Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pasiguria juridike në implementimin e vendimit për pagën minimale

Më 1 tetor 2024 hyri në fuqi vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagës minimale në 350 euro. Këtij vendimi i hapi rrugë miratimi i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore.

Përmes këtij ligji, Neni 57 i Ligjit të Punës u amandamentua në: “Në mungesë të një propozimi të tillë nga Këshilli Ekonomiko-Social, ministri përkatës për Financa, pas informimit të Këshillit Ekonomiko-Social, mund të parashtrojë një propozim të tillë për Qeverinë e Republikës së Kosovës.”

Ky ndryshim i mundësoi Qeverisë të vendosë për lartësinë e pagës minimale vetëm përmes njoftimit të Këshillit Ekonomiko-Social (KES), në rast të mungesës eventuale të propozimit nga KES-i. 

Kjo formë e rregullimit rreth përcaktimit të pagës minimale u kritikua nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pasi zvogëlon dialogun shoqëror mes punëtorëve, punëdhënësve dhe Qeverisë, e cila është kërkesë e Konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për përcaktimin e pagës minimale.

Por, pavarësisht procedurës së miratimit të kësaj dispozite dhe reflektimin në aspektin ekonomik, rregullimi i pagës minimale në këtë formë, duke mos bërë një analizë të përgjithshme të legjislacionit, ka krijuar konflikt mes akteve juridike, të cilat shkaktojnë paqartësi ligjore dhe cenojnë të drejtat e zyrtarëve publikë.

Mungesa e harmonizimit me Ligjin e Pagave shkakton pasiguri juridike

Një nga parimet bazë për sundimin e ligjit është hartimi i legjislacionit thjesht, qartë dhe pa kundërthënie mes akteve. Pra, është i domosdoshëm harmonizimi i legjislacionit për të shmangur pasigurinë juridike dhe dilemat në interpretimin ligjor.

Por, pavarësisht parimeve juridike, vendimi për pagën minimale është bërë pa një analizë të legjislacionit ekzistues – që ka rezultuar të jetë në kundërshtim me Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Ky ligj, i cili është bazë për pagat në sektorin publik, ka përcaktuar koeficientët për çdo kategori të punëtorëve në sektorin publik. Më i vogli koeficient është 2, për kategoritë si në vijim: kadetët e FSK-së, kadetët policorë, kadetët doganorë dhe kadetët korrektues. 

Përderisa vlera e koeficientit (që fillon nga numri 1) për vitin 2024 është përcaktuar në vlerë prej 110 eurosh, për këtë kategori të kadetëve paga rezulton të jetë 220 euro (koeficienti 2).

Me fjalë të tjera, në njërën anë, e kemi në fuqi ligjin bazë për paga, që pagën më të vogël e parasheh 220 euro, ndërsa në anën tjetër, e kemi një vendim të Qeverisë që përcakton pagën minimale në nivel vendi 350 euro. 

Kjo shfaq një kontradiktë të qartë mes ligjit bazë për paga dhe vendimit të Qeverisë për ngritjen e pagës minimale në 350 euro.

Mungesa e harmonizimit të këtyre dy akteve ka krijuar pasiguri juridike për kategoritë e koeficientit nën vlerën 3, të cilët nuk e kanë të qartë se në çfarë vlere do t’u realizohet paga e nëntorit. Kjo situatë e krijuar nga Qeveria e shkel të drejtën në pronë (ku bën pjesë edhe paga). 

Sfidat që do ta përcjellin vendimin për pagën minimale, me gjasë të madhe, do të jenë në sektorin privat, megjithatë do të ishte e pafalshme që problemet në zbatimin e saj të shfaqeshin edhe në sektorin publik, sikurse në këtë rast.

Andaj, me qëllim që të shmanget pasiguria juridike, do të ishte e domosdoshme që të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për Paga në Sektorin Publik, në mënyrë që asnjë pagë në sektorin publik të mos jetë nën pagën minimale prej 350 eurosh – ashtu siç përcaktohet në vendimin e Qeverisë. 

Kjo do të mund të ndodhte duke rritur numrin e koeficientit për punonjësit që aktualisht kanë pagën nën 350 euro, derisa të arrihet vlera e pagës minimale.

Prandaj, plotësim-ndryshimi i këtij ligji duhet të bëhet në mënyrë urgjente, duke e ditur që i njëjti prek xhepin e qindra punonjësve në Kosovë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.