duhet të rrahën fort edhe brenda shtëpisë: Lani duart por edhe enët.