Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndrysho ose dështo!

Mbi librin “Pse dështojnë Kombet” të Daren Acemouglu dhe James A. Robinson

Bota është shumë komplekse dhe e larmishme për ta sqaruar dhe kuptuar nganjëherë vetëm me fjalë. Aq më shumë, nëse kërkohen përgjigje të duhura në pyetjen siç e parashtrojnë autorët Daren Acemouglu dhe James A. Robinson; pse disa kombe janë të varfra e disa tjera të pasura? Megjithëkëtë, përpjekja që t’i përafrohemi këtij qëllimi nuk ka reshtur asnjëherë gjatë historisë së njerëzimit. Kur është pyetur njëherë Ajnshtajni; se a po e din saktësisht se çka po bën, përgjigja e tij ka qenë se nuk e din me saktësi, prandaj edhe për këtë arsye quhet kërkim shkencor. Ky argument mund të vlejë edhe për temën që trajtohet në këtë vepër. Një libër me teza të guximshme e provokative, i cili eksploron origjinën e pushtetit, prosperitetit dhe varfërisë, ashtu siç edhe përmban nëntitullin. Mësime, të cilat do të duhej t’i nxjerrim gjithsesi edhe ne si komb e shtet për t’u ballafaquar me këto sprova, si për të kuptuar të kaluarën, për të gjetur zgjidhje për çështjet aktuale ashtu edhe për ta trasuar të ardhmen.

Pas një pune pesëmbëdhjetëvjeçare kërkimore, autorët na sjellin një vepër tejet të pasur me shembuj të shumtë nga e kaluara, me raste nga kombe e shtete nga i tërë rruzulli tokësor, për të dhënë përgjigje sa më bindëse në tezat e tyre. Libri voluminoz me narracion të shkëlqyer në rreth 600 faqe, e i ndarë në 15 kapituj, u diskutua e u kritikua mjaft shumë në qarqe akademike e politike, dhe i cili tashmë është përkthyer edhe në shqip. Janë të rralla veprat e tilla akademike që janë shqipëruar me një përkthim aq të pasur gjuhësor dhe me përshtatje të duhura e të kuptueshme të nocioneve të shumta shkencore.

Pasi që i pasqyrojnë kushtet jetësore diametralisht të ndryshme në qytetin e Nogales, – në të dyja anët e kufirit, në atë amerikan dhe meksikan, – autorët e trajtojnë zhvillimin historik te këtyre shteteve dhe gjejnë në krijimin e konsolidimin e institucioneve politike burimin e këtyre pabarazive ekonomike. Sikur edhe në dallime të shumta tjera mes shteteve të varfra e pasura, pabarazia rezulton – sipas tyre – jo nga dallimet kulturore, gjeografike, vlerat shoqërore apo popullsia që mund të kenë ato ndërmjet veti, por nga cilësia e institucioneve politike që përcaktojnë edhe institucionet ekonomike. Në fakt dallimi thelbësor mes kombeve të dështuara dhe atyre prosperuese, qëndron në atë që ata i quajnë institucione ekstraktive – kur këto i shërbejnë vetëm një rrethi të caktuar pushtetarësh, dhe atyre inkluzive – kur këto janë gjithëpërfshirëse duke iu mundësuar qytetarëve pjesëmarrje si në vendime politike ashtu edhe në përfitime ekonomike. Nga prizmi teorik, ky thjeshtësim mund të duket si një emërtim tjetër për dallimet mes sistemeve demokratike e autoritare apo mes atyre liberale e totalitare, por ata besojnë se këto mund të jenë pasoja të llojit të institucioneve e jo shkaktare të këtyre regjimeve. Çka është e domosdoshme për sukses të institucioneve inklusive, është gjithsesi centralizimi i tyre në mënyrë që të sigurohen rendi dhe ligji, shërbimet e nevojshme publike dhe edukimi. Ndërkaq, qëndrueshmëria e tyre vjen nga pluralizmi politik dhe shpërndarja e drejtë dhe e barabartë e pasurisë.

