Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Loja” me Ushtrinë e Kosovës

Nisma e fundit politike për t’i dhënë mision, mandat dhe kompetenca ushtarake Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), edhe pse e vonuar, nuk nisi në mënyrë të mbarë dhe kështu nuk arriti cakun e saj final. Arsyeja kryesore për dështimin e saj (të paktën deri më tash) ishte protagonizmi politik i iniciuesve të saj që krye në vete dhe pa zhvilluar konsultime paraprake me të gjithë akterët përkatës e bëri këtë nismë të dështuar që në hapat fillestarë. Mungesa e koordinimit dhe konsultimit të mirëfilltë ishte vërejtur në dy nivele.Së pari, mund të thuhet që të gjitha kushtet janë pjekur për transformimin e FSK-së në ushtri (qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimit të Ligjit aktual për FSK-në) dhe asnjë argument profesional nuk ekziston për shtyrjen e kësaj çështje. Në të vërtetë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe institucionet shtetërore (si Ministria për FSK-në dhe një pjesë e deputetëve të Kuvendit) tashmë ka disa vite që kanë shtruar nevojën e krijimit të ushtrisë së vendit dhe kanë theksuar gatishmërinë e FSK-së për të marrë kompetencat sovrane në fushën e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Por, kjo nuk duhet assesi të ndodh pa u arritur konsensusi i brendshëm politik ndërmjet institucioneve dhe të gjitha komuniteteve në vend. Sidoqoftë, kështu ndodhi me iniciativën e Thaçit, i cili duke vepruar njëanshëm dhe pa u koordinuar me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, këmbëngulte në shtyrjen përpara të kësaj ideje. Mos-koordinimi i presidentit me këto dy institucione kyçe për krijimin e ushtrisë së Kosovës do të mund të ketë pasoja të mëdha negative për shtet-ndërtimin në Kosovë. Duhet thënë troç që Qeveria e Kosovës, si institucion ekzekutiv, që prej konstituimit të saj e deri më tash ka dështuar krejtësisht të çojë përpara këtë çështje duke u mjaftuar vetëm me deklarata politike se janë duke u angazhuar për transformimin e FSK-në Forca të Armatosura të Kosovës, por pa ndërmarrë hapa konkret. Ndërsa, rol më të madh do të duhej të kishte edhe Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së që më shumë ka vepruar në bazë të inercionit në vend se të kërkojë që sa më shpejt Qeveria të bën përgatitjet e duhura për themelimin e ushtrisë.

Në këtë kontekst, ky trekëndësh institucional (Presidencë-Kuvend-Qeveri) nuk u koordinua në mes vete për të zhvilluar konsultime, qoftë edhe publike, me komunitetin serb në Kosovë që t’ju shpjegohet dhe të binden për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Kjo u dëshmua edhe nga kërkesa zyrtare e Presidencës drejtuar Kuvendit për tërheqjen e Projektligjit për FSK-me qëllim që të bëhen konsultime me komunitetin serb. Për më tepër, kjo do të ndërlikojë edhe më shumë këtë proces duke marrë parasysh varësinë e Listës serbe ndaj Beogradit dhe ‘veton’ e këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës duke kundërshtuar në mënyrë kategorike votimin e ndryshimeve kushtetuese për transformimin e FSK-së në FAK, gjegjësisht Projektligjin për FSK-në.

Së dyti, niveli tjetër me të cilën institucioni i Presidencës nuk u koordinua ishin shtetet mike të Kosovës, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkësia ndërkombëtare, në këtë rast NATO. Mbase nisur nga supozimi që ndërkombëtarët herët a vonë do të përkrahin nismën për themelimin e ushtrisë së Kosovës, institucionet e vendit u treguan naive duke u munguar njohuritë themelore se si funksionon partneriteti bilateral me vendet e NATO-s që kanë njohur shtetin e Kosovës. Për më tepër që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen, zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së në forma të ndryshme, sikurse edhe shtete të tjera të NATO-s. Reagimi i ashpër deri në nivelet e larta politike nga ana e Departamentit të Shtetit Amerikan si pasojë e mungesës së koordinimit të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë është sinjal i qartë se formimi i ushtrisë në mënyrë të pakoordinuar nuk duhet ta gjejë assesi Kosovën duke i zbehur marrëdhëniet me partnerët e saj. Përkundrazi, kjo do të duhej të ndikonte në thellimin e mëtejshëm të raporteve bilaterale të Kosovës me shtetet mike, të cilat mund të mbështesin FSK-në ose ushtrinë e ardhshme të Kosovës në mënyra të ndryshme për ndërtimin një ushtrie moderne në interes të forcimit të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Në fund, duke e marrë parasysh në njërën anë pozitën e pafavorshme ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht në dialogun e Brukselit prej të cilit Serbia po përfiton më shumë në raport me integrimin në BE dhe në anën tjetër shfaqjen e protagonizmit politik me nismën e fundit për bërjen e FSK-së ushtri të Kosovës, duket që kjo çështje ka devalvuar e degraduar më shumë. Tashmë do të jetë më e vështirë të shtyhet përpara transformimi i FSK-në në ushtri të Kosovës pas dorëzimit para presioneve ndërkombëtare, ndërsa edhe rezistenca nga përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë kundër ushtrisë do të mund të rritet edhe më shumë duke e ditur që ata janë të diktuar nga Beogradi për të mos dhënë pëlqimin lidhur ushtrinë dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Rrjedhimisht, edhe përpjekjet për të bindur komunitetin serb për krijimin e ushtrisë së Kosovës do të jenë të vështira. Në rastin e kundërt, nuk përjashtohet mundësia që çështja e ushtrisë të vendoset në tavolinën e bisedimeve, ku komuniteti serb do të votonte për ushtrinë me kusht të votimit të Asociacionit të Komunave Serb në Kuvendin e Kosovës. Kjo mënyrë kompromisi nuk do të duhej të pranohej në asnjë mënyrë nga institucionet e Kosovës për shkak të papajtueshmërisë të Marrëveshjes së këtij asociacioni me Kushtetutën e Kosovës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.