Është më se e qartë se individët janë të lirë të përzgjedhin veprimtarinë e tyre profesionale në tregun e lirë. Mirëpo ajo që më ka rastis të vërej është tendenca e shumë individëve, qoftë në politikë, qeveri, akademi e shoqëri civile (në kuptimin e gjerë), për t’u marrë me një ndër sfidat më prezente së voni në botë – atë të ekstremizmit të dhunshëm. Në fakt, oportunizmi individual mund të jetë sindrom i shoqërive të vogëla, me pak traditë shtet-ndërtuese e strukturore. Dhe këtë pikërisht po e shohim në Kosovë ku ka një dalje të përnjëhershme të individëve të cilët pretendojnë ekspertizë apo interes në këtë temë.
Kjo situatë mund të jetë edhe për shkak të kërkesës në rritje: atëherë kur ka shumë më shumë kërkesa për të mbuluar këtë temë apo kur në fakt ekziston vetëm një temë e cila reflekton relevancë dhe mbase profit. Sipas kritikëve të ndërtimit liberal të paqes në vendet e pasluftës, një ndër problemet më të mëdha për këto shoqëri është shfrytëzimi i tyre, nga qarqe ndërkombëtare ose “elitat” vendore për krijimin e “përvojave eksperimentale”. Në rastin e Kosovës, sa për të rikujtuar, u bënë eksperimente të shumta pasluftës me tema të ndryshme siç është p.sh pajtimi mes etnive, dhe në fund rezultatet ishin shumë të kufizuara. E njëjta po përsëritet tashmë me çështjen e ekstremizmit të dhunshëm sepse Kosova doli të jetë e afektuar nga ky problem. Mbi të gjitha, çështja u sekuritizua deri në atë masë që edhe shtresat nominalisht të painteresuara japin komente dhe mendime për këtë sfidë.
Tashmë kemi një fluks të madh të gazetarëve ndërkombëtarë të cilët vijnë me hipoteza të parapërgatitura me qëllim të konfirmimit të tyre. Për këtë lypsen vetëm disa individë vendorë. Kemi një paraqitje të papritshme të personave të caktuar të cilët dalin të jenë njohës të fushës në mënyrë që të pozicionohen në “tregun” në rritje për të punuar në parandalimin e ekstremizmit. Kemi politikanë dhe përfaqësues të Qeverisë të cilët për temë në agjendë kanë ekstremizmin sepse kjo është mbase e vetmja mënyrë për të pasur qasje në platforma e takime ndërkombëtare. Dhe mos të harrojmë, ka individë nga vendet e ndryshme apo organizata ndërkombëtare, të cilët tentojnë në forma të ndryshme të organizojnë “diçka” për temën e ekstremizmit në Kosovë vetëm që të mbesin relevant. Madje shumë organizata kanë bërë ndryshime programore vetëm se t’i përshtaten agjendave të donatorëve të cilët fokusin në këtë temë e konsiderojnë prioritet.
Në anën tjetër, kjo gjendje është krijuar edhe për shkak të transparencës së tepruar të institucioneve të Kosovës dhe vetë shoqërisë. Në momentin kur shoqëria është në zhvillim dhe aq më parë ka vështirësi shtet-ndërtuese sikurse Kosova, hapja dhe objektiviteti i tepërt mund të jetë kundër-produktiv. Me fjalë të tjera, së pari lypset “institucionalizimi” para “liberalizimit”, ashtu siç me të drejtë pati sygjeruar Roland Paris. Sepse kjo transparencë e tepruar dha hapësirë për oportunizëm të tillë por edhe dëmtoi Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kjo gjendje i dha hapësirë edhe artikullit senzacional të New York Times, portaleve të njohura e të panjohura në Itali dhe sidomos agjensisë mediale të Putinit, Sputnik, që të demonizojnë Kosovën dhe ta bëjnë atë vatër terroriste dhe prodhuese të Islamit konservativ. Nga përvoja që kemi krijuar, kemi parë që institucione të shteteve të ndryshme në rajon dhe më gjerë janë selektiv sa i përket të dhënave. Qarqe të caktuara shtetërore e akademike ne rajon tentojnë që diskutimin për ekstremizmin e dhunshëm ta ngulisin në narracionin e ardhshëm kur flitet për Kosovën. Diçka e ngjajshme mund të shihet edhe me Bosnjën.
Duke vazhduar me mungesën e vetëdijes, ne me padashje i shërbejmë qëllimeve ta caktuara të cilat medoemos do të dëmtojnë këtë shoqëri edhe ashtu të brishtë. Nuk them se ky është problem i vetëm. Dhe askush nuk duhet të pretendojë. Mirëpo ne duhet të sigurohemi që të tregojme maturi dhe një vetëdije më të lartë shtetërore e shoqërore në mënyrë që të dekurajojmë eksperimentimin e sërishëm me Kosovën. Nga orientimi jam liberal, mirëpo atëherë kur e shoh që në emër të liberalizimit global cenohen interest tona vitale, sigurisht që kundërshtoj. Pra, jam kundër këtij oportunizmi në rritje.