Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Lundrimi mes dialogut politik, teknik dhe ekonomik

Saga disavjeçare e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e filluar në vitin 2011, vazhdon të sjellë zhvillime të reja. Për disa vite normalizimi i marrëdhënieve ishte menduar të arrihej përmes njohjes reciproke, por veprimet e javëve dhe muajve të fundit, si në Bruksel ashtu edhe në Washington, kanë dhënë shenja për përqendrim në marrëveshje teknike ose ekonomike. Duke u larguar gradualisht  nga synimi i arritjes së njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, mund të vërehet tendenca e krijimit të një procesi dialogues disashkallësh, në të cilin normalizimi i marrëdhënieve më shumë se sa mjet për ndryshim substancial të situatës në terren, mbetet qëllim i mëvonshëm, i arritshëm vetëm nëse zbatohen marrëveshje paraprake.

Në të vërtetë, duhet thënë, për shkak të paparashikueshmërisë së procesit të dialogut, veçmas vitet e fundit, çdo supozim mbetet në kuadrin e dyshimit.  Por, ky dyshim bëhet i fortë nëse merren për bazë edhe seria e fundit e takimeve, edhe shenjat për takimet e ardhshme në Bruksel dhe Washington. Dhe, asgjëmangut, rrëshqitja e dialogut në një format ku shmanget pjesa politike, vështirë se mund të shihet si në përputhje me interesat afatgjata të Kosovës. Rrjedhimisht, çdo ndërmarrje dialoguese që nuk ia mësyn nyjës kryesore politike midis Kosovës dhe Serbisë duhet marrë me rezervë.

Synimi për të arritur normalizimin e raporteve politike përmes marrëveshjeve teknike nuk është diçka e re. Dialogu në vitin 2011 filloi si një proces teknik. Megjithatë, duke mos e sfiduar problemin në rrënjë, pra njohjen reciproke mes dy shteteve, marrëveshjet kanë dështuar të kenë ndikim substancial në marrëdhëniet dypalëshe dhe në jetët e qytetarëve. Shumica e marrëveshjeve të arritura, duke përfshirë marrëveshjet që ishin menduar si pjesë të normalizimit politik, nuk janë zbatuar ose janë zbatuar pjesërisht. Edhe nëse nuk mund të injorohen krejtësisht, ndikimi i tyre nuk ka qenë ai që ishte menduar në momentin e nënshkrimit.

Më tutje, ambiguiteti konstruktiv i përdorur nga Bashkimi Evropian (BE) si lehtësues i procesit, veçanërisht për të akomoduar interesat e Serbisë, nuk ka kontribuar në shuarjen e divergjencave mes dy shteteve. Përkundrazi, përgjatë viteve, qasja e ndjekur vetëm sa ka shtuar atmosferën e mosbesimit, dyshimit, por edhe mundësitë për sabotim nga Serbia për zbatimin e marrëveshjet e arritura. Madje, edhe marrëveshjet që eventualisht janë zbatuar, si për kodin shtetëror për Kosovën dhe marrëveshjen për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT), ishin bllokuar paraprakisht nga Serbia për një kohë të konsiderueshme, duke i shkaktuar shtetit të Kosovës kosto financiare.

Disa viteve më vonë, përsëri i kemi hyrë një procesi të ri, por i cili nuk adreson këto lëshime. Prandaj, qeveria e Kosovës do të ishte e përligjur nëse do ta mëdyshte procesin për të kuptuar më mirë përfitimet e tij, për faktin e thjeshtë se një proces i ngjashëm më herët kishte dështuar të ofronte rezultate. Ta zëmë, ende nuk dihet se çka nënkupton normalizimi për të tri palët: Kosovën, Serbinë dhe BE-në. Gjasat e mira janë që të tre palët kanë paramendime të ndryshme, ndoshta edhe kontradiktore. Përderisa paqartësia vazhdon ta karakterizojë këtë proces, nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga e kaluara.

Në anën tjetër, ideja se normalizimi i marrëdhënieve duhet synuar përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik gjithashtu vështirë se qëndron në këmbë të veta. Paradoksalisht, ekonomia është ndër sektorët e vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, që ka funksionuar në vazhdimësi pas vitit 1999, përkundër se barrierat ekonomike nga ana e Serbisë për produktet kosovare kanë ekzistuar. Edhe për faktin se të dy shtetet janë anëtare të CEFTA, shkëmbimi ekonomik nuk është ndaluar asnjëherë plotësisht. S’do mend se në kohën kur qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100% për produktet nga Serbia, kah fundi i vitit 2018, hyrja e mallrave serbe në Kosovë shënoi rënie drastike. Sidoqoftë, në vazhdimësi në vitet e pasluftës, Serbia ka kryesuar listën e shteteve importuese brenda Kosovës. Shkëmbimi tregtar rifilloi posa qeveria e Kosovës largoi tarifën në fillim të vitit 2020. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020, kompanitë serbe eksportuan mallra në Kosovë në vlerë prej 95 milionë euro (tarifa ishte hequr në fund të muajit Shkurt).

Nuk kontestohet se në planin afatgjatë shkëmbimi i zgjeruar ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të barabarta, mund të jetë parakusht për ndërtimin e raporteve dypalëshe edhe në sfera të tjera. Së këndejmi, përparimi i raporteve ekonomike do të rriste mundësitë për paqe të qëndrueshme afatgjatë. Por, duhet cekur se problemet e hasura nga Kosova, burojnë nga bllokimi i vazhdueshëm politik dhe diplomatik i Serbisë, rrjedhimisht nuk janë të lidhura me sektorin ekonomik. Problemi duhet shprishur në folenë e vet: në Kushtetutën e Serbisë, e cila e cilëson Kosovën si pjesë të territorit serb; si dhe në qasjen, veprimet dhe synimet armiqësore të jashtme serbe ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Si përfundim, marrëveshja e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do duhej të zgjidhte pikërisht këtë nyjë, pra të avanconte raportin juridik dhe politik mes dy shteteve, përmes njohjes reciproke. Në të kundërt, vlera e marrëveshjeve mbi aspektet teknike dhe ekonomike mbetet e zbehtë. Nga ajo që kemi parë nga fillimi i dialogut në vitin 2011, cilido proces i dialogut që tenton t’i bjerë rrotull problemit thelbësor politik, pa u përballur me të, vetëm sa do ta ndërlikonte situatën edhe më tutje.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.