Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Një qeveri e improvizimeve politike

Foto nga Freepik

Zhvillimet politike në Kosovë që befasisht arritën kulmin gjatë pandemisë COVID-19 me rrëzimin e qeverisë, e cila doli nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019, nxorën në pah se vota e qytetarëve nuk ka kurrfarë rëndësie e kuptimi, ndërsa është e pafuqishme në raport me marrëveshjet e pazaret politike. Për më tepër, përmbysja e rezultatit të zgjedhjeve të fundit u bë kryesisht nga ata politikanë që nuk i ishin nënshtruar fare zgjedhjeve të fundit, gjegjësisht u mungonte krejtësisht legjitimiteti qytetar, zgjedhor dhe demokratik për të vendosur lidhur me rrëzimin e një qeverie dhe zgjedhjen e tjetrës. Përderisa pasojat janë dhe do të jenë shumëdimensionale, në këtë shkrim do të zbërthehen disa prej tyre.

Krijimi i Qeverisë Hoti përmes një koalicioni të subjekteve politike që më parë kishin qenë pjesë e PAN-it sjell në vete dy kontradikta. Së pari, në zgjedhjet e fundit qytetarët e Kosovës kishin vulosur se subjektet që kishin qeverisur në atë kohë ishin ndëshkuar për të qëndruar në opozitë. Për shkak të dyshimeve serioze për skandale të panumërta e zhvatje klasike të buxhetit të shtetit, këto subjektet politike të ndëshkuara nga qytetarët në zgjedhje nuk do të ishin më pjesë e asnjë kombinacioni të qeverisë së ardhshme. Sidoqoftë, rrëzimi i Qeverisë Kurti nga ‘treshja’ – president-LDK-opozitë (PAN) – dhe ambiciet e presidentit dhe LDK-së për krijimin e një qeverie të re pa zgjedhje ndikuan që në pushtet të kthehen partitë e vjetra. Së dyti, kontradikta tjetër e ndërlidhur ngushtë me të parën është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese me premisa ‘politike’, i pabazuar në kontekstin juridik-kushtetues të Kosovës e që çuditërisht legjitimoi krijimin e Qeverisë Hoti. Ky aktgjykim me tendencën e vet të jashtëligjshme të rishkrimit të Kushtetutës së Kosovës ka krijuar precedentin më të rrezikshëm sa i përket legjitimitetit dhe funksionimit të demokracisë në vend: se vota e qytetarëve është tërësisht e pavlefshme, ndërsa humbësit e zgjedhjeve gjithmonë mund të bëhen bashkë për rrëzimin e qeverisë, e cila udhëhiqet nga fituesi i zgjedhjeve (përveç në rastet kur fituesi i merr mbi pesëdhjetë për qind të votave në zgjedhje, por praktika e deritanishme ka treguar se asnjë subjekt politik në Kosovë pas vitit 1999 nuk ka arritur të fitojë e vetme gjysmën e votave në zgjedhje). Padyshim se ky precedent i rrezikshëm do të shfrytëzohet në të ardhmen nga humbësit e zgjedhjeve dhe do të ketë pasoja të pariparueshme drejt zhvlerësimit të rezultatit të zgjedhjeve e duke i hapur rrugë pazareve politike rrjedhimisht.

Nga ana tjetër, zgjedhjet e vitit 2019 kanë dëshmuar se qytetarët kishin votuar për ndryshime rrënjësore në qeverisje për shkak të premtimeve dhe zotimeve të opozitës së atëhershme për reforma të brendshme në sektorë të ndryshëm. Vullneti i shprehur politik për çrrënjosjen e korrupsionit, krimit të organizuar e veprave tjera të paligjshme, procesi i depolitizimit të institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i lehtësirave për investime nga diaspora e Kosovës, sundimi i ligjit, reformimi i sektorit të sigurisë dhe veçanërisht paanshmëria e institucioneve të drejtësisë ishin në epiqendër të premtimeve zgjedhore. Pikërisht këto çështje kanë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në rrëzimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit i iniciuar nga LDK, e cila nuk tregoi interes e vullnet të bashkëpunojë me partnerin e saj në qeveri (VV) në funksion të zbatimit të programit qeverisës për reforma të brendshme. Përkundrazi, angazhimi i saj në koordinim me presidentin në kërkim të partnerëve të tjerë për rrëzimin e qeverisë ku vetë ishte pjesë e saj dhe improvizimet për krijimin e një qeverie tjetër me subjekte politike që ishin shquar për keqqeverisje qartazi tregon për mosgatishmërinë e Qeverisë Hoti për reforma të thella në planin e brendshëm. Për më tepër, ajo do të jetë e diktuar politikisht nga presidenti dhe në aspektin e votave nga Lista serbe e instruktuar ndërkohë drejtpërdrejt nga Serbia duke mos reflektuar kështu aspak rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

