Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mësimet nga rasti i Manastirit të Deçanit dhe anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Europës

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (APKE) ka rekomanduar që Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit të Europës (KiE). Në të njëjtën kohë, APKE ka vendosur të monitorojë përmbushjen e një liste të gjerë të zotimeve dhe detyrimeve në momentin që Kosova bëhet anëtare e organizatës.

Në dokument-opinionin e draftuar nga delegatja greke, Dora Bakoyannis, thuhet se anëtarësimi i Kosovës në KiE do të çonte në “forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut, duke siguruar qasje në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.

Ky dokument-opinion u miratua me 131 vota pro dhe 29 kundër, ndërsa 11 abstenuan. Sipas procedurave të KiE-së, Asambleja duhet së pari të japë opinionin e saj për çdo kërkesë për anëtarësim, përpara se të merret një vendim përfundimtar nga Komiteti i Ministrave, organi ekzekutiv i organizatës i përbërë nga ministrat e jashtëm.

Rekomandimi për Kosovën erdhi si rezultat i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i jep të drejtën pronësore Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë, vendim të cilin qeveritë kosovare nuk e kanë zbatuar që nga viti 2016. Ky vendim ishte një parakusht për Kosovën për integrim në KiE.

APKE e përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës si “një përparim të madh” dhe e konsideroi atë si “një shenjë e prekshme e përkushtimit të qeverisë për të vepruar në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, pavarësisht nga konsideratat politike”.

Këtu do të shohim se cilat janë mësimet e mundshme nga kjo përvojë për zbatimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu me Serbinë, sidomos asaj mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKShS-në).

Janë disa gjëra që mësojmë nga kjo përvojë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe moszbatimin e marrëveshjeve. Por, gjithashtu ka edhe vend për brengosje se mund të nxirren mësimet e gabuara nga ky proces.

Së pari, këtu nuk bëhej fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare mes dy palëve, por për një vendim të brendshëm të institucioneve të Kosovës. Është gabim të thuhet se mund t’i imponohet Kosovës zbatimi i një marrëveshjeje, përgjegjëse për të cilën është edhe Serbia.

Së dyti, zbatimi i vendimit mbi pronën e Manastirit të Deçanit ishte i lidhur me një hap konkret të anëtarësimit në një organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. KiE ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku bëjnë pjesë edhe të drejtat fetare dhe çështja e pronave të manastirit. Pra, nuk bëhej fjalë për një organizatë që merret me çështje të tjera. Prandaj, zbatimi i vendimit të gjykatës ishte drejtpërdrejt i lidhur me mandatin e organizatës, dyert e së cilës po hapeshin nga ai zbatim.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKShS), kusht për anëtarësim në KiE?

Pas votimit në APKE, pritet një vendim përfundimtar nga Komiteti i Ministrave, organi ekzekutiv i organizatës i përbërë nga ministrat e jashtëm. Vendimi i ardhshëm do të merret nga Komiteti i Ministrave i KiE-së, në maj të këtij viti.

Raporti i Bakoyannis thotë se themelimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, dhe “duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, si një angazhim pas anëtarësimit”.

Megjithatë, për dallim nga vendimi për Manastirin e Deçanit, themelimi i AKShS-së nuk është parakusht për Kosovën.

Para këtij vendimi ka diskutime të shumta për hapat që Kosova duhet të bëjë drejt formimit të ASK-së për të siguruar një votë pozitive, apo për t’u siguruar se çështja futet në agjendë të takimit. Nëse votimi nuk ndodh në maj, atëherë çështja shtyhet për vitin tjetër.

Një hap i mundshëm është dërgimi për shqyrtim i një draft-statuti për AKShS-në nga Qeveria e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese. Problemi me këto presione është se kërkesat ndaj Kosovës janë të paqarta.

Megjithatë, nëse votimi përfundimtar nga Komiteti i Ministrave nuk ndodh në maj 2024, kjo do të përbënte një humbje për Kosovën. Shtyrja e votimit po ashtu do të dërgonte mesazh të dëmshëm se Perëndimi është më i ashpër me aleatët e vet, sesa me vendet jomiqësore.

 

 

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.