Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ligji pa drejtësi

Data 16 shtator e këtij viti do të mbetet njollë e pashlyeshme në të ashtuquajturin sistem të drejtësisë në Kosovë. Dy ngjarje të kësaj dite flasin shumë për rrënjën e shumë problemeve në Kosovë. Rrënjë që gabimisht njihet me togfjalëshin “mungesa e sundimit të ligjit”, kur në fakt është mungesa e mbizotërimit të drejtësisë.

Paraditen e 17 shtatorit u dha the news se një raport i policisë shkruante: “Më datën 16.09.2021 është arrestuar i dyshuari i mitur mashkull kosovar për shkak se në një market kishte vjedhur 15 çokollata, vlera e tyre 50 euro. I dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”.

Diskutimi mbi këtë rast do të mund të përfundonte nëse themi se, meqë paska vjedhur, qenka dërguar në mbajtje. Por, kjo do të qëndronte nëse dënueshmëria e veprës do të ishte standard pavarësisht kryesit apo shkallës së dëmit të shkaktuar. Por, kjo nuk është e vërtetë.

Pasditja e po të njëjtës datë solli lajmin tjetër se Gjykata e Apelit në Prishtinë liron nga akuzat protagonistin kryesor të aferës “Pronto”. Kjo aferë ka qenë e regjistruar dhe mund të gjendet ende për t’u dëgjuar. Për shumicën ishte sensacion, paçka se po dëgjonin diçka që dihej por s’kishte dëshmi që kishte dalë aq sheshazi. Por, për disa ishte përditshmëri: njerëz të veshur me pushtet që veshin të tjerë me pushtet për të mbetur sa më gjatë në pushtet.

Tani, me siguri se mund të ketë ekspertë ligjorë që rendisin dallimet mes këtyre dy rasteve dhe konkludojnë që janë të pakrahasueshme. Po ashtu, mund të thonë se gjykimi i secilit duhet të bëhet karshi ligjeve e jo shembujve të rasteve të tjera.

Ama, përtej kontrasteve të thata ligjore, qëndrojnë faktet që ndërtojnë kontekstin e veprave dhe shkalla e pasojave për dëmin e tyre që shpërfaqin padrejtësinë e thellë që prodhon sistemi. Kjo për shkak se verdikti duket se varet më shumë nga “fortësia” e kryesit të veprës sesa nga vetë vepra e kryer, duke e bërë kështu sistemin të prodhojë një raport të zhdrejtë proporcional mes krimit dhe ndëshkimit, i cili aplikohet vetëm për një kategori të kryesit dhe funksionon vetëm në njërin drejtim: nëse kryesi është “i fortë”, sa më i madh krimi, aq më i vogël ndëshkimi.

Cilat janë faktet që ndërtojnë kontekstin e rasteve të vendosura më 16 shtator? Një i mitur ka vjedhur 15 çokollata në vlerë 50 euro dhe për këtë ka shkuar në burg. Nuk ka vjedhur diçka me vlerë apo që do të mund ta rrezikonte dikë, apo që do të mund ta quanim moralisht të dënueshme. Sepse nuk ka vjedhur armë ose drogë. Nuk ka vjedhur ar apo dokumente konfidenciale. Madje, nuk ka vjedhur as cigare apo alkool. Ka vjedhur 50 euro çokollata. Ky është dëmi dhe përmasa e tij.

Në anën tjetër, një deputet, kryetar i grupit më të madh parlamentar, përmes telefonit, vendos fatet e kryeprokurorit, anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, etj. Nuk e bën këtë në cilësinë e deputetit ku në ndonjë komision parlamentar intervistohen kandidatët për t’u bërë ambasadorë. Apo në ndonjë komision që vlerëson kandidatët për ndonjë bord të ndonjë institucioni siç është Banka Qendrore, e të cilët do të votoheshin pastaj nga Kuvendi.

Vendos përmes telefonit, në bisedë me kryeministrin e zyrtarë tjerë të lartë të partisë, njerëz “pa kunkunkuru” në borde të ndërmarrjeve për të cilat duket se as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë se ekzistojnë. Dhe dëmi e përmasa e tij pastaj nuk duan shumë mend për t’u ditur – prej ndërmarrjeve publike buzë falimentimit deri te pasiviteti i shumë prokurorëve e masoviteti i vendimeve skandaloze të shumë gjyqtarëve, meqë rruga për t’u vënë në pozitë nga ku veprojnë ka kaluar përmes telefonatave që kanë filluar me përshëndetjen “Pronto”.

E sistemi, si vendos për ndëshkimin? Hajdutin e mitur të 50 euro çokollatave e dërgon në burg. Ish-deputetin e liron sepse thotë se përshkrimi i punës së tij nuk parasheh punësimin e njerëzve.

Cinizimi i këtyre vendimeve është shpërfaqja më e mirë e një të vërtete që pak thuhet te ne. Dhe natyrisht se raste të ngjashme janë të përsëritshme në këtë sistem. “Të fortët” shpëtojnë me dënim me kusht, parashkrim të lëndës, ose lirim nga të gjitha akuzat. “Të dobëtit” shkojnë në burg edhe për 50 euro çokollata. Këtu nuk është problem mungesa e zbatimit të ligjit. Por zbatimi selektiv i tij, me ç’rast sistemi i drejtësisë prodhon padrejtësi të tilla.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.