Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Në kërkim të psikologëve

Illustration: Big Eye

Në kërkim të psikologëve

Abraham Maslow ka thënë që nëse synon të arrish më pak se që ke potencial, do të jesh e palumtur gjithë jetën.

Në vendin tonë hasim në një numër jashtëzakonisht të madh të ekonomistëve e juristëve të cilët e mbajnë vetëm titullin mirëpo nuk e ushtrojnë profesionin. Po që se do t’i pyesnim shumë nga ta se çfarë do të bënin në qoftë se paratë nuk do të ishin problem, sigurisht se do të zgjedhin profesione tjera nga dy fushat e lartpërmendura.

E në këtë rreth, bëj pjesë edhe unë.

Unë jam juriste e diplomuar; punoj në një zyrë juridike, dhe kam fituar bursë për studime ligjore ndërkombëtare në Washington D.C. – studime të cilat i kam përfunduar me sukses.

Si shumë të rinj, këtë drejtim e kam zgjedhur për shkak të mundësive dhe “rehatisë” financiare që ky profesion mund të ofrojë. E po që se do të më shtrohej mua pyetja e mësipërme, atëherë do të zgjedhja profesionin e psikologes.

Meqë vend për psikologë në tregun e punës, në vendin tonë fatkeqësisht nuk ka, studimet në këtë fushë i kam filluar vetëm që ta shuaj “urinë” personale për njohuri më të thella karshi dinamikave të sjelljes dhe mendimeve njerëzore, për të kuptuar pse-në që fshihet pas gjithë vendimeve, emocioneve dhe modeleve të sjelljes tek njerëzit. Kjo uri ndërkohë u transformua në një thirrje të brendshme përmes së cilës do të mund të kontribuoja në mirëqenien e të tjerëve, por edhe të pëmbushja vetveten.

Këtë “thirrje” kur e ndaj me të tjerët, me të drejtë has në shumë kundërshtime e skepticizëm. Mendimet e të tjerëve se, “nuk ka punë si psikologe”, “te na njerëzit nuk shkojnë te psikologu se nuk e kena këtë kulturë”, e “nuk ki pare aty”, janë demoralizuese. Demoralizimi theksohet sidomos kur këto opinione takohen edhe me realitetin faktik – jo të gjitha shkollat kanë psikologë; jo të gjitha vendet e punës, organizatat, kanë të angazhuar psikologë për sigurimin e shëndetit mendor të të punësuarve të tyre.

Për ta ndryshuar këtë gjë, organet ligjvënëse kanë një rol të veçantë. Ato mund të kontribojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale duke e ndryshuar ligjin aktual për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-032, ligj ky që thekson rëndësinë dhe nevojën e psikologëve në institucione shkollore, duke i shtuar mekanizma tjerë në mënyrë që ligji të jetë i zbatueshëm dhe që të obligojë çdo institucion shkollor – dhe shërbyes – të ketë të angazhuar një psikolog.

Veprimi i tillë do të mbulonte dy aspekte frytdhënëse nga të cilat do të mund të përfitonim të gjithë:

– Të diplomuarit e psikologjisë do të punësoheshin.

Ata studentë të cilët janë shkolluar në këtë drejtim, do ta dinë se diploma nuk do t’u mbledhë pluhur. Do të jenë në gjendje që njohurinë të cilën e kanë marrë, ta praktikojnë menjëherë në institucione të ndryshme. E më e rëndësishmja në rrafshin personal – do të kenë mundësi ta bëjnë një jetë normale, falë të ardhurave që do t’i kenë. Këta gjithashtu do të ndihen të përmbushur që po e bëjnë një punë të cilën e duan thellësisht. Si pasojë, edhe do të kenë rezultate të larta, në krahasim me alternativën tjetër ku iu duhet të bëjnë një punë të cilën nuk e duan dhe janë në rrezik të dëmtimit të shëndetit të tyre mendor e fizik, si pasojë e gjenerimit të ndjenjave negative dhe stresit të akumuluar.

–  Shëndeti mendor i qytetarëve do të përmirësohej.

Në lajme vazhdimisht shohim se si fëmijë të cikleve të ndryshme shkollore hyjnë në konflikte me njëri-tjetrin me pasoja shpesh herë fatale. Këto sjellje do të mund të evitoheshin dukshëm po qe se nxënësit me probleme në sjellje apo mësime do të mund të këshilloheshin me psikologun e shkollës.

Fatkeqësisht, këto konflikte nuk do të pakësohen përderisa shkollat e vendit tonë, sipas një raporti të vitit 2014, kanë punësuar vetëm 63 psikologë dhe pedagogë në më shumë se 700 institucione arsimore në nivelin fillor, të mesëm të ulët dhe atë mesëm.

Vlen të përmendet se psikologët e shkollave do të mund të krijonin programe ku nxënësve do t’iu mësohej një lëndë tjetër mjaft praktike: si të jemi të lumtur. Shumë fëmijë problematikë kanë histori problematike ku dashuria, përkujdesja, vëmendja dhe ngrohtësia janë zëvendësuar me neglizhim, abuzim ose rreptësi. Burimi i sjelljeve konfliktuoze të atyre fëmijëve, vjen si pasojë e mosnjohjes së vetvetes – kush janë ata në brendësi, çfarë i bën të qeshin dhe të lumtur, pastaj paaftësia për identifikimin e emocioneve dhe shprehjen e tyre në mënyrë të përshtatshme – të gjitha këto të cilat mund të mësohen bashkërisht me psikologun e shkollës.

Ngjashëm psikologët do të mund të shërbenin në përmirësimin e shëndetit mendor në vende të punës. Një pjesë e konsiderueshme e stresit vjen nga puna dhe ngarkesat që e përcjellin atë. Këto probleme e ndikojnë negativisht efikasitetin e punëtorëve dhe pastaj edhe produktivitetin e institucionieve përkatëse. Psikologët e punësuar pranë këtyre të fundit janë me interes për këta të fundit,  meqë inkurajojnë punëtorë të motivuar dhe me stres minimal.

Jam e vetëdijshme që opsionet e mësipërme mund të tingëllojnë të paarritshme. Megjithatë ndjej se është më se e dobishme gjetja e një zgjidhjeje konkrete për shkak se flasim për një problematikë që e godet zhvillimin e profesionistëve, të ardhmen e gjeneratave tjera, dhe shëndetin e një popullate të tërë. Të gjitha këto kanë efekt domino edhe në shumë sfera tjera të jetës.

William James ka thënë se fakti që qeniet njerëzore mund të ndryshojnë jetën e tyre duke ndryshuar të menduarit, është zbulimi më i madh. Kjo thënie e thekson akoma më tepër rëndësinë e ndryshimit të qasjes karshi psikologjisë dhe psikologëve. Po qe se këtyre të fundit do t’u ofrohej hapësira për të bërë ndryshime, atëherë edhe qytetarët e tjerë do të ishin më të shëndetshëm dhe me më shumë sukses.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.