Në një intervistë për gazetën Zëri, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe njëkohësisht zëvendësi për media i Qeverise së Kosovës, z. Abrashi deklaroi që “nëse shkojnë projeksionet qysh kanë filluar dhe kursimet dhe disiplinimi i skemave sociale mendoj që në dhjetor pensionet kontributdhënëse t’i ngremë deri në 250 euro.” Normalisht një lajm i tillë bëri bujë menjëherë në media tjera. Facebook-u gjithashtu u mbush me reagime pozitive të stilit “sado keq që është gjendja, qiky ke vendim i mirë”. Dhe jo pa të drejtë. Pensionistët me pensionet që i marrin vështirë e kanë t’i përballojnë nevojat e tyre bazike. Bile entuziazmi dhe dëshira e mbuloi logjiken dhe mediat u mbushen me tituj që “pensionet po rriten për 100 euro” ende pa u marrë kurrfarë vendimi.
Mirëpo në gjithë këtë aure pozitive, ekziston një problem. Në të njëjtin stil siç iu kishte përgjigjur gjatë zgjedhjeve lokale 2009 kryeministri Isa Mustafa, atëherë kryetar i Komunës së Prishtinës, akuzave që bërlloku kishte kapluar qytetin, “paret nuk po vijnë prej Kine”. Momentalisht pensionet bazë janë 75 euro për person, ndërsa pensionet për kontributdhënësit (për ata që kanë kontribuar në skemat pensionale të Ish-Jugosllavisë por që tani nuk mund të marrin ato kontribute për shkak të problemeve politike) janë 140 euro për person. Pra rritja në 250 euro për kontributdhënës nënkupton rritje prej 78.6%. Vështruar nga perspektiva vetëm e kontributeve, pra pa pension bazë, kontributet po rriten për 154%.
Për të ilustruar këtë rritje në mënyrë më konkrete dhe më lehtë të kapshme, imagjino për një moment sikur të jesh pronari i një biznesi të këpucëve në një botë shumë të thjeshtë (tipike të ekonomistave). Supozo që kostoja mesatare e prodhimit të një këpucë është 10 euro. Prej 10 eurove kosto, supozo që punëtorët duhesh t’i paguash vetëm 5 euro. Çmimin e shitjes në ndër kohë nuk e cakton ti por tregu, dhe momentalisht këpucët shiten me çmim prej thuaja 15 euro – margjina e profitit është rreth 33%. Si njeri shumë i mirë, një ditë i sheh se sa pak paguhen punëtoret dhe vendos të i rritesh pagat për thuaja 100%. Për këtë gjest punëtoret janë mëse të lumtur dhe falënderues pasi që ishin në gjendje më të vërtetë shumë të rendë. Por tani kostoja mesatare e prodhimit të një këpuce është rritur në 15 euro, pra njejtë me çmimin e shitjes, dhe për ty nuk mbetet asnjë profit. Me këtë trend, zhvlerësimi i kapitalit dhe mungesa e profiteve shpejt do të qojnë në bankrot. Me fjalë tjera, sado që nevoja është e madhe për rritje të pagave, do të ishte një budallaki që t’i rritesh ato për 100%. Ndoshta shumë më mençur do të ishte të i rriteshe me pak apo të presësh që biznesi të përmirësohet pak dhe gradualisht të i rritesh pagat.
