Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Parlamenti është vox populi

Parlamenti nuk është kongres i ambasadorëve me interesa dhe armiqësi të ndryshme, të cilat  duhet t’i mbajnë secili si agjent dhe avokat, kundër agjentëve dhe avokatëve të tjerë; por parlamenti është një asamble diskutimi e një kombi, me interes për të gjithë; ku qëllimet dhe paragjykimet lokale nuk duhet të udhëzojnë, por e mira e përgjithshme që rezulton nga arsyeja e përgjithshme e tërësisë

(Edmond Burke)

Të kuptuarit e Parlamentit

Parlamenti është një komponent themelor i qeverisjes demokratike. Sipas kuptimit modern, parlamenti dhe kushtetuta cilësohen si elemente afirmative të shtetit liberal. Paraardhës të tyre ishin asambletë këshilluese mbretërore dhe cartat e shkruara që kufizonin pushtetin e monarkut dhe me kalimin e kohës e kanë forcuar reciprokisht njëra-tjetrën. Pushteti në kushtetutat moderne është i arkitekturuar sipas parimit të ndarjes së pushtetit në tri degë të qeverisjes: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Parlamenti, që ushtron pushtetin legjislativ, është institucion i domosdoshëm i cili pasqyrohet në vetë përkufizimin e demokracisë si formë e qeverisjes nga njerëzit. Me qëllim të pjesëmarrjes në qeverisjen e vendit, njerëzit kërkojnë një mekanizëm për përfaqësimin e tyre, përmes të cilit ushtrojnë ndikim në politikëbërjen e vendit dhe  mbikëqyrjen e zbatimit të saj.

Parlamenti pikërisht i shërben këtij funksioni, pasi në radhët e tij ka një spektër të gjerë të opinionit politik të një vendi dhe si i tillë është forumi kryesor për debat mbi çështjet vitale. Institucioni i parlamentit kuptohet si një demonstrim i pluralizmit, tolerancës, diversitetit dhe  kundërshtimit, por edhe si vend për kompromis dhe ndërtim konsensusi. Anëtarët e parlamentit veprojnë në emër të grupeve specifike gjeografike, etnike, fetare, politike, gjinore ose të tjera dhe përpiqen të sigurojnë që interesat e këtyre grupeve të përfaqësohen në nivel kombëtar.

Pushteti parlamentar nënkupton kompetencat e parlamentit si organ përfaqësues, ligjvënës, mbikëqyrës dhe zgjedhor. Ky pushtetet ka dy aspekte: (1) de jure që përcaktohet nga prerogativat që kushtetuta dhe aktet e tjera ligjore i japin parlamentit; dhe (2) de facto, që është aftësia  për t’i përkthyer në veprim prerogativat ligjore. Për shembull, parlamenti mund të ketë pushtetin de jure për të iniciuar një projektligj, por pushteti de facto është kur deputetët hartojnë apo miratojnë atë. Mënyra e ushtrimit të pushtetit parlamentar, ndikimi në politikëbërje dhe ndërveprimi me institucionet tjera, sidomos me qeverinë, janë elementet kryesore në bazë të të cilave bëhet klasifikimi i parlamenteve. Lidhur me këtë, autori  Mezy identifikon disa tipa të parlamentit: (1) i fortë, kur ai ka mandat të modifikojë dhe të refuzojë propozimet e politikave; (2) modest, kur  nuk ka kapacitet për t’i refuzuar propozimet e politikave, por mund t’i modifikojë ato; dhe (3) margjinal, kur parlamenti as nuk mund t’i modifikojë dhe as t’i refuzojë propozimet e politikave.

Ndërsa, lidhur me dimensionet e punës parlamentare, sipas Max Weber, janë dy lloje të parlamenteve: (1) modeli Westminster apo parlamentet deliberative/diskutuese, të fokusuara kryesisht në debate parlamentare, debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës; dhe (2) modeli i Bundestagut apo parlamentet e punës, të cilat më shumë janë të fokusuara në ndryshimin dhe përmirësimin e legjislacionit nëpërmjet mbledhjeve të komisioneve me dyer të mbyllura. Secili parlament padyshim përmban të integruara dy dimensionet, por organizimi i tij i veçantë mund të tregojë një stil të preferuar të tij: atë diskutues apo atë të punës. Kurse, faktorët kyç që ndikojnë në dinamikën parlamentare janë: prerogativat ligjorë, sistemi i komisioneve parlamentare; relacioni me qeverinë, burimet e mjaftueshme, stafi profesional dhe prioritetet individuale të deputetëve.

