Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Marrëveshja e Gjelbër Europiane si udhërrëfyes për Ballkanin Perëndimor

Illustration: Big Eye

Marrëveshja e Gjelbër Europiane (European Green Deal – EGD) është një plan gjithëpërfshirës i përpiluar nga Bashkimi Europian (BE) më 2019, për ta bërë ekonominë e BE-së më të qëndrueshme dhe të padëmshme për klimën deri në vitin 2050. Plani përfshin një gamë të gjerë nismash që synojnë reduktimin e emetimeve të gazrave serrë, mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e një ekonomie qarkore.

BE-ja ka vendosur tre objektiva kryesorë për t’i arritur deri në vitin 2030. Reduktimi i emetimeve të gazrave serrë në 55%; prodhimin e 40% të energjisë së saj nga burime të ripërtëritshme dhe reduktimin e mbetjeve dhe promovimin e ripërdorimit, riparimit dhe riciklimit të produkteve.

BE-ja është zotuar të mobilizojë fonde të konsiderueshme për ta mbështetur zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër. Banka Europiane e Investimeve është zotuar gjithashtu të investojë një trilion euro në projekte klimatike dhe mjedisore gjatë dekadës së ardhshme. Financimi i BE-së do të përdoret për të mbështetur kërkimin dhe inovacionin, projektet e energjisë së ripërtëritshme, përmirësimet e efiçencës së energjisë dhe tranzicionin në një ekonomi qarkore.

EGD është një politikë e gjelbër industriale që synon ta transformojë ekonominë europiane dhe përbën një ndër marrëveshjet më të rëndësishme të BE-së, e cila mund të ketë impakt të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, si rajon që pretendon të integrohet në Union në të ardhmen.

Hapat e ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor

Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një mori politikash të gjelbra në vitet e fundit për ta ndjekur politikën e BE-së. Shqipëria kishte vendosur një objektiv për të prodhuar 38% të energjisë elektrike të saj nga burime të ripërtëritshme deri në vitin 2020 dhe ka zbatuar një skemë tarifore nxitëse për të inkurajuar investimet në projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Bosnia and Herzegovina ka miratuar një plan kombëtar veprimi për ndryshimet klimatike, i cili përfshin masa për të përmirësuar efiçencën e energjisë, promovimin e energjisë së ripërtëritshme (në 43% deri më 2020) dhe reduktimin e emetimeve të gazrave serrë.

Mali i Zi ka miratuar një strategji kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm, e cila përfshin masa për promovimin e energjisë së ripërtëritshme (në 33% deri më 2020), përmirësimin e efiçencës së energjisë dhe reduktimin e emetimeve të gazrave serrë.

Maqedonia e Veriut kishte vendosur një objektiv për të prodhuar 28% të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme deri në vitin 2020 dhe ka zbatuar një skemë tarifore nxitëse për të inkurajuar investimet në projektet e energjisë së ripërtëritshme.

Serbia ka zhvilluar një sërë politikash të gjelbra që synojnë promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, reduktimin e emetimeve të gazrave serrë (për 33.3% deri më 2030) dhe adresimin e ndryshimeve klimatike, duke përfshirë Strategjinë Kombëtare të Ndryshimeve Klimatike dhe Fondin e Gjelbër.

Gjendja në Kosovë

Kosova vazhdon të varet nga thëngjilli për prodhimin e energjisë. Në janar 2023, 84% e energjisë në dispozicion është prodhuar nga thëngjilli. Edhe pse kjo përbën rënie nga 91.3% nga viti paraprak, është ende një përqindje shumë e lartë e varësisë nga thëngjilli dhe ka prodhim enorm të ndotjes së ajrit, veçanërisht në sezonin e dimrit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konstatuar se nivelet e ndotjes së ajrit në Kosovë janë gati katër herë më të larta sesa limitet e rekomanduara nga OBSH-ja. Vdekshmëria nga kanceri në Kosovë është dy herë më e lartë sesa mesatarja europiane. Në këtë drejtim, tranzicioni në burime të energjisë së qëndrueshme do të ndikojë në uljen e ndotjes së ambientit dhe në uljen e shkallës së sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja.

Qeveria e Kosovës planifikon, në strategjinë për periudhën 2022-2031, heqjen e qymyrit nga përdorimi deri në vitin 2050, në përputhje me Marrëveshjen e Sofjes dhe objektivat e BE-së.

Strategjia e energjisë përcakton një objektiv për të zbatuar një sistem të çmimeve të karbonit deri në vitin 2025 dhe për të rritur gradualisht çmimet derisa të bashkohet me Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të BE-së (ETS). Objektivi për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë në sektorin e energjisë është të paktën 32% deri në vitin 2031, ndërsa burimet e ripërtëritshme duhet të mbulojnë të paktën 35% të konsumit të energjisë elektrike deri në atë kohë.

Kosova ka punuar në integrimin e tregut dhe planifikimin e sistemit me Shqipërinë dhe operacionalizimin e Bursës së përbashkët Shqiptare të Energjisë (ALPEX – Albanian Power Exchange), ku bëhet shitblerja e energjisë.

Gjithashtu, Kosova synon të arrijë rreth 340 Mw të kapacitetit rregullues fleksibil deri në vitin 2031 përmes një projekti në vazhdim me Millennium Challenge Corp. (MCC). Madhësia e baterive në objektet e magazinimit të planifikuar të përfundojë deri në fund të periudhës është 170 Mw, me një total prej dy orësh kapaciteti, që përkthehet në 340 Mwh. Aktualisht, Kosova nuk ka kapacitet magazinimi dhe ndërtimi i këtij kapaciteti i mundëson asaj përballimin më të lehtë të krizave energjetike.

Megjithatë, tranzicioni energjetik duket shumë i vështirë për t’u arritur. Pjesëmarrja e burimeve të erës dhe diellit në sektorin e energjisë elektrike ishte vetëm 5% në janar 2023. Kjo përbën një rënie prej 6.8% nga viti paraprak. Kurse, pjesëmarrja e përgjithshme prej 25% dominohet nga përdorimi i biomasës (drurit) në ngrohje, gjë që rëndon bilancin e energjisë elektrike dhe gjenerimin e emetimeve të dëmshme, kryesisht për shkak të pajisjeve joefikase.

Nga kjo analizë e iniciativave në Kosovë dhe rajon shohim se edhe pse caqet e reduktimit të karbonit u afrohen atyre të BE-së, ato mbesin më të ulëta.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.