Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Nëpërkëmbja dhe riaktualizimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë

Përkujdesja ndaj monumenteve të trashëgimisë kulturore (monumente, ndërtesa, hapësira, etj.) në Kosovë u neglizhua për vite të tëra nga institucionet relevante. Gjendja fizike e disa prej tyre është përkeqësuar deri në atë pikë sa është pothuajse e pamundur për t’i identifikuar ato.

Si rezultat i këtij keqmenaxhimi, disa prej tyre janë në prag të shembjes dhe shkatërrimit. U desh që të mbahej një festival ndërkombëtar si “Manifesta Biennal”, që trashëgimia kulturore, pothuajse e harruar, të ringjallet në sytë e publikut kosovar.

Në Kosovë janë disa forma ligjore se si mbrohen objektet dhe ekziston baza ligjore për mbrojtjen e tyre: Ligji për Trashëgimi KulturoreLigji për Zonat e Veçanta të MbrojturaLigji për Qendrën Historike të PrizrenitLigji për Hoçën e Madhe and Ligji për Fshatin Zym.

Pavarësisht dispozitave ligjore dhe mbrojtjes, çështja e trashëgimisë kulturore nuk ka qenë asnjëherë prioritet për subjektet politike në Kosovë dhe gjendja po vazhdon të përkeqësohet.

Tri raste konkrete: Prizren, Novobërdë dhe Prishtinë

In the key Prizren, në qytetin me numrin më të madh të monumenteve të trashëgimisë kulturore të mbrojtura nga UNESCO, është evidencuar një përkeqësim serioz i gjendjes së monumenteve historike.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren ka bërë të ditur që vetëm në vitin 2020 kanë ndodhur 3 raste të dëmtimeve, 12 raste të punimeve të paautorizuara apo tejkalim të kushteve të pëlqimit, 10 shkelje në ndërtesa dhe forma të tjera të veprimeve që dëmtojnë trashëgiminë kulturore në Prizren.

Situata nuk ka qenë më e mirë as në qytetin e Novobërdës. Në Kalanë e qytetit të vjetër, si rezultat i intervenimit jo të duhur, u çanë muret dhe u dëmtuan pjesë të tjera strukturale. Kompania e cila kishte bërë intervenimin ishte Kotonga Beogradi. Si rezultat i dëmtimeve ka pasur një reagim nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Madje, ky organ me përgjegjësi të konsiderueshme ligjore në këtë fushë vlerësoi së është sabotuar nga procedurat, pasi qysh para vitit 2019 kishte tërhequr vërejtjen se projekti për kalanë kishte tejkaluar procedurat ligjore dhe se projekti nuk ishte dërguar për vlerësim në Këshill, ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin për Trashëgimi Kulturore(Neni 5.2). Për më tepër, kompania që ka bërë punimet nuk ka qenë e licensuar dhe, përkundër kësaj, tenderin për restaurim të Kalasë e kishte marrë nga UNESCO më 2015.

Aspak më mirë nuk qëndron bazamenti kulturor e historik në kryeqytet. Në Prishtina, një pjesë e konsiderueshme e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike është drejt shkatërrimit.

Ndërtesat që dikur kanë shërbyer si hapësira diplomatike në zonën e vjetër të qytetit janë në stad të prishjes totale të strukturave. Dikur këto ndërtesa kanë qenë qendra diplomatike të zonës historike të qytetit. Pavarësisht se ishte proklamuar vite më parë që këto dy ndërtesa do të restaurohen, neglizhimi i procesit të restaurimit ka bërë që të njëjtat të shkatërrohen dita-ditës.

Disa metra poshtë këtyre dy objekteve qëndron Shkolla e Parë Shqipe e Prishtinës. Objekti që ishte adaptuar si gjimnaz nga viti 1908 e tutje, sot është në një gjendje të mjerueshme.

Objekt tjetër i trashëgimisë kulturore i lënë anash dhe ku është ndërhyrë në eksterier është Hamami i Madh i Prishtinës. Për dallim nga shumë qytete ballkanike ku të tilla monumente vihen re për kah struktura e veçantë arkitekturore, në Prishtinë është pothuajse e pamundur të identifikohet si i tillë.

Monumentit nga jashtë i është veshur një fasadë me ngjyrë të bardhë, që për nga pamja ngjan me një shtëpi/ndërtesë të zakonshme, duke ia humbur rrënjësisht simbolikën.

Gjendja e tillë e trashëgimisë kulturore ka bërë që monumentet e trashëgimisë kulturore në Kosovë të mos jenë shumë të njohura.

Manifesta riaktualizon problemet e vjetra

Organizimi dhe mbajtja e European Nomadic Biennal në kryeqytet gjatë periudhës korrik-tetor 2022, e riaktualizoi jetën kulturore dhe njëkohësisht hodhi në pah probleme të vjetra.

Për rreth 100 ditë, Prishtina u bë qendër e admiruesve, profesionistëve dhe përkrahësve të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore. Përmes ndërhyrjeve artistike në hapësira kulturore e historike, festivali e shpërfaqi pasurinë e kryeqytetit me monumentet e trashëgimisë kulturore që i përmban dhe monumente të lëna anash për dekada të tëra përjetuan një ringjallje vizuele.

Nëpërmjet vendosjes së mesazheve, pamjeve e ndërhyrjeve artistike në këto hapësira, u ngjall interesimi i qytetarëve për trashëgiminë kulturore. Megjithatë, përkundër efektit pozitiv, ndikimi i festivalit u vërejt kryesisht në kryeqytet.

Manifesta përfundoi, mirëpo problemet mbetën. Mekanizmat ligjorë janë të plotfuqishëm, mirëpo mungon zbatimi i tyre. Gjithashtu, përpos mungesës së përkujdesjes, në disa raste, intervenimet janë jo të duhura dhe, në vend të përmirësimit e vlerësimit të gjendjes, gjendja e tyre veç përkeqësohet.

Është e domosdoshme që kultura e trashëgimia kulturore në Kosovë të bëhen pjesë e formulimit të politikave hapësinore e kulturore. Historia dhe rëndësia e vendit dhe shoqërisë më së miri mund të mbrohet e shpjegohet me materialin faktik të saj. Vëmendje e veçantë duhet t’u sigurohet rivitalizimit dhe mbrojtjes së monumenteve/objekteve të cilat janë në rrezik të shembjes ose shkatërrimit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.