Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndikimi i pandemisë së Covid-19 në bizneset e grave

Në Kosovë, potenciali i grave për të kontribuar në politikë dhe ekonomi mbetet i pashfrytëzuar; kjo gjë tashmë nuk është lajm. Masat afirmative të implementuara kryesisht me ndihmën e donatorëve të huaj kanë sjellë deri përmirësime, por të dhënat statistikore tregojnë se pozita e grave në shoqëri lë shumë për të dëshiruar. Kjo mund të ilustrohet përmes të dhënave të Agjensionit të Statistikave të Kosovës për tremujorin e parë të 2020 që tregojnë se fuqia joaktive e grave të Kosovës është 79.7%, dhe punësimi i grave është vetëm 14.1%. Sipas raportit statistikor për vitin 2019 të GAP-it  numri i grave me kualifikim të lartë që presin punë është shumë më i madh sesa i burrave, 6720 nga 43547 gra punëkërkuese dhe 4067 nga 52343 punëkërkues burra.

Bazuar në hulumtimin e Open Data Kosovo vetëm 13% të bizneseve janë në pronësi të grave dhe prej tyre mbi 94% janë biznese individuale. Këto të dhëna nuk mund të gjenden të disagreguara në bazë të gjinisë në ARBK prandaj numri i bizneseve në pronësi të grave është llogaritur në bazë të emrit të pronares së biznesit.

Pothuajse çdo fatkeqësi natyrore godet më rëndë grupet e ndjeshme dhe kjo ka ka ndodhur edhe me pandeminë e koronavirusit kudo. Edhe në Kosovë është përkeqësuar gjendja ekonomike e grave, është rritur dhuna ndaj tyre dhe janë shtuar obligimet në shtëpi (përveç obligimeve është shtuar ndihma e fëmijëve në mësimin online). Ballafaqimi me problemet e mbijetesës dhe pasiguria nga frika nga një valë e re e pandemisë shkaktojnë presion psikologjik, i cili gjithnjë e më tepër po është evident në tërë botën.

Si organizatë e cila punon në fuqizimin e grave për më shumë se 20 vite dhe me numër të madh të tyre kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm përgjatë pandemisë. Duke u munduar të analizojmë sesi ka ndikuar pandemia në bizneset e grave kemi zhvilluar biseda me to dhe kemi organizuar një debat me 20 gra pronare të bizneseve.

Për shumicën, mbyllja totale përgjatë më shumë se dy muaj ka rezultuar në humbje të mëdha dhe me frikën se një valë e dytë e mbylljes mund të jetë shumë e rrezikshme për bizneset e tyre. Meqenëse, pothuajse të gjitha janë biznese mikro që merren me prodhim të ushqimit dhe shërbime ka qenë gati e pamundur t’i shesin produktet e tyre.

Një numër jashtëzakonisht i vogël ka gjetur mënyrën sesi të mbijetojë, p.sh. një biznes i rrobaqepësisë ka filluar të qepë maska, të cilat në fillim i ka dhuruar dhe më vonë ka patur porosi për blerje. Ose një kultivuese e dredhëzave në mungesë të importit ka pasur shitje, por me rrezik të madh të ekspozimit ndaj infeksionit me virus.

Për fat të keq për kultivuesit e pemëve dhe perimeve një dëm shtesë ndodhi në pranverë e që ishte breshëri, i cili shkatërroi shumë kultura që i kishin mbjellë.

Çka na mësoi pandemia?

Janë disa mësime që mund t’i nxjerrim nga kjo fatkeqësi, e cila ka goditur gjithë botën e që për një shtet të vogël me ekonomi të pazhvilluar si Kosova mund të ketë pasoja më të rënda:

– Rëndësia e tregut të brendshëm. Në kohën kur kufijtë e shtetit u mbyllën u vërejt sa e rëndësishme është mundësia që të gjenden brenda shtetit produktet si për konsum ashtu edhe për prodhim; një nga fabrikat e ujit mund të kishte shitje të mjaftueshme por nuk kishte mundësi të prodhojë sipas kërkesës, sepse nuk mund t’i importojë shishet për mbushje

– Zinxhiri i shitjes. Me mbylljen e restoranteve u dëmtuan edhe prodhueset e vogla të pemëve dhe perimeve prej të cilave furnizohen restorantet

– Përkrahja e prodhueseve dhe e bizneseve vendore. Përkundër humbjeve të mëdha pronaret e bizneseve shpresojnë se do të arrijnë t’i rimëkëmbin bizneset e tyre, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse konsumatorët do të jenë të vendosur t’i blejnë prodhimet vendore

– Rëndësia e investimeve në parandalimin e rreziqeve. Për shumë kultivues pemësh dhe perimesh pothuajse çdo vit breshëri shkakton dëme të prodhimeve të tyre dhe përderisa pandemia ishte e paplanifikuar dhe nuk mund të ndërmerreshin masat për parandalim, teknologjia për mbrojtje kundër breshërit ka avancuar dhe do të duhej aplikuar

– Rëndësia e ndihmesës për rimëkëmbje ekonomike. Për shumë biznese dhënia e ndihmës me kohë do të ishte qenësore për shumë arsye. Së pari që në disa familje, posaçërisht ato që kanë investuar në bizneset e tyre, nuk ka pasur kursime për shpenzimet e jetesës. Dhe e dyta që në momentin e krizës ka ekzistuar mundësia që disa biznese me pak investim ta sigurojnë mbijetesën, si mund të jetë blerja e materialit për maska apo mbjellja e një kulture tjetër në pranverë në vend të kulturës që kanë dështuar ta shesin për shkak të pandemisë

– Dobia e shitjes online dhe e marketingut do të krijonte mundësi që blerësit potencial të kenë më shumë informata për produktet që i ofrojnë tregut bizneset e Kosovës

Përkundër humbjeve të mëdha bizneset e grave nuk janë mbyllur gjatë valës së parë të pandemisë, por ekziston një rrezik i madh që një valë e dytë mund të shkaktojë mbylljen e shumicës prej tyre.

——–

Ky editorial është pjesë e projektit “Përgjigje e shpejtë ndaj pandemisë COVID-19 – mbështetja e grupeve më të cenueshme të grave” i iniciuar dhe financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, që implementohet nga Forumi Ekonomik i Grave.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.