Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Një shqyrtim kritik i idesë së shkëmbimit të territoreve: Një përgjigje për James Ker-Lindsay

Illustration: Big Eye

Trazirat e fundit në veri të Kosovës kanë zgjuar idenë për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo ide është përfolur disa herë, veçanërisht gjatë negociatave midis Thaçit dhe Vuçiqit më 2018, si një rrugë e shpejtë për të finalizuar një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.

Derisa shumica sugjerojnë se kjo do të ishte një katastrofë, të tjerët kanë argumentuar se “spastrimi paqësor etnik” do të zgjidhte mosmarrëveshjen e moçme. James Ker-Lindsay së fundmi ringjalli idenë dhe propozoi shkëmbimin e katër komunave veriore të Kosovës me disa fshatra në pjesën jugore të Serbisë.

Ekspertiza e Ker-Lindsayt në këtë mosmarrëveshje specifike dhe mosmarrëveshjet territoriale në përgjithësi e shquajnë atë si dukshëm më të kualifikuar se shumica e të tjerëve që e kanë çuar përpara këtë ide; megjithëkëtë, propozimi i tij përfshin shumë nga të njëjtat veçori problematike.

Të sfidosh perspektivën “të dyja palët”

Në analizën e tij, Ker-Lindsay dështon të pranojë dhunën e ushtruar nga Serbia në Kosovë. Ai përmbledh ngjarjet e fundviteve 1900 siç vijon: “Shqiptarët e Kosovës nisën një fushatë të armatosur për pavarësi. Mes dhunës në rritje, bisedimet e paqes u thirrën në fillim të vitit 1999.”

Megjithëkëtë, një kuptim gjithëpërfshirës i mosmarrëveshjes aktuale midis Kosovës dhe Serbisë kërkon një vlerësim të kontekstit historik. Më konkretisht faktin që ndërmjet viteve 1989 dhe 1999, nacionalistët serbë në pushtet në Beograd revokuan statusin autonom të Kosovës, shtypën sistematikisht popullsinë shqiptare të Kosovës dhe në fund nisën një fushatë të spastrimit etnik, e cila kulmoi me luftë.

Duke injoruar dhunën e nxitur nga shteti që ushtrohej ndaj komunitetit shqiptar, Ker-Lindsay paraqet një tablo të rreme dhe, rrjedhimisht, lexuesit e painformuar mund të konkludojnë që ky konflikt ishte thjesht një rast përplasjeje midis separatistëve të dhunshëm dhe qeverisë.

Për më tepër, analiza e Ker-Lindsayt lë pa përmendur detaje thelbësore lidhur me të kaluarën e Vuçiqit, përfshirë shpërfilljen e tij karshi të drejtave të njeriut dhe lirisë së shtypit në Serbi, lidhjet me krimin e organizuar dhe refuzimin e planeve të paqes të ndërmjetësuara nga BE-ja.

Pasi Partia Progresiste Serbe e Vuçiqit erdhi në pushtet më 2012, nacionalistët serbë e rritën provokimin e tyre të ashpër dhe konflikutoz. Lidhjet e Vuçiqit me krimin e organizuar dhe sulmi i tij ndaj lirisë së shtypit, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, janë të dokumentuara mirë. Gjithashtu, ai ka mohuar në mënyrë të përsëritur se në Kosovë kanë ndodhur mizori, ndërkohë që kryeministrin e Kosovës, të zgjedhur në mënyrë demokratike, Albin Kurtin, e ka quajtur “llum terrorist.”

Kurti, përkundrazi, cilësohet si “nacionalist i vijës së ashpër i pakompromis”, pa përmendur dëshirën e tij fort të shprehur për të nënshkruar planin e paqes, të ndërmjetësuar nga BE-ja, ose edhe përparimin që ka arritur qeveria e tij në fushën e lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut.

Albin Kurti kurrë nuk e ka mbështetur dhunën sektare dhe kurrë nuk ka shërbyer në një administratë të përfshirë në krime kundër njerëzimit. Qëkur partia e tij erdhi në pushtet, Kosova – në kontrast të plotë me Serbinë e Vuçiqit – ka shënuar përparim të dukshëm në luftimin e korrupsionit, përmirësimin e lirisë së shtypit dhe rritjen e respektit për të drejtat e njeriut.

