Para pak ditësh, deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës lëshuan seancën parlamentare në shenjë proteste ndaj një deklarate të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi; i cili në një status të tij në Facebook kishte fyer ministren e dikasterit qeveritar, Dhurata Hoxha, duke e quajtur atë me termin denigrues: “lopë.”
Se pse ato kishin vendosur ta bëjnë këtë veprim, nuk besoj se kam për ta rrokur mendërisht ndonjëherë; ama për një gjë jam i sigurt: këtë gjë nuk e kanë bërë pse atyre u bën shumë për gratë.
Pse po e them këtë?
Po e them sepse deputetet në fjalë jo vetëm që kurrë nuk kanë reaguar kur janë fyer deputetet e subjekteve të tjera politike, por as atëherë kur janë ofenduar edhe vetë nga kolegë të tyre seksistë e misogjinistë.
Ku ishin, për shembull, kur kryeparlamentari Veseli e ofendoi deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu?
Po kur shefi i grupit të tyre parlamentar, Adem Grabovci, e quajti deputeteten e partisë së tyre, Florina Brovina, me termin “budallicë” dhe “idiote,” ku ishin?
Pse nuk reaguan edhe atëherë?
Pse nuk e lëshuan seancën plenare edhe atëherë?
Ose më mirë: Pse kurrë nuk u ndërmenden për të reaguar kundër shfrytëzimit ekonomik të grave; të cilat duhet të punojnë mbi dhjetë orë në ditë për 200 euro në muaj?
Ose për gratë që pushohen nga vendi i punës vetëm dhe thjesht pse ngelin shtatzëne?
Ose për gratë që nuk u paguhet pushimi i lehonisë?
Ose për gratë që vuajnë sistematikisht nga dhuna shtëpiake?
Ose për gratë që, për shkak të mbajtjes së shamisë, përjashtohen nga vendet e tyre të punës; ose më keq: nuk pranohen fare?
Ose për vajzat apo gratë që, për arsye të orientimit seksual, diskriminohen padrejtësisht?
Pse?
Tregomëni!
E të mos përmendim faktin që, disa prej këtyre deputeteve, janë edhe raciste të pandreqshme (rikujtojeni ju lutem inçizimet e Insajder ku ato dëgjoheshin duke u zgërdhirë me komunitetet më të nëpërkëmbura në Kosovë – rom, ashkali dhe egjiptian).
Por, nga ana tjetër, nuk e kuptoj pse iu desh anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshit, ta quajë ministren Hoxha me termet denigruese: “lopë” dhe “hienë që kultivon kurvëri politike,” kur dihet se zoti Kurteshi është një aktivist i të drejtave të njeriut, një njeri i formuar intelektualisht, një veprimtar i kahershëm politik; dhe njëri ndër zyrtarët më të përgjegjshëm që ka pasur Kosova në periudhën e pasluftës?
Anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, së paku, do të duhej që kritikën kundrejt pushtetit dhe sistemit politik ta mirëmbajnë në kuadër të regjistrit politik, e jo ta zhvendosin atë drejt terreneve të tjera që nuk kanë kurrfarë peshe politike.
Sepse, me të vërtetë, ç’efekt politik mund të prodhosh nëse e quan dikë “lopë,” “i poshtër,” “i padijshëm” apo “prostitutë politike”?
As edhe një efekt të vetëm politik – përveç ofendimit që i bën subjektit në anën tjetër.
Për mua kjo është shqetësuese, që kritika sistemike e anëtarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes të rrëshqasë drejt regjistrave të tjerë, e jo pse zoti Kurteshi është seksist apo misogjinist. Sepse, sinqerisht, kurrë nuk besoj se është i tillë. Po, ka gabuar që e ka quajtur ministren Hoxha ashtu, dhe mirë ka bërë që e ka tërhequr fjalën e tij. Po kjo nuk e bën atë medoemos seksist apo misogjinist.
Sido që të jetë, Lëvizja Vetëvendosje, mendoj, ka një traditë të mirë në këtë drejtim – në kuptimin që kritikën ndaj sistemit e ka artikuluar në terma politikë dhe socio-ekonomikë, e jo në terma kulturorë, moralë, gjinorë apo religjiozë siç kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë shumica e analistëve dhe gazetarëve në Kosovë e Shqipëri, mjerisht.
Prandaj e tëra çfarë duhet bërë është që anëtarët dhe aktivistët e Vetëvendosjes të ruajnë këtë traditë të vlefshme kritike, që vetë Lëvizja Vetëvendosje e ka aktualizuar në Kosovë.
P.S.
Në pjesën e dytë të shkrimit, “Ana e errët e feminizmit neoliberal në Kosovë,” do të merrem me shqyrtimin e aspekteve destruktive të feminizmit neoliberal që është etabluar në Kosovë; i cili më shumë sesa që ka ndihmuar në luftimin e padrejtësive dhe pabarazive gjinore ka ndikuar në maskimin, riprodhimin dhe përjetësimin e tyre).