Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Opsionet e kompromisit me Serbinë nga perspektiva e Kosovës

Ndërsa hyjmë në një fazë të padefinuar të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, opsionet e kompromisit nga këndvështrimi i Kosovës janë të vështira. Është e qartë se ka një vullnet të ri nga ana e Bashkimit Evropian, drejtuar kryesisht nga Gjermania, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis palëve. Ajo që mbetet e paqartë është, se sa në të vërtetë do të jetë gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare kjo marrëveshje. Shqetësimi kryesor është definimi i zgjidhjes së kompromisit? Ky artikull diskuton shkurtimisht dy nga opsionet kryesore që janë përfolur.

Një nga zgjidhjet e kompromisit që është diskutuar shumë ishte opsioni i korrigjimit të kufijve. Mbetet e paqartë nëse ky ishte në të vërtetë një opsion, dhe nuk ka konfirmime zyrtare për këtë, përkundrazi, kemi mohime zyrtare që kjo nuk është diskutuar si zgjidhje. Sidoqoftë, për hir të argumentit, le të shqyrtojmë këtë mundësi. Bazuar në ato që kemi dëgjuar, korrigjimi i kufijve do të përfshinte një lloj shkëmbimi territoresh mbi baza etnike midis Serbisë dhe Kosovës. Në këtë skenar, thashethemet ishin që një pjesë e Preshevës dhe Bujanocit si dhe fshatra të tjera kryesisht të banuar me shqiptarë në atë zonë do të bëheshin pjesë e Kosovës. Autostrada që kalon kah Presheva u përfol se do të përdorej për demarkacionin e vijës së re të kufirit. Nga ana tjetër, të tri komunat në veri të Kosovës dhe një pjesë e Mitrovicës do të bashkoheshin me Serbinë.

Ky skenar duket se ka qenë opsioni i preferuar edhe për presidentin serb Vuçiq dhe mundësi për ta nxitur atë të nënshkruajë një marrëveshje, ku Kosova do të njihej si shtet. Kjo pasi do t’i mundësonte atij të bëjë paradë nacionaliste me marrëveshjen, sepse do të arrinte të “rikthejë” në Serbi një pjesë të Kosovës. Atmosfera e lartë e nacionaliste, kombinuar me racizmin, mbase do të kishte pranuar me kënaqësi të shkëmbejë disa fshatra shqiptare për një pjesë të Kosovës. Serbia gjithashtu do të kishte vendosur një precedent të rëndësishëm, sidomos për t’u përdorur në ndonjë marrëveshje potenciale për çështjen e Bosnjës, në lidhje me Republikën Srpska në të ardhmen. Për sa i përket objektivave të politikës së jashtme, ky skenar do të ishte një fitore për pozicionin e Serbisë, i cili tani është normalizuar: që ajo duhet të marrë diçka në mënyrë që të bëjë një hap vendimtar me Kosovën. Gjithashtu, Serbia do të kishte zgjidhur çështjen e saj “shqiptare”, duke hequr këtë kombësi nga lista e saj e grupeve minoritare që jetojnë në vend.

Sidoqoftë, ky opsion është refuzuar kategorikisht si dhe me tone të ashpra, veçanërisht nga Gjermania, nga frika e pasojave për kontekstin më të gjerë në Ballkanin Perëndimor, sidomos në raport me Bosnjën, dhe që kjo zgjidhje do të përfundonte në mënyrë efektive modelin liberal-demokratik për rajonin bazuar në shoqëri multietnike.

Gjermania tani, së bashku me Francën, kanë marrë drejtimin për një qasje të re në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Në përputhje me rrethanat, ne kemi sytë kah këto dy shtete, për të parë se cila do të jetë zgjidhja e kompromisit që ata do të shtyjnë. Bazuar në ato që kemi dëgjuar, kjo do të përqendrohet në ripaketimin e propozimit për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Më konkretisht, ky opsioni mund të përfshijë kompetenca ekzekutive dhe një lloj statusi të veçantë, autonomi funksionale, për pjesën veriore të Kosovës. Për ta zbatuar këtë në praktikë, Kosovës do t’i kërkohet të ndryshojë Kushtetutën, sepse nuk ka më kompetenca ekzekutive që mund të transferohen në një institucion komunal e që nuk janë përfshirë tashmë në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale në Kosovë.

Me selinë e mundshme në pjesën veriore të Kosovës, shqetësimi është se asociacioni i komunave serbe do të marrë rolin e një qeverie për serbët në Kosovë, në vend se të jetë një shtesë për qeverinë dhe institucionet qendrore. Kjo nuk do të ndihmojë në krijimin e një kohezioni më të madh politik për shtetin e Kosovës në mesin e komunitetit serb. Mirëpo deri tani askush në BE duket se nuk e mbështet idenë e një rregullimi të ri kushtetues në Kosovë për të riorganizuar formulën e ndarjes së pushteteve në favor të krijimit të një niveli të ri të pushtetit për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Nga këndvështrimi i Kosovës, kjo zgjidhje kompromisi është shqetësuese sepse ka të bëjë me krijimin e kushteve që veriu i Kosovës ti bashkohet me Serbinë në të ardhmen e afërt. Nëse ky opsion do të jetë zgjidhja e kompromisit, është thelbësore që Kosova të sigurojë dy gjëra: së pari, që ekzistojnë garanci ndërkombëtare që veriu të mos bashkohet me Serbinë dhe dy, në procesin e ndryshimit të Kushtetutës për të akomoduar krijimin e asociacionit, duhet të rishikohet parimi i shumicës së dyfishtë në procedurat e votimit në Kuvendin e Kosovës.

Bashkimi Evropian duket se synon njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia me këtë opsion si një zgjidhje kompromisi, por ka shumë të ngjarë të jetë në rregull edhe me atë që Serbia vetëm të pranojë realitetin se Kosova është shtet. Mirëpo, kjo do t’i lejonte Serbisë të vazhdojë të besojë se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur plotësisht. Një shpresë këtu është qëndrimi i BE-së që: asgjë nuk është dakorduar derisa të bihet dakord me gjithçka. Edhe pse kjo mund të bëhet një kurth për një proces të zgjatur. Ajo që është e rëndësishme të theksohet dhe pozitive është se Gjermania duket se tani është më e investuar në sigurimin e një zgjidhjeje dhe gjithashtu e sheh që afati kohor është thelbësor.

Megjithëkëtë nga këndvështrimi i Kosovës, për sa kohë që BE-ja nuk mund të pajtohet të vendosë për liberalizimin e vizave, kjo krijon skepticizëm nëse mund të mbledhë kapitalin e kërkuar politik dhe të ketë kohezionin e nevojshëm për të parë dialogun të përfundojë në një mënyrë që sjell të dy vendet më afër njëra tjetrës dhe Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, shqetësimet që vijnë nga Kosova për dialogun ndërsa mund të shihen në BE si ankesa të vazhdueshme, në thelb ka të bëjë më shumë me një skepticizëm të shëndetshëm bazuar në përvojë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.