Padyshim se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të diktojë jetëgjatësinë e qeverisë së re. Madje ndër veprimet e para të kësaj qeverie ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë për t’ia plotësuar kushtet palës serbe në radhë të parë që ka kushtëzuar fillimisht rinisjen e dialogut me heqjen e tarifave doganore, përkatësisht masave të reciprocitetit, që ishin vënë nga paraardhësi i Hotit si kundërmasë e natyrshme ndaj pengesave të vazhdueshme të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës. Kjo ndodhi (pra heqja e reciprocitetit) pavarësisht se Serbia nuk ka lëvizur për të ndaluar fushatën agresive kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimit në organizata rajonale e ndërkombëtare. Madje edhe presioni ndërkombëtar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sidomos gjatë këtij viti ka qenë i drejtuar krejtësisht tek pala e Kosovës për heqjen e tarifave doganore dhe reciprocitetit, por jo edhe ndaj Serbisë të cilës vetëm në formë deklarative, të butë, i është kërkuar ndërprerja e fushatës kundër Kosovës. Ajo që është edhe më e çuditshme ka të bëjë me vullnetin e shprehur nga qeveria e re dhe presidenti që kanë konstatuar “gatishmërinë” e tyre për rinisje të dialogut me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale Kosovë-Serbi përderisa Serbia nuk ka dhënë as sinjalin më të vogël se do ta ndalë fushatën e çnjohjeve. Ndërsa, pritet të shihet nëse do të ketë unifikim të qëndrimeve edhe tek ndërmjetësit ndërkombëtarë, përkatësisht nëse BE-ja dhe SHBA-ja do të harmonizojnë qëndrimet e tyre sa i përket çështjes së dialogut apo do të ketë dy procese paralele ndërmjetësimi në kohën kur uniteti transatlantik (BE dhe SHBA) është i një rëndësie vitale në këtë rast. Megjithatë, rreziku se do të diskutohet për të ashtuquajturin korrigjim i kufirit ose shkëmbim i territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë ende ekziston përderisa nuk ka vija të kuqe të panegociueshme, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës se si duhet të jetë epilogu i marrëveshjes finale. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të duhej të pranonin assesi një marrëveshje që do të cenonte integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, rrjedhimisht një ide e tillë e paketuar në marrëveshje duhet patjetër të refuzohet. Ndërsa, paralajmërimet e bëra së fundmi nga kryeministri Hoti për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë po aq të rrezikshme sa tema e ndarjes së Kosovës, duke e ditur që pjesë thelbësore të marrëveshjes së arritur në Bruksel për asociacionin nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Duke marrë parasysh këto çështje, qeveria e re, mbijetesa e së cilës varet nga deputetët serbë të kontrolluar nga Beogradi, do të jetë një qeveri dialogu nën instruksionet e presidentit të cilit i nevojitet një ekzekutiv për të rifilluar dialogun me Serbinë. Nga ana tjetër, të gjitha çështjet tjera sa i përket qeverisjes së brendshme do të mbesin nën hijen e dialogut me pasoja potenciale të prodhimit të një krize të re të largimit të qytetarëve jashtë vendit, kryesisht të rinjve (që në një formë apo tjetër është duke vazhduar përmes emigrimit legal), në drejtim të shteteve të BE-së si pasojë e mungesës së perspektive socio-ekonomike dhe rritjes së mosbesimit në institucionet e shtetit për shkak të zhvlerësimit të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2019.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.