Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Më shumë se zgjedhje presidenciale

Zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen në SHBA më 3 nëntor, janë një ngjarje me rëndësi edhe për shkak të ndikimit që do ta projektojnë jashtë territorit të SHBA. Kërshëria për këtë proces zgjedhor është e madhe për faktin se rezultati pritet të ketë efekt real edhe në dinamikat e rendit global në planin afatgjatë. Pra diferenca në rezultatin zgjedhor ndërmjet Presidentit aktual, Republikanit Donald Trump, dhe Demokratit Joe Biden do të reflektojë edhe mbi pozicionin e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, natyrisht duke përfshirë Kosovën.

Në përgjithësi, dy kandidatët kanë shprehur dallime të theksuara në relacion me rolin që e parashohin për SHBA në skenën ndërkombëtare, si dhe për qasjen që SHBA si shteti i fuqishëm në botë duhet ta ketë me aktorët ndërkombëtarë. Përderisa Presidenti aktual Trump është më i interesuar të udhëheqë një politikë të jashtme izolacioniste, kundërshtari i tij Biden parasheh të kundërtën, pra kthimin e lidershipit të SHBA në skenën globale. Në terma praktikë, qasja e Biden do të nënkuptonte shtim të interesit të politikës së jashtme të SHBA për ngjarjet që ndodhin jashtë territorit të saj, rrjedhimisht një angazhim më të theksuar brenda rrjedhave të politikës ndërkombëtare.

Lidhur me këtë, nga deklarimet dhe programet e paraqitura të kandidatëve mund të hetohen disa dallime në relacion me përfshirjen e SHBA për marrëveshjet dhe organizatat ndërkombëtare. Kandidati Demokrat Biden është zotuar se nëse zgjedhet President do të punojë për rikthimin e SHBA në Akordin Klimatik të Parisit të nënshkruar në vitin 2016, rifillimin e zbatimit të Marrëveshjes Nukleare me Iranin të arritur në kohën e administratës Obama në vitin 2015, gjithashtu rikthimin e SHBA në Organizatën Botërore të Shëndetësise (OBSH). Biden gjithashtu ka ofruar përkushtimin për të zgjeruar kapacitetet e NATO-s, si organizata kryesore e sigurisë kolektive. Më tutje, duke marrë për bazë edhe historikun e administratave Obama, ku ai pati shërbyer si Zëvëndëspresident, administrata Biden do të reflektonte një qëndrim më të ashpër ndaj autokratëve, pra vëmendje të shtuar për cilësinë e sistemeve demokratike në botë, gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian (BE) në kuadër të përpjekjeve për rigjenerimin e koalicionit translatlantik.

Në anën tjetër, Presidenti aktual Trump në të gjitha këto çështje qëndron në pozicionin e kundërt. Në mandatin e dytë, administrata e tij pritet të vazhdojë me qasjen jokonvencionale në raport me marrëveshjet dhe organizatat ndërkombëtare, duke vënë në plan të parë sovranitetin shtetëror. Sikurse edhe dëshmon slogani i famshëm “Amerika e para”, politika e jashtme e administratës së dytë Trump do të vazhdonte të prioritizonte zgjerimin e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të SHBA, sidomos përmes bashkëveprimit me kryeqytetet, pra bilateralizmit. Nga ajo që është dëshmuar në katër vitet e fundit, diplomacia e Trump është e gatshme të konsiderojë edhe përafrimin dhe bashkëpunimin me kryeqytete që nuk njihen si aleatë tradicionalë të SHBA. Gjithashtu, gjatë këtij mandati Trump nuk hezitoi t’i trazonte raportet me aleatët tradicionalë të SHBA, sikurse ndodhi me tarifat tregtare të vendosura ndaj Kanadës apo në sektorin e sigurisë me tërheqjen e një pjese të trupave ushtarake nga Gjermania. Në përgjithësi, administrata e Trump ka dëshmuar se nuk heziton të transformojë fundamentet e politikës së jashtme të SHBA, përkundrazi në shumë raste e konsideron pozitive dhe të nevojshme.

Për më tepër, rezultati zgjedhor më shumë se sa një garë mes dy kandidatëve ose dy partive politike, shndërrohet në kontest brenda dy rrymave të të menduarit dhe qeverisjes në përmasë globale. Grupe të ngjashme politike të cilat synojnë të sfidojnë me ndryshime rrënjësore modelet aktuale të qeverisjes brenda shteteve dhe qeverisjen globale, janë shfaqur gjithandej nëpër demokracitë liberale. Ndër të tjera, vitet e fundit kjo klimë i ka kontribuar  ngjarjeve si BREXIT; forcimit të grupe politike populiste në shtete me tradita të vjetra demokratike, si Alternativa për Gjermaninë, Tubimi  Nacional (ish-Fronti Nacional) në Francë dhe Demokratët Suedez; apo krijimit të figurave politike me prirje autokratike në vendet ish-komuniste anëtare të BE-së, si Viktor Orban në Hungari apo Andrzej Duda në Poloni. Në këtë kuadër, qeverisja e ardhshme e SHBA do të reflektojë edhe modelet e qeverisjes në shtetet e tjera, më e rëndësishmja për pozicionin e këtyre grupeve politike brenda demokracive.

Përpos këtyre, rezultati i zgjedhjeve natyrisht se do të kenë ndikim edhe mbi Kosovën. Në dekadat e fundit përkrahja për shtetin e Kosovës është shndërruar në çështje bipartizane nga Demokratët dhe Republikanët. Pavarësisht se administrata aktuale ka pasur dallime nga ato të kaluarat për shkak të qasjes jokonvencionale që ka sjellë në Shtëpinë e Bardhë, ajo ka vazhduar përkrahjen për Kosovën, si dhe ka riafirmuar qëndrimin se epilogu i dialogut me Serbinë duhet arritur përmes njohjes reciproke. Në rast se Trump fiton një mandat të dytë, marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë me 4 shtator mund të rikontekstualizohet, duke i dhënë një shtysë të re zbatimit të pikave të saj. Në anën tjetër, për shkak të koordinimit Bruksel-Washington që administrata e demokratëve e synon, me fitoren e Biden procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE me shumë gjasë do të rifitonte përkrahjen e SHBA. Një hap i tillë do t’i jepte legjitimim shtesë përpjekjeve evropiane për të arritur marrëveshjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër të tjera, afërsia e kandidatit Biden me Kosovën, ashtu edhe njohja e detajuar e kontekstit, është aspekt që nuk duhet neglizhuar.

Në përgjithësi, zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA janë më shumë sesa zgjedhje në SHBA. Për shkak të diferencave të theksuara të dy kandidatëve në dimensionin e politikës së jashtme, ato do të vendosin rolin, qasjen dhe sasinë e përfshirjes së SHBA në relacion me shtetet, organizatat ndërkombëtare. Dallimi midis dy skenarëve në raport me vizionin për rendin global është sa i kundërt aq edhe i qartë; në njërin skenar rendi global është i zhytur në realpolitikë, në skenarin tjetër ringjallet shpresa për reformimin e ideve të globalizimit që burojnë nga institucionalizimi liberal. Për më tepër, zgjedhjet do të reflektojnë edhe trajektoren e formacioneve politike “anti” që janë shfaqur gjithandej planetit.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.