Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Marrëveshja ndërton Ballkanin

Qarku u mbyll, i riu fillon. Kutia e Pandorës paksa u hap, ndërsa historia e konfliktit serbo-shqiptar në Kosovë ka marrë dimension të ri. Kemi ardhur në atë pikë që të arrestohen politikanë, madje edhe ata zyrtarë shtetërorë të cilët zhvillojnë bisedime në Bruksel.

E gjithçka nisi para pesë vitesh, kur më 19 prill 2013, atëbotë kryeministra, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit. Shumëçka që atëherë është bërë, por edhe nuk është bërë, ndërsa pengesa kryesore është i famshmi Asociacioni i Komunave Serbe (AKS). Gjëja e vetme dhe kryesore që ka qenë arsye për nënshkrimin e letrës nga Serbia është themelimi i AKS-së.  Ajo është edhe themeli i krejt dokumentit, duke u përfshirë në 7 nga gjithsej 15 pika të marrëveshjes. Dhe pesë vjet më pas, në atë fushë nuk ka kurrfarë përmirësimi.

Shumica e popullsisë shqiptare gjithsesi e sheh me sy të keq Marrëveshjen e Brukselit, patjetër për shkak të pikave që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit, siç ata e quajnë AKS-në. Prandaj edhe në Prishtinë në vitet që i lamë pas shpeshherë përmendej shprehja “kriza politike”. Pakënaqësia e thellë ka arritur kulmin me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës para dy vitesh, si dhe nga mesi i marsit, kur u miratua Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.

Gjithsesi, e drejta e popullit për protesta duhet të ekzistojë. Megjithatë, duket sikur popullsia shqiptare thjesht nuk dëshiron të ndajë asgjë me askënd, e të rrëmbejë gjithçka për vete. „Nuk e japim Asociacionin, nuk i japim Bjeshkët e Nemuna“ këto ishin parullat kryesore të demonstratave. Thuajse askush nuk dëshiron të thotë se thelbi i marrëveshjes me dikë është kompromisi. E në gjëra të këtilla politike, rallëherë vjen deri te situata win-win. Gjithmonë dikush duhet të tërhiqet një hap apo të humb diçka. Derisa një pjesë e serbëve (40% sipas hulumtimeve) ende nuk mund të përcaktojnë pozitën e vet karshi Marrëveshjes, shqiptarët e Kosovës në këtë aspekt janë më të bashkuar – formimin e Asociacionit ata kryesisht e shohin si shembull të bosnjëzimit të Kosovës, si një Republikë Serbe të re në Ballkan. E është fakt se ata këtë nuk e dëshirojnë.

Të them të drejtën, as serbët nuk janë të mrekulluar me atë ide, por janë më të vetëdijshëm se kompromisi kërkon njëfarë zmbrapsje, dhe konsiderojnë se mjaft që institucionet serbe në veri të Kosovës po shuhen. Policia, mbrojtja civile, gjykatat, komunat, gjithçka është e integruar në sistemin kosovar. Madje edhe konkurset për vende pune në shëndetësi e arsim shpallen përmes komunave kosovare. E nuk ka kurrfarë shenje sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të kthehem te të menduarit e komunitetit shqiptar në Kosovë. Disponimi i popullsisë shqiptare nëpër qytete të Kosovës pasqyrohet me ngjarjet në Beograd gjatë viteve të ’90-a. Serbia atëbotë konsideronte se e gjithë Kosova është ekskluzivisht e saj, derisa sot një mentalitet i tillë mbretëron në Kosovë. Kurrsesi shqiptarët dhe serbët të gjenden në të njëjtin plan, gjithmonë njëri vonohet pas tjetrit. Prandaj edhe nuk ka marrëveshje. Të gjitha detajet teknike zbatohen me detyrim, implementimi rëndom vononhet, ndërsa disa pika, megjithëse të dakorduara, nuk lëvizin nga vendi.

Dhe me gjithë këtë, pala serbe ka mbetur në bisedime, edhe pse shqiptarët nuk lëvizin aspak nga qëndrimet e tyre. Me këtë, ekipi negociator serb me një qëndrim të tillë po dëshmon se është në favor të dialogut dhe të gjetjes së zgjidhjes së qëndrueshme. Por, duket se kjo nuk është afër. Hyrja e forcave speciale ROSU në veri të Kosovës dhe “shfaqja” e luajtur përpara qytetarëve dhe politikanëve, ndër të cilët rastis të jenë edhe ata që janë nëpër institucione të Kosovës, si dhe parada me drejtorin e Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, nëpër rrugët e Prishtinës, i kanë bërë keq të dyja palëve.

Unë jam i sigurt se ngjarjet e 26 marsit dikujt i shkojnë për shtati, sepse gjërat e këtilla nuk ndodhin rastësisht. Megjithatë, një gjë është krejt e sigurtë – do ta pësojë populli. Si një efekt domino, vendimet politike gjithmonë i kanë prekur njerëzit e rëndomtë, dhe si pasojë gjithmonë kanë qenë të mundshme incidentet, dhe kështu edhe janë thyer disa xhama në lagjen boshnjake po atë mbrëmje E nëse shikojmë mbrapa, çdo tension gjithmonë ka gjetur rrugë për të prodhuar probleme.

Kushdo që ka dhënë urdhrin për këtë gosti policore krejtësisht joprofesionale, me siguri ka shkaktuar problem më të madh se që është pritur. Lista Serbe ka paralajmëruar dalje nga Qeveria e Kosovës dhe potencialisht e ka futur Prishtinën në një krizë të re, dhe mbase edhe në zgjedhje të reja, e dialogun në qorrsokak. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmuar se serbët përfundimisht do të nisin ta themelojnë vet Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pas pesë vitesh shmangieje që këtë gjë ta bëjnë autoritetet e Kosovës. Nëse reagimi i Qeverisë për këtë është i njëjtë dhe në terren e nxjerr policinë për ta parandaluar themelimin e Asociacionin, kjo mund të jetë hyrje në një krizë të re.

E shumëkush thotë se dialogu nuk ka alternativë. Dhe kjo është e vërtetë. Sepse nëse njerëzit heshtin, mund të dëgjohen armët, e pas gjithë kësaj, të gjithë shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Andaj, marrëveshja ndërton shtëpinë. Por, këtu jemi në Ballkan, dhe nga shtëpia e dialogut janë vendosur vetëm themelet. Duhet të kalojë shumë ujë nën urën e Ibrit në Mitrovicë derisa të vihen tjegullat e asaj shtëpie. E deri atëherë duhet punuar shumë, edhe për Asociacionin, edhe për problemet pronësore, edhe për shumë gjëra të tjera.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.