Nga viti 2008, Kosovën e kemi shpallur shtet. Të tillë na kanë njohur pjesa më e madhe e vendeve të botës. Por të tillë me gjasë nuk po e njohim ne, sidomos ata që kanë kërkuar dhe e kanë marrë mandatin për të ushtruar funksione shtetërore. Duke mos e trajtuar si shtet, po e çojmë këtë shtet për lesh.
Shteti patjetër që ka të bëjë me një territor. Por shteti, ndër të tjera, nënkupton edhe struktura e procedura që i bëjnë të parashikueshme e të kontrollueshme veprimet e atyre që kanë mandat të ushtrojnë funksione shtetërore. Ata që kanë luftuar (me armë), por edhe ata që nuk kanë luftuar (me armë) për çlirimin e Kosovës, nuk besoj ta kenë pasur ideal vetëm territorin, por edhe pjesën tjetër të konceptit e praktikës së një shteti.
Një parti në pushtet, që për më tepër e udhëheq Qeverinë, propozoi këto ditë në Kuvendin e Kosovës një resolution që kërkon që “çdo fëmijë në Kosovë prej moshës 0 deri në 16 vjeç të gëzojë shtesa çdo muaj, duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore kjo shumë të rritet, ndërsa rekomandimet e rezolutës të zbatohen në buxhetin për vitin e ardhshëm, duke u shndërruar në vijë buxhetore.” Partitë tjera të pranishme në seancë e përkrahën këtë propozim. Po atë mbrëmje, Kryeministri shprehu lumturinë që partia e tij kishte dorëzuar në Kuvend këtë projekt-rezolutë, e cila sipas tij “ishte një nga hapat e Qeverisjes së tij për të zhvilluar politika të qëndrueshme në mbrojtjen e fëmijëve dhe familjes”.
A ka ndonjë problem deri këtu? Po, një problem shumë të thellë. Aq i thellë saqë është i rrezikshëm për vet shtetin. Absolutisht jo përmbajtja e kësaj nisme, por qasja ndaj shtetit që e përfaqëson kjo nismë, dhe të tjera të ngjashme.
Ka vite që Kosova e ka të rregulluar relativisht mirë mënyrën se si merren vendimet e institucioneve shtetërore. Ekzistojnë procedura, formate të dokumenteve, udhëzime për përmbajtjen dhe procesin e përgatitjes së e tyre, pozita zyrtare me kompetenca për ta nisur a udhëhequr një proces… të gjitha me qëllimin që vendimi që merret në fund të jetë i ligjshëm, i informuar, i analizuar dhe me gjasat më të mëdha për zbatim të duhur dhe prodhim të efekteve pozitive në praktikë. Për më tepër, miliona euro nga partnerët e Kosovës janë investuar për t’i hartuar e zbatuar këto rregulla. Në letër, janë hapa drejt përafrimit me mënyrën e qeverisjes së vendeve të BE-së.
Këto procedura thonë që nisma të tilla merren nga Qeveria/Ministritë, në këtë rast përmes Koncept Dokumenteve, ku analizohen problemet e vlerësohen opcionet, kostot e përfitimet. Aty analizohet (dhe arrihet në përfundim) p.sh. nëse 10 euro janë të mjaftueshme apo me to s’mund të blihet as edhe një kuti pelenash për fëmijë, nëse duhet të aplikohet te të gjithë fëmijët apo te disa kategori, çfarë efekte pritet të prodhojë nga nataliteti deri te buxheti, etj. Bazuar në të gjitha këto, në fund propozohet një zgjidhje, e cila aprovohet, ndërsa me ligje, vija buxhetore e programe tjera bëhet obligim e zbatohet.
Deputetët (duhet të) i dinë këto. Partitë politike gjithashtu, sidomos ato që janë në pushtet. Kryeministri edhe më shumë. Të gjithë këta – e që e përfaqësojnë një pjesë shumë të rëndësishme të shtetit – po se po. Por, të gjithë së bashku zgjedhin rrugën e gabuar. Atë të një rezolute të Kuvendit që: 1) nuk ka asnjë mënyrë e mjet për të analizuar problemet, opcionet, kostot e përfitimet; 2) nuk prodhon ndonjë obligim për shkak të vet natyrës së vet; 3) nga praktika, apriori dihet që nuk do të zbatohet ndonjëherë.
Në ekzaltimin për këtë “vendim madhor e strategjik me interes kombëtar”, diskutimi mbi procedurën, rrjedhimisht gjasat për zbatim, rrjedhimisht qëllimin e vërtetë të nismës, mungoi.
Po të ishte e vetmja, ndoshta edhe nuk do të ishte problem. Por nisma e vendime të tilla që nxisin lavdata politike e ekzaltime patriotike pa ndonjë qëllim a efekt konkret ka shumë. Vetëm kujtoni vendimin për zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës në Prizren, që praktikisht ishte marrë në një tubim zgjedhor. A thua ishte analizuar si duhet sa kushton, çfarë ndikimi do të ketë te të punësuarit e Ministrisë apo puna e saj, si do të udhëtonin zyrtarët që tashmë jetonin në Prishtinë, a mund të përdorej baza e njejtë që Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit të zhvendosej në Mitrovicën e Veriut apo Ministria e Bujqësisë në Rahovec, etj. Ose ndryshimin e lokacionit të stadiumit të futbollit në Drenas! Ose përcaktimin me ligj të Prizrenit si Kryeqytet historik! Ose faljen e borxheve të kompanive të ujit! Ose hapjen e universiteteve në çdo qytet të Kosovës! Ose rritja e vjetërsisë së veturave që mund të importohen në Kosovë! Ose…!
Sa më e rëndësishme çështja, aq më larg procedurave normale e mënyrës institucionale merren vendimet. Sa më të mëdha interesat financiare ose politike, aq më të mëdha odat e shtëpitë private ku ndodhin diskutimet e vërteta. Sa më pak vullnet për të zbatuar diçka, aq më i lartë emri i dokumentit apo institucionit që e trajton atë. Një qasje e tillë i’a humb kuptimin zgjedhjeve, administratës publike, angazhimit të shoqërisë civile, ndihmës së partnerëve ndërkombëtar, rrogave dhe shpenzimeve tjera të qindra e mijëra shërbyesëve civil të cilët paguhen nga ne taksapaguesit për të hartuar e zbatuar politika e ligje. Përkundrazi, një qasje e tillë e kthen Kosovën edhe zyrtarisht në ilegalitet, ku i gjithë “kuvendi” bëhet në oda, kafiteri e tubime partiake, ndërsa institucionet publike e procedurat shërbejnë vetëm si dekor i legjitimimit të epsheve dhe interesave individuale të atyre që kanë pushtet, apo nxitjes së ekzaltimit të masave mbi fluska që nuk bartin në vete asgjë.
Shteti i Kosovës nuk po trajtohet seriozisht nga shtetet tjera. Shteti i Kosovës nuk po trajtohet seriozisht nga qytetarët e vet. Por, shteti i Kosovës më së paku po trajtohet seriozisht nga vet udhëheqësit e vet, të cilët pa i detyruar askush kanë vendosur të na e kërkojnë votën, për ta udhëhequr… shtetin!