Lindja e një pushteti politik është gjithmonë e dhunshme. Asnjëherë pushteti politik nuk është vendosur në një territor si pasojë e zgjedhjeve demokratike, e deliberimeve të gjata, të menduara e racionale, e pajtueshmërive mes ‘palëve’ për natyrën dhe qëllimet e pushtetit, për atë sesi ai mund t’iu shërbejë atyre më së miri dhe t’iu ofrojë mundësitë për një jetë të mirë, e të ngjashme. Supozimi se pushteti politik është aty që t’iu shërbejë njerëzve, ose thënë më saktë dhe më demokratikisht që t’iu shërbejë ‘të gjithëve’, është, thënë më së buti, i pavërtetë dhe paraqet paaftësi për t’u ballafaquar me disa fakte. Pushteti politik është prerogativë e atyre që e duan atë me çdo kusht, edhe me kushtin e ushtrimit të dhunës brutale ndaj të tjerëve.
Dhuna dhe forca janë dy atributet bazike të atyre që e kërkojnë pushtetin, jo Konventat për të drejtat e njeriut, jo Deklaratat Universale, jo parimet apo filozofia, jo konsensusi, e aq më pak “kontrata shoqërore” apo racionaliteti. Racionaliteti i vetëm në vendosjen e një pushteti, jo vetëm atij politik, është ai i zgjerimit të tij, depërtimit të thellë dhe forcimit deri në masën sa ai nuk mund të kërcënohet, si një racionalitet që natyrë e ka rritën e vet. Demokracia në formën siç e njohim ne sot, në formën që na vjen si e gatshme, është diçka e vonshme dhe e re, e po ashtu edhe e përkohshme. Kjo demokraci u ndërtua mbi gijotinë. Revolucioni francez, nëse e marrim si pikën fillestare të demokracisë moderne dhe të pushteteve politike moderne në përgjithësi, ishte një revolucion i turmave. Pushteti i ri politik që lindi nga kjo përmbysje u themelua mbi maja bajonetash, prerje kokash, pushkatime, plaçkitje, djegie, shkatërrim, dhunim, kaos. Nuk kishte asgjë revolucionare në të, kishte vetëm përmbysje të një rendi dhe vendosje të një rendi të ri. Dhe si çdo rend i ri, as ky rend nuk e tradhtoi rregullin e vjetër: dhunën si instrumentin bazik për shtrirjen e pushtetit. Ajo që pasoi ishte një periudhë e gjatë dhune dhe trazirash të të gjitha natyrave derisa u arrit kulmi i cili u pasua nga një periudhë e shkurtër stabiliteti.
Ky rend i ri e prodhoi pashmangshëm mitologjinë e tij, si një proces i pashkëputshëm derivativ i rendit të ri, ose bashkëshoqërues i tij por domosdoshmërish si diçka që vjen prapa për vendosjen e tij në themele të sigurta, në legjitimimin e tij në themele njerëzore. Diskursi që u lind dhe idealet e tij të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë ishin themelet e nevojshme për vendosjen e këtij rendi në baza të qëndrueshme, një lloj iluzioni i lumturisë dhe mirësisë njerëzore i ndërtuar përmbi gënjeshtra dhe vetëmashtrim. Ne sot vazhdojmë të jetojmë përbrenda këtij diskursi idealist, ndonëse sot përkthehet në terma tjerë. Ky diskurs vazhdon të prodhojë idealizëm, idealet e të cilit merren si të mirëqena, merren si esencë njerëzore, kuptohen si diçka e natyrshme që njeriu vetvetiu e kërkon, si përhershmëri e qenies. Teologjizmat demokratik e interpretojnë njeriun si racional, si qenie që e di se çfarë kërkon, të motivuar nga vetinteresi, natyrshëm dhe organikisht kundër dhunës, i prirë për jetë në komunitet. Çfarë harrojnë këta idealizma është pikërisht kjo histori e dhunës, është pikërisht paaftësia për t’u ballafaquar me këto fakte. Demokracia nuk është atribut inherent i asaj që ne me terma homogjenizues e njohim si “perëndim”; nuk është veti biologjike e tyre. Rendi, ligji dhe rregulli kanë ardhur si nevojë e atyre që kanë sunduar për të mbrojtur atë që kishin akumuluar dhe ndërtuar si rezultat i sundimit të tyre, për të siguruar jetëgjatësinë e tyre dhe të pushtetit të vet; por asnjëherë si rezultat i “vetëdijes qytetare” apo e metodës së deduksionit logjik për të mirën e përgjithshme, për “interesin publik”. Edhe kur është bërë në emër të interesit publik, edhe interesi edhe publiku janë definuar dhe përbërë nga vet ata që kanë mbajtur pushtetin. Të tjerat dhe variacionet e tyre janë zhvilluar si kompromis mes forcave që nuk kanë arritur dot ta shkatërrojnë njëra-tjetrën tërësisht.
Të mendosh se rendi dhe ligji, demokracia, etj., janë rezultat i dominimit të së mirës brenda natyrës njerëzore dhe arsyes së tij, se sunduesi apo ‘sovrani’ vepron ose duhet të veprojë sipas interesit të përgjithshëm, është qesharake në rastin më të mirë. E megjithatë ne vazhdojmë të besojmë se demokracia, liria e të drejtat janë rregulli, janë e përhershmja, ndërsa dhunën e krimin i shohim si përjashtime, si devijime. Në një rast klasik esencializimi, ne i shohim dy atributet e fundit si karakteristika të shoqërive të pazhvilluara, biologjikisht jodemokratike, të ‘paemancipuara’; pak a shumë si kjo e jona. Me gjithë riskun e bërjes së deklaratave të mëdha, deklaratave të aso përmasave që të zënë poshtë tyre dhe ta marrin frymën, e disa prej atyre që lexuat më sipër padyshim ishin të këtilla, megjithatë do të vazhdojë të them se historia e njerëzimit, për aq sa ne e njohim, është histori dhune. Historia e popujve është histori dhune, dhe popujt që kanë bërë lufta dhe kanë pushtuar të tjerët janë zhvilluar dhe kanë përparuar kundrejt popujve ‘paqësorë‘. Civilizimi i tyre është i ndërtuar përmbi dhunë, në një simbiozë të pashkapshme krimi e zhvillimi.
Ky nuk është gjykim, as moralizim, e as glorifikim i askujt dhe i asgjëje; aq më pak i dhunës për hir të dhunës. Në fakt, nëse ky interpretim është diçka atëherë është ftesë për ndërrim perspektive, për mosmoralizim, për joskandalizim e kukuvajtim; për ardhje në vete. Ndërrimi i perspektivës mund të na ndihmojë ta ndërrojmë qasjen, e cila mund të na çojë drejt diçkaje më produktive, më dinamike dhe më aktive; mund të na ndihmojë të dalim nga kurthi i mendësisë së të pushtuarit dhe viktimës së përjetshme, nga ngujimi në dialektikën vetrrotulluese.
Nëse e marrim për të vërtetë pohimin se dhuna është në themel të vendosjes së pushteteve të reja politike, e këtu ne nuk bëjmë kurrfarë përjashtimi, atëherë kjo e vërtetë ka potencial të na çlirojë nga një barrë e rëndë.