 20 vjet të parlamentarizmit në Kosovë

Njëzet vjet me parë, më 10 dhjetor 2001, ishte themeluar Kuvendi i Kosovës, përkatësisht legjislatura e parë, në kuadër të strukturës se institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse.  Gjatë periudhës se administrimit ndërkombëtar, kompetencat e Kuvendit, sikur edhe të institucioneve të tjera, ishin të limituara dhe kjo kishte impakt edhe në jetën parlamentare. Kryeadministratori  ndërkombëtar  kishte të drejtë ta shpërndante Kuvendin, t’i shpallte ligjet dhe ta përdorte të drejtën e vetos ndaj ligjeve të Kuvendit.

Miratimi i kushtetutës, pas shpalljes së pavarësisë, mundësoi krijimin e bazës ligjore për  pavarësinë dhe fuqizimin e  institucioneve qeverisëse, përfshirë këtu edhe Kuvendin. Kosova për nga forma e shtetit është republikë demokratike, ndërsa për nga forma e qeverisjes është demokraci parlamentare/kushtetuese. Por, demokracisë parlamentare i është mbivendosur demokracia konsociacionale. Sipas Lijphart, “demokracia konsociacionale përkufizohet si një marrëveshje akomoduese për ndarjen e pushtetit, që përfshin të gjitha grupet e rëndësishme në institucionet legjislative dhe ekzekutive dhe një marrëveshje që promovon proporcionalitetin brenda administratës publike dhe sistemin zgjedhor propocional.” Modelimet kushtetuese lidhur me vendet e garantuara në Kuvendit; zgjedhjen e qeverisë; të drejtat e komuniteteve; legjislacionin me interes vital; procedurën e amendamentimit të kushtetutës, përbërjen e institucioneve shtetërore, janë elemente të demokracisë konsociaconale në Kosovë.

Kuvendi,  si organ përfaqësues i qytetarëve është organi më i lartë kushtetutëdhënës  dhe legjislativ në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, legjitimiteti i të cilit buron drejtpërdrejt nga vullneti i popullit, i shprehur nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Pra ai është vox populi. Në një demokraci parlamentare, ky është subjekti më i lartë drejtues i veshur me një shumëllojshmëri te kompetencave, që në të njëjtën kohë i nënshtrohet parimit  të ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit ndërmjet tyre. (GJK, KO103/14). Nëse e krahasojmë Kuvendin sipas tipologjive si më sipër, mund të thuhet se Kuvendi i Kosovës i takon tipit të parlamenteve të forta, sepse mund t’i refuzojë apo modifikojë propozimet e qeverisë; ka prerogativa të gjerë de jure, që dallojnë de facto në zbatimin në praktikë. Ndërsa, nëse e krahasojmë dimensionin e punës, Kuvendi ka integruar edhe modelin diskutues, edhe atë të punës, por me një preferencë kah modeli diskutues.

Zhvillimi i parlamentarizimit në Kosovën e pavarur ka pasur progres të konsiderueshëm si: miratimin e kushtetutës, legjislacionit, agjendës së reformave evropiane, por edhe debatet e ndryshme, mirëpo ka pasur edhe pikat e dobëta si: shpërbërja e parakohshme e të gjitha legjislaturave pas pavarësisë, polarizimet dhe mungesa e konsensusit; vonesat në ligjvënie; mbikëqyrje e pamjaftueshme parlamentare apo vonesat në zgjedhjen anëtarëve të organeve publike, janë evidentuar në vijimësi në raportet e progresit të BE-së për vendin. Fuqizimi i punës parlamentare me fokus në adresimin e këtyre sfidave do të ketë impakt në etablimin e Kuvendit në organ komptabil sipas kritereve të Kopenhagës për institucione të qëndrueshme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.