Ngjashëm me biznesin imagjinar super të thjeshtë, edhe Qeveria e Kosovës ka buxhet të limituar. Momentalisht në pensione Qeveria e Kosovës shpenzon 263.6 milion euro, apo rreth 22% të të gjithë buxhetit. Ndërsa vetëm në kontribute (jo në pensione bazë) shpenzon 68.6 milion euro. Po të rriten kontributet për 110 euro, aq sa po shpreson ministri Abrashi, Qeveria e Kosovës duhet të shpenzojë edhe 105.7 milion euro për të përballuar koston e re të pensioneve. Në shifra tjera, momentalisht për kontribute paguajmë 5.7% të të gjithë buxhetit të Qeverisë së Kosovës, ndërsa pas rritjes prej 110 euro ne do të paguajmë 14.5% të buxhetit – pra rritje prej 8.8 pikë përqindjes. Veç për sqarim, kjo nuk është një shpenzim që ndodhë vetëm një here, sikur të blesh një palë këpuce, por është shtim i shpenzimeve vjetore, sikur të paguash qera.*
Pra, të kthehemi edhe një herë tek çështja e parave sepse “ato nuk vijnë prej Kine”. Një ndër opsionet që ministri Abrashi propozon është rregullimi i sistemit pensional dhe atij social. Pjesë e këtij rregullimi, siç thotë ai në interviste, është heqja nga lista e njerëzve që vijnë në Kosovë nga vendet tjera të marrin pensionin bazë edhe pse ata nuk jetojnë në Kosovë. Një iniciative e tillë është mëse e nevojshme dhe këtu duhet të ketë përkrahjen e plotë të të gjithëve. Por edhe pas pastrimit të listave pensionale nga këta njerëz do të kursehen, gjithmonë sipas vet ministrit, nga 9 deri në 18 milion euro në vit. A është kjo shumë e mjaftueshme për mbulimin e kostos prej 105.7 milion euro nga rritja e pensioneve? Nuk e besoj. Sidomos duke e konsideruar që sipas të gjitha gjasave rritja e pensioneve të kontribudhënësve do të qojë deri te rritja edhe e pensioneve bazë që të balancojë diferencën e madhe ndërmjet tyre. Po ashtu, ministri Abrashi në po të njëjtën intervistë thotë që planifikon të rritë edhe asistencën sociale. Ajo çfarë më mbetet mua të shpresoj verbërisht, duke përdorur teknikat e mendimit pozitiv të librave të ndonjë indiani plotësisht të panjohur, është që reforma e sistemit pensional dhe social të lirojë aq shumë fonde që të kompensohen të gjitha këto shpenzime, apo se paku një pjesë e mirë e këtyre shpenzimeve.
Megjithatë, eksperiencat e kaluara nga rritja e pagave dhe pensioneve na tregojnë që në shumicën dërmuese të rasteve këto janë rritur vetëm për qëllime afatshkurta politike. Pra pagat rriteshin në prag të zgjedhjeve – gjë e cila lehtë e ndryshon përgjigjen prej jo në po në pyetjen “a keni vendosë me dalë? Edhe?”. Disa herë këto rritje të rrogave ishin kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por argumenti ishte që rritja është e merituar dhe për balancimin e buxhetit do të shkurtohen shpenzime tjera të ‘panevojshme’. Në grafiken e mëposhtme, shihet qartë që shpenzimet tjera të ‘panevojshme’ zakonisht janë shpenzimet kapitale, pra rrugët, ujësjellësi, ndërtimi i shkollave, zgjerimi i gypave të ngrohtores, etj, e jo mallrat dhe shpenzimet ku përfshihen udhëtimet zyrtare, drekat dhe darkat, karburantet, telefonat, etj. Gjithashtu, efekti i zvogëlimit radikal dhe i shpejtë i shpenzimeve kapitale ndikon shumë negativisht tek firmat private të cilave nuk i lihet kohë të adaptohen me situatën e re.
Momentalisht ka shumë pak informata deri me tash për rritjen e pensioneve dhe për reformat që planifikohen të bëhen në sistemin pensional dhe social dhe ky reagim ka të bëj më shumë me atë se çfarë u perceptua. Megjithatë, gjasat për rritje të pensioneve për 100 euro për fat të keq janë shumë të vogla. Nëse merret vendim për rritje të pensioneve, atëherë këtë rritje të pensioneve do ta paguajmë me ulje të shpenzime kapitale. Një logjike e tillë nuk besoj që është e shëndetshme por është vetëm kalkulim politik në të nxehtin e situatës politike momentale. Pra është blerje e paqes sociale – e për dallim prej paqes së gjellëtores, paqja sociale kushton bajagi shtrenjtë.
*i gjithë ky reagim pasoi pas euforisë për rritje të pensioneve. E vërteta është që shumë pak nga ky plan për rritje dihet deri me tash dhe shumë nga numrat e përdorur mund të ndryshojnë drastikisht.