Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Nga “zajednica” në “vetëmenaxhim”

Illustration: Big Eye

Një ndër zotimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje para ardhjes në pushtet ishte se “Zajednica nuk kalon”, duke iu referuar Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Zajednica nuk kalon as në kryeministri, e as në qeveri”, said Albin Kurti para Kuvendit më 3 mars 2023. Ndërsa, dora e djathtë e Kurtit në dialog, Besnik Bislimi, pati deklaruar se në momentin e marrjes së vendimit për themelimin e Asociacionit, ai do të japë dorëheqje.

Gjatë dy vjetëve të fundit, çështja e Asociacionit u bë tema kryesore në dialog. Pala kosovare ishte kategorikisht kundër Asociacionit, ndërsa pala serbe insistonte vazhdimisht në implementimin e tij.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u takuan dy herë në Bruksel brenda më pak se një muaji; më 27 shkurt për t’u dakorduar për propozimin europian në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër për aneksin e implementimit për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Ani pse nuk pati nënshkrim, palët u dakorduan për zbatimin e pikave të këtij plani – 11 sosh – të cilat edhe pse nuk e sjellin njohjen formale të Serbisë, de facto Serbia e njeh shtetësinë e Kosovës, duke i njohur sovranitetin, integritetin territorial e simbolet shtetërore.

Marrëveshja e arritur i ka dy pika problematike. Së pari pikën 7, e cila parasheh “një nivel të kënaqshëm të vetëmenaxhimit për komunitetit serb në Kosovë” dhe së dyti pikën 10, e cila parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, përfshirë këtu edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar për 10 vjet me radhë.

Në pikën 7 vërehet një ndryshim i terminologjisë sa i përket Asociacionit, e cila duket se është ndryshuar qëllimisht. Termi i përdorur në marrëveshjen e fundit është “vetëmenaxhim” (jo Asociacion apo Bashkësi), ndërkaq gjuha e përdorur në formulimin e nenit 7 është qëllimisht e paqartë, për t’i lënë palët t’i bëjnë vetë interpretimet e tyre.

Përmenden “fushat specifike”, por pa u specifikuar ato. Ajo që është e qartë është se ky entitet që do të formohet në mënyrë që serbët të “vetëmenaxhohen”, do të mund të financohet nga Serbia dhe do të shërbejë si kanal direkt i komunikimit mes komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

Është kjo pika e fundit që përbën shqetësimin më të madh, pasi këtij entiteti i jepet ekskluziviteti për të komunikuar me qeverinë qendrore dhe anasjelltas. Pra, në njëfarë forme, ky entitet do të jetë nivel i ndërmjetëm pushteti.

Me këtë pikë, komuniteti serb në Kosovë fiton autonomi, ndërkaq ky entitet kthehet në nivel të tretë pushteti. Kjo, përpos që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, është më e dëmshme sesa themelimi i Asociacionit të bazuar në marrëveshjen e vitit 2015, me të cilën parashihet që Gjykata Kushtetuese të japë mendimin e saj lidhur me kompetencat dhe statutin.

Me marrëveshjen e re, “vetëmenaxhimi” nuk parashihet të kalojë përmes Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, e gjithë beteja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Albin Kurtit për të penguar themelimin e Asociacionit – të cilin e patën pagëzuar si “Zajednicë” për të ngjallur më shumë frikë te qytetarët – dhe për të penguar “bosnjëzimin e Kosovës”, u bë për asgjë.

Në fakt, gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, Kosova arriti një marrëveshje e cila duket më e pafavorshme për Kosovën sesa ajo e 2015-s, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje nuk hezitonte t’i etiketonte si tradhtarë bartësit institucionalë të atëhershëm.

Shikuar në retrospektivë, Kosova ka pasur momentume më të favorshme dhe ka pasur mundësi më të mira për ta ‘kënaqur’ komunitetin serb dhe Serbinë me formimin e një Asociacioni të bazuar në Kushtetutën e Kosovës, i cili nuk do të ishte pushtet i tretë, nuk do të kishte kompetenca ekzekutive dhe nuk do ta cenonte karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

Por, verbërimi i elitës politike, paranoja dhe tendenca për kontroll të pushtetit, kanë pamundësuar shfrytëzimin e momentumeve të favorshme, e rrjedhimisht e kanë sjellë situatën deri në pikën kur vendimmarrja të bëhet nën presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Qeveria Kurti ka dështuar të nxjerrë rezultatin më të mirë në këtë proces, falë kryeneçësisë së saj për të mos i bashkërenduar me aleatët e vendit veprimet në raport me Serbinë dhe serbët në veri të vendit.

Me gjithë këmbënguljen në qëndrime përgjatë viteve, Albin Kurti në fund ndryshoi qëndrim. Në fakt, nuk ka asgjë të keqe me ndryshimin e qëndrimeve kur ndryshojnë rrethanat. Përshtatja është e nevojshme në politikë.

Mirëpo, kjo përshtatje do të duhej të vinte në formë më graduale; fillimisht, duke qenë më bashkëpunues në procesin e dialogut, duke i treguar publikut në mënyrë transparente pamundësinë për t’u shmangur nga Asociacioni dhe duke e shpjeguar rëndësinë e themelimit të tij, si dhe atë duke e bërë propozimin e një statuti që nuk do ta cenonte Kushtetutën e vendit.

Përkundrazi, Albin Kurti e ka vazhduar avazin e tij të kundërshtimit të Asociacionit dhe ka lënë të nënkuptohet që në asnjë formë e me asnjë kosto nuk do ta pranonte themelimin e tij pa lëshuar pe Serbia dhe pa u plotësuar të gjitha kushtet e tij.

Ndoshta një qasje më bashkëpunuese ne fillim të mandatit do të ndikonte që pala kosovare të favorizohej më shumë nga aleatët e vendit e të arrinte të siguronte marrëveshje më të favorshme, pa trysni ndërkombëtare e nevojë për kërcënime dhe izolim të qytetarëve të saj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.