Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Me cilin kompas masim?

Illustration: Big Eye

Me cilin kompas masim?

“Seksi që i mungon Vetëvendosjes” është titulli i një përshkrimi kritikues ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! për moskandidimin e grave për kandidate për kryetare komunash. Titull anti-feminist. Si fillim, termi “seks” përdoret kryesisht në shkencën e biologjise për përshkrimin e organizmave që kanë shëndet dhe jetesë të shpenguar nga dinamikat shoqërore. Seksi nuk ka mundësi të krijojë shoqëri e histori, gruaja dhe burri po. Lokalizimi i shtypjes tek seksi e shmang shpjegimin qendror që seksi është shfrytëzuar shoqërisht për t’i nënshtruar gratë, siç është përdorur raca për t’i nënshtruar njerëzit me ngjyrë.

Duhet ta pranojmë se moskandidimi i grave për kryetare komunash vë në pah mungesën e një politike të brendshme efektive në raport me gratë në Lëvizje.

Synimet tona duhet t’i konkretizojmë përmes planesh dhe përmes diskutimeve të shpeshtuara në mes të aktivistëve.  Në Lëvizje ka hapësirë për të ndërmarrë hapa, por hap i parë është pranimi i kritikës. Lëvizja jonë nuk është një ishull i pa ndikuar nga mendësia patriarkale e pranishme gjithandej në shoqëri, nuk është imune as nga mizogjinia, seksizmi apo veset tjera. Por, për çfarë jam optimiste unë është pikërisht gatishmëria dhe përpjekja brenda Lëvizjes që më parë se sa të bëjmë improvizime, çështja e barazisë gjinore të diskutohet e të trajtohet për së mbari.

E kështu shtrohet pyetja: cilat vlera i përqafon Lëvizja dhe çfarë ndryshimi përpiqet ta sjellë me ardhjen në pushtet, nëse angazhimi parësor do të ishte afrimimi i grave dhe burrave për pozita më të larta të cilat kanë si përligje meritokracinë dhe arrihen, disi, përmes ambiciesh personale për ngritje në karrierë.

Moskandidmi i grave nuk është shprehje mosbesimi apo mosrespekti. Nëse është dëshmuar një gjë përgjatë historikut të Lëvizjes është se angazhimi direkt e padallim, indiferenca karshi diferencave të parëndësishme, ndërkohë që angazhohemi rreth kauzave të përbashkëta gjithmonë sjell fryte. Në Lëvizje aktivistet e përgjegjësive të ndryshme kanë organizuar tubime e protesta, kanë marrë pjesë në aksione e konferenca, më shumë se të gjitha subjektet marrë së bashku, e sidomos ndryshe nga të gjitha subjektet. Ka rëndësi se cila është busulla e brendshme e një subjekti që ta dimë se çka kuptohet me besim e besnikëri. E njejta gjuhë tregon diçka tjetër brenda PDK-së, sepse kompasi i tyre përshkon tjetër sipërfaqe, atë të oportunizmit dhe taktikave të vazhdueshme për të mbetur (edhe ca) në pushtet.

Tash sa kohë ne jemi përcaktuar për demokracinë që nuk mjaftohet me përfaqësim. Hendeku që krijon përfaqësimi është vetë mundësia, por në masë të madhe edhe shkaku që sistemet e sotme kanë përfunduar në oligarki. Duke vërejtuar këtë, kryefjala jonë nuk është përfaqësimi, por përfshirja. Në vend të forumit si arenë konkurrence për pushtet, kemi krijuar Sekretariatin që ka si synim kryesor përfshirjen e grave në luftën tonë politike. Mbase, nuk kemi bërë mjaft, por e rëndësishme është edhe të fillohet mbarë.

Kur flitet për ngritje në hierarki institucionesh duhet pasur parasysh se pozita të larta janë pak, pra kufizohen në numër shumë të vogël, dhe së dyti ky nuk është as parakusht për avancimin e grave që takojnë në klasa të nëpërkëmbura. Shikuar në perspektivë, gra që udhëheqin komuna dhe ministri do të ketë, por kjo përveç se është e pamjaftueshme, e kthen përpjekjen për barazi gjinore në çështje pozitash e përfitimesh të një grupi të vogël grash. Këtu na vie në ndihmë Nancy Fraser, e cila flet për kthesën e madhe që ka pësuar lëvizja feministe përmes lidhjes së saj me neoliberalizmin në kuadër të një ekonomie të tregut të lirë, duke zhvendosur angazhimin për solidaritet social, që dikur përbënte botëkuptimin e lëvizjes feministe, tek një feminizëm i cili i gëzohet ngritjes së grave në poste institucionesh e korporatash.

Poashtu, kritika ndaj rendit patriarkal, përveç që është e pamjaftueshme, nuk ofron (më) instrumentet e nevojshme për ta kuptuar tërë realitetin shtypës e shfrytëzues ndaj grave. Në Evropë patriarkalizmi është në zhdukje e sipër, por po krijohen figura të reja të pushtetit që mund të mos kenë domosdoshmërisht fytyrë burri. Ajo çfarë nuk është duke u zhdukur është shfrytëzimi ekonomik e social. Unë besoj se i takoj një subjekti të majtë e progresiv, që mbështet feminizmin që angazhohet për trasformim strukturor të shoqërisë, e bashkë me të edhe të raporteve të pushtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.