Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi heronjtë e Presidentit

Ilustrimi nga Big Eye.

Punëtori që ndan kafshatën e gojës për ta shkolluar fëmijën nuk është hero. Ai është qenie e manipuluar që ka një fat të përbuzur. Për më shumë se kaq fëmijët e tij nuk mund të ndihen sikurse fëmijët e një heroi. Ata ndodh që mund të derdhin sharje të panumërta mbi fytyrën e atij që ju e quani hero ngase në çastin e tyre të vetëdijësimit mbi të ardhmen, do ta kuptojnë që mashtrimi është buka e tyre e përditshme. Mbase buka bajate e tyre. Veterani nuk mund të jetë hero. Mund të jetë mbase një hero i zhgënjimit. Dhe i pabesisë së kohës. I lënë nën mëshirën e politikanëve që në fjalorthin e tyre moral mungon turpi. Domethënë ma ha mendja se lufta ka prodhuar shumë heronjë të zemëruar. Mbase të braktisur nga gjithçka që kishte qenë pjesë e ëndrrave të tyre të mëparshme. Pastaj cili invalid ndihet hero. Kush u dekorua me një medalje të tillë. Ku janë këta shpirtëra të inatosur që ju ka ardhur vetja e tyre në majë të hundës. Kam takuar njërin prej tyre. Zbrazte shishet e birrave të lira dhe shante me aq sa ja mbante, në drejtim të zotërave politik. Familjet e dëshmorëve nuk janë heronjë. Ata janë si ne. Që nuk jemi si ta. Nuk mund të jemi aq të pandershëm deri në këtë pikë. Gjithmonë t’i përmendim atëherë kur e kemi të nevojshme. Dhe t’i përulemi kur përmbushen egot tona të fëlliqura politike.

Qytetari që jeton jashtë vendit të tij nuk është hero. Mbase po të ishte ndjerë kështu do të vinte që të gjallonte në mes nesh. Që viteve të fundit kemi mbushur stacionet e autobusëve me çantat tona të rrjepura në drejtim të perëndisë së quajtur Askund. Dhe atë duke hëgër gjembat e kufirit europian. Nëse një milion refugjat në një kohë të mëhershme ishin heronjë gjë që kësaj here më duhet të pajtohem atëherë në këtë kohë janë një milion fytyra të lodhura, pa asnjë cilësi të një heroi. Pa asnjë shpresë dhe pa asnjë besim në skenën poltike të këtij realiteti barbar. Një milion koka të dërrmuara dhe dy milion sy të përhumbur. Ja që nuk mund të pajtohem përsëri. Një mësues nuk është hero. Ai është një njeri i përskuqur nga dielli. Me rroba të vjetëruara e këpucë të shkyera në majë. Që kundërmon. Më hirin e shkumësit që shpërndahet në dorën e tij, ku mund ta lexosh lirshëm sonetin e dëshpërimit. Bujku nuk mund të jetë hero. Mbase mund të jetë i tillë duke kujtuar plantacionin e kalbur të lakrave të dikurshme.

Pastaj si mund të ketë diçka heroike në lumenjë që kullojnë shurrë. Sa për ilustrim. Jam rritur pranë një lumi dhe jam dëshmitar i sjelljes barbare ndaj tij. Dhe poashtu dëshmitar mbi rastin e troftave të helmuara. E kemi në mendje të ecim edhe pak drejtë asaj që është thënë. Studenti nuk është hero. Studenti është një shpirt që nis të sakatohet. Dhe që përçmohet nga e nesërmja e tij. Më së paku studenti është i tillë. Gjendur para rrugëve që i shtrihen. Asnjëra e duhur për të. Me vetëm një gjë në duar. Kompromisi fatal me veten. Natyrisht ta bëj atë që nuk din dhe të mos e bëj atë për të cilën ka lagur shtyllën kurrizore.

Devotshmëria ndaj pushtetit mbetet një derë e hapur për të.

***
Pastaj të thuash se heroizmin mund ta gjesh tek prokurorët dhe gjyqtarët vërtet është qesharake. Apo mund të mos e kemi idenë fare mbi definimin e asaj se çfarë është heroike dhe çfarë nuk është e tillë. Mund të jetë ndonjë lloj i ri i të bëmave heroike. Heroizmi korruptiv. Mbase. Ku dreqin i dihet. Ne ende jemi në zanafillën e dijes, kur kemi të bëjmë me këso lloj vakish.

Ta themi edhe këtë meqë e lëshuam veten deri këtu. Në këtë pellg melankolik. Dhe atë të flasim personalisht. Unë Shpëtim Selmani, në prag të të tridhjetave (pakëz herët për t’u treguar kaq i paskrupullt) si qytetar i këtij vendi nuk jam fare krenar. Me këtë therrtore të dashurisë. Që është vend i dështakëve të hatashëm. Më vjen keq që kam lindur këtu. Por ky është një aksident tjetër që nuk ka të bëj me forcën tonë. Gropa e krimbur është vendi im dhe kjo duhet t’i jep fund vajit vetjak. Natyrisht ligji biologjik është mbi qeniet. Domethënë nuk është që nuk kam dashuri ndaj këtij vendi. Duket se i gjithë ky mllef patetik më vie për shkak që nuk kam më forcë për ta dashur.

Të kthehemi tek ajo që u tha. Kujt dreqin i duhem unë dhe dërdëllitjet e mia emocionale. Nëse nuk harroj nuk e kam të qartë pse më duhet të mos hakmerrem. Pse haku duhet të jetë një e drejtë qytetare që gjendet në raftin tonë të madh të të drejtave. Domethënë e drejta e hakmarrjes qenka e pranishme. Dhe mjet brenda fushës së ekzistencës. Natyrisht. Ne mund të hakmerremi vetëm ndaj vetes sonë. Dhe kjo është ajo që dua të besoj dhe ajo që më ka ndihmuar të besoj në këtë mënyrë. Krejt në fund ne nuk jemi heronjë. Ne jemi njerëz të thjeshtë. Të rëndomtë. Me halle shumë. Ne jemi një popull shumë i vogël për të pasur kaq pakënaqësi të mëdha. Ne kemi nevojë për dinjitet. Dhe për të vërtetën. Kemi nevojë të dalim nga honi i errët ku jemi katandisur. Krejt në fund meqë u fol për këtë gjë. Kemi nevoje për heroizmin tuaj. Që të gjithë ju pa asnjë përjashtim të tregoheni njerëzor dhe të tërhiqeni njëherë e mirë nga fusha e egër politike. E gjithë skena politike të bëhet heroike njëherë e përgjithmonë ose të gjithë ne do të jetojmë si hero të zbythur dhe të mjerë. Duke ndjerë se si na kulloni në gjak.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.