Për më tepër, duke komentuar dhunën që u pa ditëve të fundit në veri të Kosovës, Ker-Lindsay e përshkruan situatën kësisoj: “Ndërsa serbët vendas protestuan, paqeruajtësit e NATO-s ndërhynë dhe provokuan përleshjen.

Ky përshkrim është – më e pakta që mund të themi – jo i plotë. Nuk u përfshinë veç “serbët vendas” dhe “përleshjet” nuk e bëjnë dot drejtësinë për faktin se dhuna kundër KFOR-it u krye nga ato që zëdhënësi i KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, i përshkroi si “grupe kriminale”, që erdhën në protesta të armatosur me granata dhe armë.

Heqja e këtyre detajeve kruciale – qoftë me vetëdije apo jo – krijon një përshtypje të rrejshme të ngjarjeve. Përfundimisht, ajo nuk arrin ta vendosë dhunën në kontekstin e luftës së gjatë nacionaliste serbe për ta rimarrë Kosovën dhe për ta çliruar atë nga banorët e vet shqiptarë, si pjesë e një projekti më të gjerë për ta krijuar një “botë serbe.”

Diskutimi për një shkëmbim territoresh pa e pas pranuar këtë pikë të fundit, ndërkohë që “të dyja palët” cilësohen si të nevojshme për kompromis, e nxjerr çështjen nga konteksti i saj tepër i rëndësishëm.

Një fitore për nacionalizmin serb që nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme për paqen

Ker-Lindsay argumenton se një shkëmbim territoresh do të përbënte “një ndarje të pastër”, do të “shënonte fundin e çdo pikëpyetjeje rreth statusit të Kosovës” dhe do të “lejonte Serbinë të vazhdonte përpara”. Sidoqoftë, ideja se Serbia do të “vazhdonte përpara” pas një shkëmbimi territoresh është me shumë gjasë e pamundur.

Vuçiqi beson se Kosova është “djepi i Serbisë” dhe e ka pranuar se është “i obsesionuar pas Kosovës”. Bazën e tij të pushtetit ai e ka ndërtuar duke e përjetësuar nocionin se Serbia është e rrethuar nga armiqtë, historikisht subjekt i ndërhyrjes së padrejtë të huaj dhe përfundimisht e destinuar të rimarrë tokën që i është vjedhur.

Nëse bëhet një shkëmbim territoresh, ai dhe mbështetësit e tij nuk do të kënaqeshin me vetëm katër komunat veriore.

Është e rëndësishme të nënvizohet se shumica e serbëve në Kosovë jetojnë në jug të lumit Ibër. Andaj, sfidat dhe shqetësimet e tyre – qofshin reale apo të sajuara – do të vazhdonin të shërbenin si totem emocional dhe justifikim për ndërhyrje në punët e Kosovës.

Për më tepër, shumica e objekteve të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë shtrihen jashtë katër komunave veriore, sikundër janë vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – Deçani, Patriarkana e Pejës, Graçanica dhe Kisha e Virgjëreshës së Levisës – si dhe shumë objekte të tjera historike fetare.

Veç kësaj, “Fusha e Mëllenjave”, ku u zhvillua Beteja e vitit 1389 kundër osmanëve, shtrihet afër Prishtinës; Monumenti i Betejës në Gazimestan është vend me rëndësi të madhe për nacionalistët serbë. Këto vende, që janë jashtë katër komunave veriore, do të ushqenin njësoj aspiratat e atyre që lakmojnë Kosovën.

Për dekada të tëra, ideja e ndarjes së Kosovës sipas vijave etnike u refuzua vazhdimisht nga aleatët perëndimorë të Kosovës, që argumentuan se integriteti territorial i Kosovës ishte i panegociueshëm. Një shkëmbim territoresh tani do ta shpërblente Serbinë për intrasigjencën e saj të vazhdueshme dhe do të sugjeronte se ajo që Perëndimi thotë se është e panegociueshme sot, do të bëhet e negociueshme në të ardhmen.

Duke vendosur parimin se integriteti territorial i Kosovës nuk është i shenjtë, a do të hiqnin dorë nacionalistët serbë nga fushata e tyre për ta rifituar tërë Kosovën? Me shumë gjasë, jo.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.