Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Miratimi i Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin për Barazi Gjinore

Reforma zgjedhore në Kosovë ka kohë që kërkohet me ngulm nga partitë politike, shoqëria civile dhe Bashkimi Europian. Megjithatë, për shkak të mospajtimeve të mëdha ndërmjet partive politike, një reformë e tillë nuk bëhej. Vetëm në tre vjetët e fundit, Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është proceduar më shumë se tri herë në Kuvend, por asnjëherë nuk kishte arritur në pikën përfundimtare për miratim në seancë plenare, si rezultat i moskonsensusit politik.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit duket se reforma zgjedhore shkoi në finale. Nga diskutimet në Komisionin Ad-Hoc për reformën zgjedhore, vazhdimisht është vërejtur se kësaj here projektligji do të miratohej me konsensus të plotë.

Dhe kështu ndodhi. Të gjitha partitë politike në seancën plenare më 8 qershor 2023 votuan projektligjin në parim, me gjithsej 86 deputetë të pranishëm dhe që votuan për, dhe në një seancë të dytë me 79 vota për, Kuvendi miratoi këtë projektligj edhe në shqyrtim të dytë.

Votimi i tij u bë me procedurë të përshpejtuar përmes shmangies së afateve të parapara me Rregulloren e Kuvendit, përkundër faktit që miratimi i projektligjeve me rëndësi jetike është kritikuar në Raportin për Progresin për Kosovën për vitin 2022 nga Komisionin Europian.

Projektligji i miratuar nuk përbën reformë sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinor, është në kundërshtim me vetë Kushtetutën dhe me Ligjin për Barazi Gjinore, i cili kërkon përfaqësim 50% të gjinisë së kundërt.

Deri më tani legjislacioni kosovar është bazuar në krijimin e masave afirmative për barazinë gjinore. Ato janë parë si legjitime për parimin e mosdiskriminimit për aq kohë sa ato janë proporcionale.

Pjesë shumë e rëndësishme e kësaj infrastrukture ligjore kosovare mbi barazinë gjinore është Pakoja e Ligjeve Kundër Diskriminimit, që është miratuar në vitin 2015, ku bëjnë pjesë: Ligji Kundër Diskriminimit (LKD)Ligji për Ombudspersonin (LAP) and Ligji për Barazi Gjinore (LBGJ). Të gjitha këto ligje formalisht garantojnë të drejta të barabarta të pjesëmarrjes në jetën publike të qytetarëve të vendit.

Projektligji i sponsorizuar nga Komisioni Ad-Hoc nuk ka marrë parasysh një informatë kritike se Ligji për Barazi Gjinore është ligj special. Sipas standardit ndërkombëtarisht të njohur, lex specialis derogat lex generali, çdo ndryshim i LBGJ afekton dispozitat e ligjeve të tjera të përgjithshme që bien në kundërshtim me të.

Në rastin konkret, secila dispozitë në LBGJ afekton dhe i bën pa efekt dispozitat e ligjeve mbi kuotat gjinore që ekzistojnë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe në Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme, tashmë të miratuar.

LBZ është dashur që të përdorej si ligj special, që të sigurohet pjesëmarrja e barabartë në listat zgjedhore si parametër matës për harmonizim të tij me ligjet e tjera sektoriale që janë kyç për afirmimin dhe realizmin e plotë të barazisë gjinore.

Projektligji i miratuar nuk e zvogëlon deficitin e pjesëmarrjes së grave në listat zgjedhore dhe ky projektligj nuk harmonizohet me Nenin 6, paragrafi 2.1, 7 dhe 8 Ligjit për Barazi Gjinore, dhe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me konventat të cilat zbatohen drejtpërdrejt në Kosovë.

Projektligji i miratuar nuk prek ndryshime rrënjësore sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinor në listat zgjedhore. Në fakt, dispozita e ligjit në fuqi për zgjedhjet e përgjithshme për kuotën gjinore është bërë pjesë e projektligjit që synon reformën zgjedhore copy-paste.

Sipas dispozitës në fuqi, përfaqësimi i secilës gjini do të jetë së paku 30%. Ajo çka kanë bërë subjektet politike deri më tani është se kanë respektuar pragun minimal prej më paku 30% kandidateve gra në listat e tyre. E njëjta dispozitë është bërë pjesë e projektligjit të miratuar.

Projektligji adreson vetëm një çështje me rëndësi sa i përket buxhetimit gjinor, e cila është e mirë, por adresimi i kësaj problematike është në shuma minimale. Sipas këtij projektligji, KQZ do të ndajë 1% të shumës së përgjithshme të alokuar për subjektin politik për secilin mandat të fituar nga gratë mbi kuotën 30% në momentin e certifikimit.

Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinor, nuk bën përpjekje serioze për t’i zbatuar parimet ndërkombëtare për barazinë gjinore. Në këtë kuptim, moskalimi nga kuota prej 30% në 50% përbën veprim kundër detyrimeve për të krijuar kushte të dosmosdoshme për pjesëmarrje efektive dhe të barabartë të grave në jetën publike kosovare.

According to Kushtetutës së Kosovës, “përbërja e Kuvendit të Kosovës do të respektojë parimet e barazisë gjinore të cilat duhet të jenë në pajtim me parimet ndërkombëtare.”

Kosova ka marrë përsipër përmbushjen e kritereve të caktuara që rrjedhin si pasojë e përfshirjes së këtyre konventave. Në rastin konkret, ne kemi adaptuar te Neni 22 Konventën për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas.

Neni 2 i Konventës përmend obligimin e shteteve që të përfshijnë parimin e barazisë ndërmjet burrit dhe gruas, por edhe obligimin e shteteve që ato duhet të ofrojnë sigurinë që nëpërmjet legjislacionit dhe masave tё tjera të përshtatshme ta vendosin zbatimin në praktikë të këtij parimi.

Masat e tilla përfshijnë pjesëmarrjen efektive në jetën politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore, “duke përfshirë edhe legjislacionin, për të siguruar zhvillimin e plotё dhe pёrparimin e grave me qëllim që t’u garantojnё atyre ushtrimin dhe gëzimin e të drejtave e të lirive themelore tё njeriut mbi bazën e barazisë me burrat.”

Kjo pjesëmarrje ka rëndësi për të qenë hisedarë në jetën publike. Që kjo të ndodhë duhet të ekzistojnë mjete të shtetit dhe masa të posaçme që garantojnë dhe sigurojnë përfaqësimin e barabartë gjinor.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend e kanë detyrim që të propozojnë dhe të miratojnë politika të përshtatshme legjislative. Në këtë drejtim, duke propozuar ndryshime ligjore të veçanta dhe të përkohshme të rritjes së kuotës në 50%, sepse përmes pranisë së barabartë të grave në listat zgjedhore do të eliminoheshin faktorët socio-ekonomikë, kulturorë dhe politikë që e pengojnë këtë prani.

Në mes të dy leximeve, deputetët e patën mundësinë që të propozojnë amendament për ndryshimin dhe plotësimin e Nenit 28, për rritjen e kuotës në përfaqësim, në mënyrë që të tregohej se gruaja nuk është vetëm për t’u parë në mënyrë simbolike te pozitat politike përfaqësuese. Një gjë e tillë nuk u bë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.