Sidoqoftë, rastet e shtjelluara të Acemouglu dhe Robinson, tregojnë se ka shembuj të mjaftueshëm që popujt e civilizimet edhe nën institucione ekstraktive- si ato te Maja apo Romes, që kishin zhvillim të konsiderueshëm politik e ekonomik por ato dështuan pasi që nuk kishin bazë te qëndrueshme. Arsyet, përveç tjerash, qëndrojnë në bllokimin e ‘kreativitetit shkatërrues’- novacionit teknologjik dhe konkurrencës ekonomike, dhe rrjedhimisht krizës ekonomike e socio-politike. Pushtetarët absolutistë i druheshin ndryshimeve të shpejta ekonomike, sidomos gjatë revolucionit industrial, dhe kjo bëri që ato vende të stagnojnë (si Rusia cariste, perandoria Austro-Hungareze, Osmane), në krahasim me ato vende, ku elitat politike hapën tregun e lirë dhe i konsoliduan institucionet inkluzive (si në Britani, Amerike, Australi). Edhe pse siç e shpjegojnë ata në rastet e kombeve afrikane dhe latin-amerikane është roli i faktorëve të jashtëm, respektivisht i kolonizatorëve, ajo që i themeloi këto institucione eksploatuese. Por, pse edhe pas pavarësimit të tyre ato nuk prosperuan? Sepse, në shumicën e rasteve elitat e sapoardhura në pushtet jo vetëm që i trashëguan, por i kopjuan mënyrën përjashtuese e abuzuese të politikbërjes. Janë rastet e shtjelluara nga Etiopia, Zimbabve, Kongo apo edhe Guatemala e Kili ato që ofrojnë dëshmi për dështim dhe katastrofe në njerëz. Mirëpo, ka edhe tregues të tillë suksesi që kaluan nga forma ekstraktive e institucioneve politike e ekonomike në ato inklusive si Japonia, Koreja Jugore, Tajvani, Kili, Botsuana etj. Kështu, argumenti i tyre është se nuk ka një ndarje të botës në atë perëndimore apo lindore, apo të botës së parë e të tretë, por ka kombe që janë të hapura për ndryshime e konkurrencë dhe aso që mbyllen nga rrethet e ngushta dhe vicioze pushtetarësh dhe kështu varfërohen tutje.

Sigurisht që të sqarohet e tërë historia e zhvillimit politik e ekonomik të shteteve përmes dallimit institucional mund të konsiderohet si vështrim e shpjegimit tejet i thjeshtësuar i botës. Gjithashtu, përzgjedhja e shembujve mund të duket selektive dhe e pamjaftueshme për t’i kuptuar kontrastet e shumta si në mes vendeve të zhvilluara dhe pazhvilluara ashtu edhe dallimet regjionale brenda vetë shteteve me institucione të njëjta. Para se të merret si formulë e pranueshme për zhvillim, libri duhet të konsiderohet më shume si përpjekje për të nxjerrë mësime nga e kaluara e shumë kombeve, dhe për të reflektuar se cilat ishin veprimet e gabuara apo të duhura e udhëheqësve të tyre që çuan në dështim e vuajtje njerëzore apo në zhvillim e mirëqenie të tyre.

Mirëpo, përkundër vërejtjeve e kundërargumenteve që mund të sillen si kritikë ndaj kësaj qasjeje, libri ofron një argument të pamohueshëm se janë institucionet shtetërore të hapura e të gatshme për ndryshimet e duhura ato që krijojnë bazën e zhvillimit, barazisë e lirisë politike dhe prosperitetit socio-ekonomik. Prandaj si i tillë, ky libër jo vetëm që rekomandohet, por edhe shërben si pikë referuese për të reflektuar se çka duhet të ndërmerret sot, në mënyrë që institucionet tona politike të jenë më ‘inklusive’ dhe kështu të bëhen promotore të zhvillimit e jo të dështimit tonë si komb. Përndryshe, siç dëshmohet me shembuj të panumërt në libër, rrethet vicioze të elitave që ngufasin lirinë politike dhe nuk i transformojnë institucionet do ta çojnë ekonominë në kolaps dhe me këtë edhe krejt kombin në varfëri e dështim.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.