Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Illustration: Big Eye

Gjykata Kushtetuese përsëri është kthyer në debat politik nga liderët institucional dhe politik. Gjatë muajve të fundit kjo gjykatë përsëri është subjekt i presionit dhe ushtrimit të ndikimit të jashtëm nga akterët institucional dhe politik lidhur me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për Kryeministër.

Për këtë temë, në sallonin e së martës të organizuar nga D4D, kanë diskutuar panelistë nga fusha juridike akademike, të cilët kanë debatuar aspektet kushtetuese në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Panelistët konsiderojnë se kjo gjykatë do ta ketë të vështirë të përmirësojë precedentin e ndërtuar gjatë vitit 2014, si dhe se Gjykata Kushtetuese gjatë vendimmarrjes nuk mund të krijojë normë të re kushtetuese, pasi asaj i takon ta interpretoj vetëm Dekretin e Presidentit.

Aktgjykimi i vitit 2014, në rastin VLAN, sipas tyre, paraqet një vendim procedural, i cili nuk favorizon humbësit e zgjedhjeve por ruan standardet kushtetuese. Aktgjykimi definon në mënyrë të qartë se kush janë fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve dhe me këtë edhe e drejta e fituesit të zgjedhjeve për të formuar institucionet në nivel qendror. Me aktgjykimin e ri, mbetet të shihet nëse Gjykata Kushtetuese do të ruaj apo ndryshojë këtë praktikë, dhe se a do të evitohet praktika e deritanishme ku problemeve politike t’u ipet zgjidhje përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kosova në Kushtetutë ka instaluar demokraci koncesionale, si pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimit të fuqishëm të faktorit ndërkombëtar në draftimin e Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës. Gjithashtu, në Kosovë në mungesë të traditës politike dhe traditës pluraliste është ndërtuar praktika që problemet politike të zgjidhen me mekanizma kushtetues. Sipas kësaj pikëpamje, panelistët vlerësuan se problemi kryesor me të cilën do të përballet Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit nuk do të jetë se çka thotë Kushtetuta ose cila do të jetë zgjidhja kushtetuese, por precedenti i vitit 2014. Ky aktgjykim ka ndërtuar disa shkallë të formimit të qeverisë dhe kompetencave të Presidentit. Në anën tjetër,  Gjykata Kushtetuese në të kaluarën shpesh herë është akuzuar se ka tejkaluar kufijtë e saj me aktgjykime. Kjo kryesisht edhe për shkak se elitat politike në Kosovë janë të pa emancipuara, dhe se nuk kuptojnë themelet e demokracisë dhe vet Kushtetutën. Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese shpesh herë ka pasur sjellje agresive për shkak të polemikave që ka ngritur në raport me normimin e jetës institucionale. Këtë qasje të Gjykatës Kushtetutese politikanët e kanë shfrytëzuar dhe përdorur për interesat e tyre.

Çështja më e diskutueshme në publik mes partive politike dhe opinionit publik lidhet me faktin, nëse pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, vendi të shkojë në zgjedhje apo të procedohet me formimin e qeverisë së re. Respektivisht nëse duhet të zbatohet neni 82.2 i Kushtetutës dhe të shpërndahet Kuvendi apo neni 95 i Kushtetutës, që lidhet me ushtrimin e diskrecionit të Presidentit të Republikës për formim të qeverisë pa shkuar në zgjedhje. Apo edhe tejkalimin e partisë fituese për të formuar qeverinë e re nga ana e Presidentit. Sipas një këndvështrimi të panelistëve, në bazë të praktikës parlamentare të ndërtuar me rastet e mocioneve të suksesshme te mos besimit në vitet 2017 dhe 2019, në asnjërin rast nuk është zbatuar neni 95, por vendi ka shkuar në zgjedhje duke zbatuar nenin 82 të Kushtetutës. Fakt tjetër, sipas këtij opinion, është afati prej 20 ditësh për partinë fituese për të dërguar mandatarin për Kryeministër, i cili afat nuk është i përcaktuar me Kushtetutë.

Presidenti me rastin e nënshkrimit të dekretit ka marr kompetenca që nuk i takojnë funksionit të tij. Dekreti bën interpretim të Kushtetutës, duke anashkaluar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Ky aktgjykim ka ndërtuar precedent, sipas së cilit, pas mocionit të mosbesimit, vendi shkon menjëherë në zgjedhje. Një qasje e tillë konsiderohet si abuzim me pushtetin nga Presidenti dhe mospërfillje e Gjykatës Kushtetuese. Sikurse kishte pajtim që Kushtetuta nuk duhet të përcaktoj afate ligjore për të caktuar kohën brenda së cilës duhet të formohet Qeveria. Përderisa, Kuvendi duhet të ushtrojë kontroll më të madh në rastet e qeverive në detyrë për të përmbushur obligimet ligjore.

Gjykata Kushtetuese duhet të luaj rolin e saj kushtetues në intepretimin e Kushtetutës gjatë vlerësimit të dekretit të lëshuar nga Presidenti. Gjykata Kushtetuese nuk duhet të shërbej si mekanizëm kushtetues për zgjidhjen e problemeve politike të shkaktuara nga institucionet apo partitë politike. Përderisa, liderët dhe partitë politike duhet të njohin dhe trajtojnë me respekt rolin kushtetues që ka Gjykata Kushtetuese në interpretimin e Kushtetutës dhe në sigurimin e funksionalitetit të institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën.

—-

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.

Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë COVID-19 në të cilën gjendemi, ky sallon është zhvilluar përmes platformës online Google Meet.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.