Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi poezinë dhe turpin

Ilustrimi nga Big Eye.

***

Gjithmonë ndjej njëfarë lloj turpi dhe në të njëjtën kohë ngushëllohem me idenë e të qenit poet. Një turp që nuk ka mundësi ta marr vesh se nga më vjen e ku shkon. Ose e marr vesh pa dashur të shkrijë mend më shumë, lidhur me këtë çështje. Gjithmonë poetët kanë thënë gjëra tmerrësisht të vërteta dhe në të njëjtën kohë më duket se kurrë nuk kanë arritur ta ndryshojnë gjendjen e masës, që përvëlohet në shëmti. Këtu qëndron fatkeqësia madhështore e tyre. Pra e poetëve. Fatkeqësia e vetme, që na bën nder. Ta themi edhe këtë gjë që thënë të drejtën, mua nuk është se më pëlqen edhe aq shumë. Gjithmonë masa ka ngadhnjyer mbi të vërtetat njerëzore të poetëve. Ngase brenda llojit njerëzor barbarizmi i mendjes është i parrëzueshëm dhe totalitar. Gjithmonë ndjej se brenda meje ka diçka fëmijërore. Thënë të drejtën nuk më ka shkuar për dore të rroj në paqe me realitetin. Ngase besoj fanatikisht se çdo realitet i secilit vend është i përçudshëm. I dalë mendsh. Dhe i fëlliqur. Shumësia e realiteteve të pista e kanë bërë këtë botë të pajetueshme. Ose zor të jetueshme. Duket se kam ardhur në një pikë të çuditshme. Aq më bën se kujt i përkasë. Dhe kujt i shërbej. Aq më bën se çfarë duhet të them. Dhe kujt duhet t’i besoj. Kemi humbur shansin për të thënë kjo gjë është e mirë. Kemi humbur rastin për të thënë kjo gjë nuk është aq e mirë. Kemi humbur rastin për të njohur kufinjtë brenda nesh. Për ta kuptuar lirinë. Dhe për ta pranuar tjetrin. Të zhytur thellë në egocentrizëm primitiv, nuk jemi asgjë tjetër pos viktima të mjera provinciale. Nuk jemi asgjë tjetër pos qenie vigane, me une të sëmura. Duke u ngashnjyer nga lavdia, në dorën e bukur të dreqit.

***

Mario Benedetti, poeti i madh uruguaian, shtron pyetje fundamentale në njërën prej poezive të tij, të thurrura për bukuri. T’i biem shkurt. Radha e njerëzve për sulme të pareshtura kritike është aq e madhe. Dhe gatishmëria për të kafshuar në qafë, është e llahtarshme. Pra ta themi atë që e kemi në mendje. Sa më shpejtë që të jetë e mundur. Hapini veshët mirë. Benedetti pyet se çfarë do të ndodhte nëse britma e një kontinenti, do të qe britma e të gjitha kontinenteve. Ai pyet se çfarë do të ndodhte nëse i djegim të gjithë flamujt, për të pasur vetëm një. Atë të tonin. Atë të të gjithëve. Ose më mirë asnjë pasi nuk na nevojitet. Ai pyet se çfarë do të ndodhte nëse reshtim së qeni patriot, për të qenë thjeshtë njerëz. Ai pyet se çfarë do të ndodhte nëse organizohemi dhe në të njëjtë kohë përballemi pa armë, në heshtje, të shumtë, me fytyrën e shtypësve, pa ‘rroftë’, pa duartrokitje, pa buzëqeshje, pa rrahje-shpine, pa himne partiake. Ai pyet dhe në të njëjtën kohë nuk jep përgjigje. Ngase thotë se nuk e din. Më duket i gjunjëzuar kur e thotë këtë.

A është kjo fatkeqësia e madhe e poetëve. Apo vetë shtruarja e pyetjeve të tilla është fatbardhësi. Mua ma ka ënda të besoj tek kjo e dyta. Pa dashur të shpjegojë shkaqet e këtij besimi të patundshëm. Ma ha mendja se pyetjet e Benedettit duhet të godasin si çekan, në kokën e secili njeri. Kudo mbi faqe të dheut. Ngase luftërat e të gjithëve janë të miat. Dhe luftërat e mia janë të të gjithëve. Kjo sa për ta dëshmuar natyrën time të llastuar dhe qesharake apo sentimentin e padinjitetshëm njerëzor.

***

Gjithmonë gjaku rrjedh dhe rrjedh dhe rrjedh. Dhe ne çdo ditë e më shumë, pa fije turpi, rrjedhim nga trutë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.