Një urim për aktivizëm
Kur para disa ditësh filloi të flitet me të madhe për ndotjen e ajrit në Prishtinë, miku im Armendi konstatonte se “çdo javë e kemi nga një emergjencë të radhës, për tema shumë të rëndësishme krijojmë panik e pastaj i harrojmë me shumë lehtësi” (e përmbledhur).
Nuk kam sesi të mos pajtohem me këtë konstatim. Vetëm gjatë kësaj vjeshte, u morëm me aq shumë çështje sa të krijohet përshtypja se nuk ka popull më aktiv në këtë rruzull. Folëm e protestuam për Kishën në kampusin universitar, për skandalin e përgjimeve Pronto2, për kombin e futbollin shqiptar e kosovar, për besueshmërinë e sondazheve, për injorancën e analistëve e arrogancën e një kryeministri, për (vetë)vrasjen e Astrit Deharit, për murin në Mitrovicë, për nivelin intelektual të një kandidati për kryetar komune, për debatin e sistemit arsimor pas testit PISA…!
Më brengos fakti që problemet mbesin aty, edhe pse tashmë shumica janë harruar e për to nuk diskutohet a protestohet. Por më shumë më brengos numri i atyre që diskutojnë e protestojnë, gjatë atyre ditëve apo javëve kur një temë është aktuale. Janë pak, shumë pak. Në rastin më të mirë janë disa qindra, e shpesh herë më pak. Edhe më të pakta janë grupet a organizatat që me konsistencë i rrijnë mbrapa një çështjeje a problemi. Me këtë nuk dua të them që debatet, nismat e protestat duhet të gjykohen nga numri i pjesëmarrësve. Përkundrazi, pajtohem plotësisht me Hajrulla Çekun, kur thotë se “obsesioni për të gjykuar nismat për nga numri i njerëzve në rrugë është duke dëmtuar aktivizmin qytetar të Kosovës”. Ndonjëherë mjafton vetëm një zë që të nxisë ndryshimin.
Ajo që më brengos më së shumti është që këta pak pjesëmarrës janë të njëjtit. Të njëjtit shkruajnë, flasin, mobilizojnë e protestojnë, pavarësisht temës. Edhe pse shpeshherë pikërisht këta janë në thumb të kritikës së cinikëve, për mua janë heronjtë e demokracisë foshnjore të Kosovës. E kritikat më të shpeshta janë kur ndonjëherë nuk shkruajnë, nuk flasin, nuk mobilizojnë e nuk protestojnë. Cinikët kritikues, me ose pa vetëdije, e harrojnë faktin që secili njeri e ka një limit të çështjeve me të cilat mund të merret. Limit në ekspertizë, në interes, në energji apo fundi i fundit edhe në kohë. Si rrjedhojë, nuk habitem me kohëzgjatjen aq të shkurtë të trajtimit të temave dhe harresën e shpejtë të tyre. Me kaq pak njerëz që merren me çështje të përbashkëta, madje shumë po zgjasin.
I kuptoj shërbyesit civilë që jetojnë në Prishtinë, të cilët nuk guxojnë të protestojnë kundër kapjes së shtetit të shpalosur aq brutalisht në përgjimet Pronto2. Disa prej tyre janë aty ku janë pikërisht për shkak të kësaj kapje, e shumë të tjerë rrezikojnë bukën e familjes së tyre po të duken rastësisht në protesta të tilla. Mirëpo nuk i kuptoj se pse nuk kërkojnë p.sh. ndërrimin e filterave të termocentraleve a rregullimin e transportit publik kur binden që ajri të cilin e thithin çdo ditë është sikurse të marrësh frymë mbi tymtarin e një treni me qymyr. I kuptoj punëtorët e bizneseve private të cilët nuk guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre bazike, sepse me këtë nivel të papunësisë, një vend i punës duhet të ruhet si sytë e ballit. Por nuk i kuptoj se pse nuk kërkojnë p.sh. nga drejtori i shkollës së lagjes së tyre ndërtimin e një pjerrine për lëvizjen e njerëzve me karrocë. I kuptoj studentët të cilët nuk guxojnë të kërkojnë përgjegjësi për (vetë)vrasjen e kolegut të tyre në vendin që supozohet të jetë më i sigurti në një shtet, sepse shumë lehtë mund të mbesin në provim të profesorët që atë titull e kanë si shpërblim pikërisht nga ata prej të cilëve kërkohet kjo përgjegjësi. Por nuk i kuptoj se pse p.sh. nuk e organizojnë një lojë futbolli në oborr të komunës a qeverisë për të kërkuar ndërtimin e një stadiumi normal të futbollit, edhe pas 17 vitesh nga përfundimi i luftës në vend. I kuptoj prindërit që nuk guxojnë të protestojë kur rezultatet e testit PISA tregojnë që në vend që t’i përgatisin për jetë, shkollat tona ua kthejnë fëmijët të paaftë të shkruajnë një fjali pa gabime, sepse burri/gruaja, motra ose ata vetë mund të jenë të punësuar në një institucion që udhëhiqet pikërisht nga ata që e rrëzuan shkollën përtokë. Por nuk i kuptoj se pse nuk organizohen vullnetarisht p.sh. të sigurojnë kalimin e fëmijëve nëpër disa rrugë të rrezikshme kur ata shkojnë a dalin prej shkollës.
Me një listë të pafund të problemeve madhore me të cilat jetojmë çdo ditë, secili prej nesh kemi mundësi të zgjedhim një apo dy çështje për të cilat, pa ndonjë sforcim të madh, do mund të kontribuojmë a protestojmë. Por, në vend të kësaj, ne vazhdojmë të mos shohim përtej pragut të derës sonë dhe të besojmë naivisht se pavarësisht çka bëjmë individualisht, do të bëhet mirë. Ose edhe më keq – pavarësisht çka bëjmë ne individualisht, e keqja nuk do të ndalet.
Meqenëse është fundi i vitit dhe secili prej nesh i ka disa dëshira për vitin e ri, uroj që në vitin 2017 të ketë më shumë qytetarë që angazhohen në çështje publike. E nëse ky urim është shumë ambicioz, atëherë uroj që të paktën këtij grupi të vogël që janë të angazhuar, viti 2017 t’u sjellë shëndet dhe më shumë dije, interes, energji e kohë, që të vazhdojnë të flasin, shkruajnë, mobilizojnë e protesojnë edhe më tej. Të paktën për disa çështje, të paktën për disa ditë.