Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mënyrat e parandalimit të korrupsionit policor

Ilustrimi nga Big Eye.

Rreziku i korrupsionit është duke e sfiduar Policinë e Kosovës duke vënë në dilemë funksionimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm të këtij institucioni për luftimin e korrupsionit. Prej dyshimeve për korrupsion të policëve të trafikut deri të akuzat për përfshirje të zyrtarëve të lartë policisë në mbylljen e qëllimshme të hetimeve duke marrë si kompensim shumë të majme të parave janë vetëm disa prej rasteve që kanë shënuar vitin 2016 dhe 2017 sa i përket akuzave për korrupsion në adresë të policisë.

Derisa hetimi i veprave nën bazën e dyshimit të korrupsionit mbeten për t’u hetuar nga ana e organeve të drejtësisë, megjithatë kjo do të mund të ndikojë në dëmtimin e integritetit e të qeverisjes së mirë të këtij institucioni të sigurisë si dhe të sfidojë në masë të konsiderueshme sundimin e ligjit brendapërbrenda Policisë së Kosovës. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, policia duhet të përmirësojë dhe forcojë më tepër mekanizmat e kontrollit të brendshëm për mbikëqyrjen e aktiviteteve të personelit të Policisë pavarësisht rangjeve të ndryshme që kanë në kuadër të institucionit. Në të vërtetë, mekanizmat e kontrollit të brendshëm policor kanë rol kryesor në forcimin e integritetit, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit brenda policisë. Për më tepër, ngritja e integritetit institucional manifestohet përmes luftës kundër korrupsionit dhe fuqizimit të mekanizmave të brendshëm për parandalimin e korrupsionit, përkatësisht zvogëlimin e korrupsionit dhe luftimin e dukurive të tjera negative. Mirëpo, për arritjen e këtyre synimeve drejt profesionalizimit të policisë dhe personelit të saj, këta mekanizma duhet para së gjithash të jenë të pavarur nga menaxhmenti i policisë dhe të mos ndikohen nga zyrtarët e ndryshëm policorë. Kjo, në anën tjetër, nuk nënkupton që mekanizmat e kontrollit të brendshëm të policisë do t’i konkurronin punës së organeve të drejtësisë ose Inspektoratit Policor të Kosovës. Përkundrazi, kjo do të kishte për qëllim kryesor parandalimin e fenomenit të korrupsionit brenda institucionit përmes mbikëqyrjes së zyrtarëve policorë dhe eprorëve të tyre që potencialisht mund të dyshohen për veprën penale të korrupsionit.

Njëra nga mënyrat për parandalimin e korrupsionit policor është hartimi i planit të integritetit të Policisë së Kosovës që tashmë janë hartuar në disa prej institucioneve vendore (siç është rasti me Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe disa komuna të Kosovës). Aty do të duhej të parashihej saktësisht aktivitetet e kontrollit të brendshëm të policisë për parandalimin e korrupsionit përmes bashkëpunimit edhe me institucionet tjera përkatëse (veçanërisht me Inspektoratin Policor të Kosovës) dhe ngritjen e sensibilizimit të personelit policor nga rreziku i korrupsionit.

Krahas mekanizmave të kontrollit të brendshëm të policisë, edhe Inspektorati Policor i Kosovës që aktualisht ka të drejtë të hetojë veprat penale të kryera nga punonjësit e policisë pa dallim grade e pozite duhet të jetë më aktiv në mbikëqyrjen e policisë përmes instrumenteve që ka në dispozicion. Në rastet kur mekanizmat e brendshëm të Policisë së Kosovës dështojnë në parandalimin e korrupsionit të zyrtarëve të saj, atëherë Inspektorati Policor i Kosovës, siç i takon me ligj, do të duhej të shfrytëzonte masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit e hetimit për mbledhjen e të dhënave kur ekziston dyshimi i bazuar se zyrtarët janë të zhytur në korrupsion. Ky instrument i Inspektoratit Policor duhet të shfrytëzohet me qëllim të hetimit të integritetit për të ruajtur frymën e etikës së policisë dhe për të zhvilluar standardet më të larta profesionale të forcave të rendit për luftimin e korrupsionit policor.

Nga ana tjetër, funksionimi i Inspektoratit Policor në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit të Punëve të Brendshme mund të ngrit dyshimet nëse ky institucion mund të kryejë misionin e vet në mënyrë të pavarur e profesionale për një polici të përgjegjshme, demokratike dhe transparente duke qenë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Prandaj, mbase është e domosdoshme të shqyrtohet statusi aktual i Inspektoratit Policor për ngritjen e pavarësisë dhe përjashtimin e mundësisë që Ministria e Punëve të Brendshme të përfshihet ose të ndërhyjë në aktivitetet e tij marrë parasysh që Inspektorati funksionon nën autoritetin e ministrit të Brendshëm. Në këtë drejtim, duhet të shtohet më shumë roli i Komisionit parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme për mbikëqyrjen e aktiviteteve të Inspektoratit Policor. Për më tepër, do të duhej të kërkohen alternativa të tjera që vend se t’i raportojë dhe përgjigjet drejtpërdrejtë ministrit të Brendshëm, kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor t’i raportojë dhe përgjigjet drejtpërdrejtë Kuvendit të Kosovës për punën e institucionit që drejton në rrafshin e hetimeve të veprave penale, përfshirë edhe ato të korrupsionit të personelit të policisë. Ndërsa, alternativë tjetër do të mund të jetë që Inspektorati Policor të funksionojë në kuadër të Prokurorit të Shtetit meqë, siç u përmend më sipër, ka të drejtë të hetojë veprat penale të zyrtarëve policorë. Të gjitha këto sugjerime do të kontribuonin në drejtim të ngritjes së pavarësisë së këtij institucioni për verifikimin, dokumentimin dhe hetimin e  integritetit të policisë, me theks të veçantë të luftimit të korrupsionit brenda radhëve të policisë.

Ndërkohë, parandalimi dhe luftimi efikas i korrupsionit në polici do të ndikonte pashmangshëm në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në polici dhe do të rriste edhe më shumë funksionin e saj në shërbim të sigurisë publike për qytetarët. Në fund të fundit, ngritja e integritetit institucional ka për synim avancimin profesional të policisë dhe të zyrtarëve policorë për qeverisje të mirë brenda institucionit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.